Podujevë, për herë të parë në historinë e Kosovës, u mbajt mesha e parë Ortodokse në shqip
29 Nentor 2023
At Nikollë Xhufka, prifti ortodoks që ndjek rrugën e një prej shqiptarëve më të mëdhenj, Fan Nolit, sot ka themeluar Kishën Ortodokse Shqiptare në Kosovë, transmeton Kosova Post.
Komuniteti shqiptar i komunës së Podujevës festoi me 28 nëntor me madhështi themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Kosovë – Fan Noli. Të ftuarit e nderit ishin në këtë ngjarje historike ishin përfaqësues të Komunës, përfaqësues të Partisë Konservatore, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare etj.
Ja postimi i plotë i At Nikollë Xhufka:
▪️Ngjarje historike!
Vëllezër e motra shqiptarë,
Sot më datë 28 nëntor 2023, për herë të parë në historinë e Kosovës (Dardanisë), u mbajt Mesha e Parë Ortodokse në shqip në Komunën e Podujevës, fshati Rakinicë, dhe pikërisht në Kishën e Shën Mihaillit!
Të pranishëm në këtë ngjarje historike ishin përfaqësues të Komunës, përfaqësues të Partisë Konservatore, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare etj.
Duke filluar që sot, kjo kishë me emrin e vjetër të saj të vendosur nga serbët “Shën Mihaill”, i ndërrohet emri me vendim të Kishës Kombëtare Shqiptare në “Kisha Imzot Fan Noli”!
Kjo datë historike e sotmja duhet të mbahet mend për shumë shekuj, sepse sot u themelua Kisha Shqiptare Kombëtare Fan Noli në Kosovë në komunën e Podujevës.
Kisha 500-vjeçare tanimë me emrin e saj “Fan Noli” nga sot kalon në juridiksionin e Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare “Shën Kozmai” Elbasan.