Policia po u ngjitet maleve për kanabisin. Po skafet kush i ruan?-
Policia po u ngjitet maleve për kanabisin. Po skafet kush i ruan?-
Nga Boldnews.al
Shumë vite më parë, në funksion të propagandës komuniste, Estrada e Tiranës shfaqi në skenë një skeç, në të cilin i madhi Skënder Sallaku vihet në kërkim të një të sëmuri me malarje. Tentativat e personazhit dështuan, pasi “partia e kishte zhdukur sëmundjen”.
Nën të njëjtën frymë propagande, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit shpërndanë paraditen e së Enjtes një informacion, sipas të cilës një efektiv policie ishte rrëzuar nga një rrëpirë, në malet e zonës së Vranishtit, në Vlorë, gjatë verifikimit të territorit për kultivim kanabis.
“Boldnews.al” uron që efektivi i policisë të mos ketë probleme shëndetësore, të marra gjatë ushtrimit të detyrës. Por ajo që duket e shtirur në informacionin e shefave të tij është fakti se, në aksidentin e efektivit, më shumë rëndësi i japin faktit që ai ishte “në një zonë malore”. Pra, tashmë që policia e shtetit “ka fituar” luftën me kanabisin në fusha, po u ngjitet maleve, për të mos lënë asnjë rrënjë kanabisi në këmbë. Njëlloj si personazhi i aktorit Skënder Sallaku, i cili nuk gjente asnjë malarik në kohën e komunizmit.
Vranishti është një fshat, i cili në periudhën 2015-2016 ishte “zona operative” e Habilajve. Në një operacion të drejtuar në vitin 2016 në atë zonë u gjetën mbi 24 ton kanabis dhe qindra mijëra rrënjë të shpërndara në çdo pjesë të relievit të fshatrave përreth.
Pas zbulimit të kësaj sasie gjigande, media dhe opozita hodhën dyshimet e forta se pas kultivuesve dhe trafikantëve të lëndës narkotike qëndronin edhe zyrtarë të lartë policie dhe persona të lidhur me qarqe të larta politike.
Këtyre akuzave iu përgjigj ashpër ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, i cili, përveç opozitës, konsideroi si “fronti i së keqes” edhe median dhe një pjesë të prokurorisë. Shpërthimi i atëhershëm i Tahirit u kuptua plotësisht vetëm një vit më pas, kur, nga disa hetime të Prokurorisë së Katanias, rezultoi se droga e kapur në Vranisht (përfshirë edhe fshatrat fqinjë Vezhdanisht e Treblovë), ishte nën komandën e vëllezërve Habilaj, kushërinj të ministrit. Për më tepër, edhe vetë Tahiri dyshohet si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe për këtë arsye, ai është nën hetim prej disa muajsh nga Prokuroria për Krime të Rënda.
E, pikërisht, nën këtë kontekst zhvillimi ngjarjesh në dy vitet e fundit, vjen edhe informacioni i sotëm për aksidentin e një efektivi policie në kërkim, të asaj që shefat e Ministrisë së Brendshme dhe të policisë, e konsiderojnë “të ndonjë parcele me drogë”.
Qeveria shqiptare vijon të shfaqet publikisht si “luftuese e kultivimit të kanabisit”. Por, sasitë gjigande të drogës, të sekuestruara edhe gjatë muajve të fundit në vendet fqinje me Shqipërinë, dëshmojnë për një realitet tjetër.
Vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2018, në brigjet italiane janë arritur të sekuestrohen rreth 16 ton lëndë narkotike kanabis, e nisur në rrugë detare nga Shqipëria.
Gjithashtu, raportet ndërkombëtare vijojnë ta rendisin Shqipërinë si vendi kryesor furnitor me kanabis për Europën Qendrore.
Nga ana tjetër, autoritetet e larta qeveritare, duke mbrojtur tezën se Shqipëria nuk është më në hartën e kultivimit të kanabisit, deklarojnë se sasitë e drogës së trafikuar drejt Italisë janë pjesë e stoqeve që u kanë mbetur kultivuesve dhe trafikuesve nga prodhimet e viteve të mëparshme.
Por, ky qëndrim është hedhur poshte me një shkrim të vetëm të gazetës franceze “Liberation”. Në një shkrim të saj, në fund të qershorit 2018, gazeta hedh dyshime të forta mbi vërtetësinë e deklaratave të Kryeministrit shqiptar dhe ministrit të Brendshëm. Këto dyshime, “Liberation” i mbështet në deklaratat e Nicola Altiero, gjeneral brigade i Guardia di Finanzia, në Jug të Italisë, në Bari.
Altiero citohet nga gazeta franceze: “Në anën tjetër të Adriatikut justifikohen duke thënë se droga që kapim ne vjen nga prodhimi i viteve të kaluara. Por ne kemi studiuar përqindjet e principit aktiv të produktit me qëllim që të përcaktojmë moshën e tij. Dhe ne mendojmë se ai nuk është më i vjetër se gjashtë muaj”.