Poçari i fundit në Elbasan, “artizani” i baltës që ruan mjeshtrinë e hershme. –
Poçaria, një nga mjeshtëritë më të hershme të njeriut, i ruan ende gjurmët e saj në vendin tonë.
Një traditë e lashtë që nga epoka e gurit, lulëzon në ditët e sotme në punishten e vetme të enëve prej balte në Elbasan.
Ali Liçi që prej viti 1973 prodhon dhe dekoron në mënyrë artizanale enë prej balte. Me pasion dhe përkushtim, 60 vjeçari elbasanas u jep formë çdo ditë dhjetëra vazove në punishten e tij.
Kamera e Ora News, pa nga afër punishten e pocarit të vetëm në Elbasan, falë të cilës ai siguron të ardhurat për të mbajtur familjen.
Ali Liçi: “Profesion e kam marrë nga ustallarët e parë që kanë qenë në Elbasan. Zanatin e trashëgova që atëherë dhe nuk iu ndave. Këtë profesion e kam marrë që në moshë të vogël.”
Të jesh poçar nuk është aspak e lehtë, pasi puna për nxjerrjen në dritë të një vazoje apo një ene prej balte bëhet e gjitha në mënyrë tradicionale me dorë që prej përgatitjes së baltës e deri tek pikturimi i objekteve.
Ali Liçi: “Mund të bëj një vazo lulesh, një poçe fasulesh, vazo dekorative. Kam disa tregtarë që i furnizoj.”
Por pavarësisht vështirësive të kësaj mjeshtërie, Liçi e dashuron poçarinë dhe nuk do të heqë dorë prej tyre.
Ali Liçi: “Nuk heq dorë nga ky profesion sepse me këtë u rrita dhe mbaj familjen. Mirë që t’ia lësh brezave, që të mos humbi si traditë.”
Enët prej balte gjejnë përdorim më së shumti në guzhinë, falë vetive fizike të veccanta. Në to ruhet uji i ftohtë dhe disa lloje ushqimesh konservohen më mirë. Po ashtu, objektet prej balte preferohen edhe si elemente dekorimi.
Por përveçse praktike dhe të dobishme në mjediset familjare, enët dhe objektet e qeramikës, mbeten një tregues i historisë njerëzore dhe kulturore në periudha të ndryshme.