Po rrënohet Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos në Zagori
Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos, me afreske të gjallë të pikturuar rreth vitit 1843 është grabitur rreth 15 herë sipas banorëve të cilët me keqardhje pranojnë se tashmë nuk ka mbetur më asgjë për t’u marrë.
Ata minimalisht kërkojnë shpëtimin e këtij objekti të lidhur ngushtë me jetën dhe traditën e tyre.
Petro Dedi, njëri prej banorëve, thotë se problemet strukturore të objektit janë të pandalshme.
Zhvendosja e murit perëndimor kërcënon çarje të mëtejshme në mure. Ai thotë se kisha, e vetmja e mbetur mes 24 të tillave që rrethonin dikur këtë hapësirë është gjithçka që ka mbetur. Çatia e objektit sipas tij ka probleme të mëdha dhe lagështia është duke shkatërruar afresket.
Sot në fshat jetojnë jo më shumë se 40 banorë të gjithë të moshuar që nuk janë në gjendje as të restaurojnë e as të mbrojnë kishën e Apostujve. Në disa pjesë të hapësirës së brendshme si në vendin e shërbesës, platenë kryesore, faltore dhe afresket e periudhës më të hershme dëmtimet janë shumë të renda. Katerina Telo banore e fshatit thotë se edhe për të kryer ndërhyrje të vogla në çati mungojnë mjeshtrit dhe punëtorët.
Kisha e Apostujve e filloi problematikën që prej shtetëzimit të saj gjatë sistemit socialist, ku për disa vite shërbeu si depo drithi por rrënimi i saj i vërtetë nisi pas viteve ’90, kohë kur u grabitën në disa raste edhe me thyerje 25 ikona të vogla dhe 8 ikona të mëdha. Vizitorët e huaj që ecin me këmbë nëpër shtigjet malore thonë se monumenti është një befasi për ta.
Milja de Zeart nga Hollanda gjendet në Zagorie me një grup miqsh.
“Ishte një befasi zbulimi i këtij monumenti. Unë dhe miqtë e mi dëshirojmë që të mos jemi të fundit që e vizitojmë këtë objekt dhe shpresojmë që do bëhet diçka për ta shpëtuar”, thotë De Zeart.
Objekti ruan ende pjesë të ikonostasit të gdhendur në dru të zbukuruar e simbole të rrallë biblikë ndërsa mes afreskeve të pikturuar dallon ai i Shën Jorgjit të Ri, një pikturë murale që paraqet shenjtorin me kostum tradicional të zonës, fustanellë dhe kapele otomane