Polici shoqëroi kontinerin e “Bana King”. – Si u zhduk për dy orë ngarkesa me “banane”
23 Dhjetor 2023
Zhdukja për 2 orë e kontenierit të “Bana King” nga Porti i Durrësit shënon ngjarjen më skandaloze të ndodhur ndonjëherë në Portin e Durrësit. SYRI TV ka zbardhur dosjen hetimore, ku rezulton se kontenieri është nxjerrë nga porti në shoqërimin e një efektivi policie dhe të disa personave të paidentifikuar. Pasi kontenieri është hapur dhe është shkarkuar ngarkesa në një parkim privat në Shkozet, është rikthyer sërish në port për të kryer kontrollin.
Kur ka kaluar më shumë se një javë nga zhdukja disaorëshe e një kontenieri me banane të porositura nga “Bana King”, autoritetet hetimore nuk janë ende në gjendje të thonë se përse u realizua një prej ngjarjeve më skandaloze në Portin e Durrësit.
Megjithatë, në dosjen hetimore janë renditur disa fakte e të dhëna, të cilat ngrenë dyshimet se është një rast trafiku narkotikësh, realizuar nën hundën e Policisë dhe punonjësve të kompanisë që menaxhon terminalin e trageteve.
Nga katër personazhet e arrestuar deri më tani vetëm për “shpërdorim detyre”, rolin më të rëndësishëm duket se e ka pasur punonjësi i Policisë, Adelion Vila.
Ai jo vetëm ka lejuar marrjen e kontenierit nga porti pa kryer asnjë procedurë, por edhe e ka shoqëruar mjetin që transporti ngarkesën deri në destinacionin final, në një parking të quajtur “Koromani”, në Shkozet.
Sipas dosjes hetimore, efektivi Vila ka ndjekur kamionin me mjetin e tij, një Benz me ngjyrë gri ndërkohë që, nën shoqërinë e kamionit ka qenë edhe një mjet tjetër, një Xhip me ngjyrë të kuqe, me persona ende të paidentifikuar.
Pasi kamioni me kontenier ka mbërritur në parkimin në Shkozet, një person tjetër, drejtues i një mjeti pirun, është pajtuar për të zbritur ngarkesën me banane.
Më pas, efektivi Vila dhe personat e paidentifikuar kanë nisur shkarkimin e ngarkesës. Dy orë më pas, kamioni me kontenerin ka hyrë sërish në Port, gjithnjë nën shoqërinë e punonjësit të Policisë, Adelion Vila.
Grupi hetimor ka zbuluar se nga kontenieri me banane janë zbritur disa objekte dhe sende, ta panjohura deri më tani. Prokuroria e Durrësit, deri më tani ka ngritur akuzën e “kontrabandës” për shoferin e kamionit, të identifikuar vetëm më inicialet D.H. i cili është shpallur në kërkim.
Po ashtu, është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës” për punonjësin e Policisë, Adelion Vila, si edhe për Denis Muçaj, Egnis Gojani dhe Alketa Kollçaku, të tre punonjës të shoqërisë koncesionare të terminalit të kontenierëve, “Mariner Adriatic”.
Nga OraNews