
Pogradeci po shkon drejt betonizimit. – Nga “pylli me pallate” i Fatmir Bektashit, te kullat
31 Mars 2025
Qeveria ka vendosur të shkatërrojë edhe atë qytet që arriti t’i shpëtojë për shumë vite benonizimi. E kemi fjalën për Pogradecin. Arsyeja që ky qytet preferohet, padyshim përveç liqenit, është qetësia, hapësirat e gjelbra dhe peizazhi ndryshe nga qytetet e tjera.
Në Pogradec nuk ka kulla që të marrin frymën, nuk ka ndërtime masive dhe për më tepër, pjesa buzë liqenit (nga Pogradeci në Tushemisht) është po e njëjta që në kohën e sistemit komunist.
Por nuk do të jetë më kështu. Pogradeci do bëhet shumë shpejt si Durrësi, Vlora, Saranda e shumë qytete të tjera që janë zaptuar nga kullat dhe betoni.
Ditët e fundit kanë dalë në dritë dy projekte që do ta ndryshojnë përgjithmonë imazhin e Pogradecit, duke e vënë atë në shërbim të oligarkëve.
Pak kohë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një projekt mjaft të debatueshëm. Bëhet fjalë për një varg kullash të larta në qytetin e Pogradecit. Sipas vendimit, KKT ka miratuar lejen e ndërtimit për objektin “Pogradec Marina” (Koran Village), objekte me funksione komplekse, shërbimi, hoteleri dhe rezidenciale me 3, 4, 5, 9, 11, 12, 18, 22 dhe 23 kate mbi tokë me 1-2 kat nëntokë, plus galeri arti me funksion publik”, me vendndodhje në Rrugën “Reshit çollaku”, Bashkia Pogradec.”
Por ky nuk do të jetë projekti i vetëm, pasi në Pogradec “ka futur hundët” edhe biznesmeni kontrovers Fatmir Bektashi. Edhe pse është me dy dosje në SPAK, ai vijon të marrë leje ndërtimi. Bektashi akuzohet nga SPAK për afera me Jamarbër Malltezin. Po ashtu del te dosja e Erion Veliajt.
Për dosjen e parë ka shkuar për gjykim, ndërsa për të dytën është nën hetim. Mirëpo kompania e tij “Kontakt” ka njoftuar një projekt të quajtur “Pyjet e Drilonit”, ku njofton ngritjen e pallateve pranë Parkut të Drilonit, në të hyrë të Tushemishtit.
Ende nuk dihen detaje mbi lejen, por kompania ka nisur shitjen e apartamenteve dhe sinjalet janë se Bektashi do të zaptojë të gjithë zonën, sikundër ka bërë në Tiranë.
Skandali është se Liqeni i Ohrit është pjesë e UNESCO-s dhe e betonizimi i tij bie ndesh me udhëzimet që kanë ardhur nga organizata. Nga: “Pamfleti”