Policia aksion gjatë natës, heq tabelat në greqisht në Bashkinë e Finiqit. Reagon ish-deputeti. –
Policia aksion gjatë natës, heq tabelat në greqisht në Bashkinë e Finiqit. Reagon ish-deputeti. –
5 maji 2019
Policia ka hequr gjatë orëve të natës tabelat e shumta në akset rrugore në Finiq të shkruara në gjuhën greke.
Gjatë aksionit të policisë, ka pasur edhe konfrontime me banorët.
Tabelat në greqisht fillojnë që nga Muzina dhe vazhdojnë deri në çdo fillim rruge në fshatra.
Gjatë ditës së djeshme, PDIU denoncoi heqjen e tabelave.
Duke reaguar për ngjarjes, ish-deputeti i LSI-së në Qarkun e Vlorës, Shezai Rrokaj, e konsideroi një turp kombëtar vendosjen e tabelave ku gjuha shqipe është në plan të dytë.
“Shikoni këto tabela rrugore? Lart greqisht, poshtë shqip. Duhet të ishte e kundërta. Sepse gjuha shqipe është gjuha zyrtare në Kushtetutën tonë. Gjuhët e pakicave gëzojnë të drejta të përdorimit lokal, por jo të jenë parësore karshi gjuhës zyrtare. Kjo është e qartë edhe në Konventën Kuadër të KE-së për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr 8496, dt 3.6.1999.
Mbrojtja e të drejtave të pakicave, në rastin konkret ajo greke, nuk mund të bëhet në dëm të prestigjit të gjuhës së shumicës që është gjuhë zyrtare. Ligji për Pakicat Kombëtare, që u miratua në Kuvend para gati një viti kishte shumë probleme të kësaj natyre, të cilat i kam ngritur gjatë diskutimit të tij. Pata theksuar, ndër të tjera, lidhur me përgjegjësitë që do kishte Këshilli i Ministrave dhe institucionet e tjera për zbatimin korrekt të tij. Ky është një rast i paprecedentë, kur ligji po ndëshkon prestigjin e gjuhës së shumicës, kurse sa për tabelat rrugore edhe në gjuhën shqipe në Prevezë, Igumenicë, Filat etj., kjo e drejtë s’është e drejtë”, shkruan Rrokaj.
Gazeta Panorama.