Policia u kontrollon zyrat, Dogana kërkon mandatin e Gjykatës. –
Policia u kontrollon zyrat, Dogana kërkon mandatin e Gjykatës
29 tetor 2019
Burime nga Drejtoria e Doganave në Tiranë thonë se prej dy orësh Policia e Shtetit ka rrethuar godinën dhe po ushtron kontroll në hyrje, dalje, brenda zyrave, madje në disa raste edhe kontroll fizik trupor të punonjësve.
Rasti duket i paprecedentë, por konfirmohet nga disa burime të kësaj drejtorie. Jo zyrtarisht doganierëve u është thënë që po ushtrohet kontroll për drogë.
Kontroll i ngjashëm është kryer ditën e djeshme në Doganën e Durrësit, sipas të njëjtave burime. Janë përdorur edhe qentë antidrogë, ndërsa është ushtruar kontroll edhe në paradhomën e drejtorit.
Zyrtarë të Doganave kanë kërkuar nga Policia një vendim gjykate për këto veprime, por ky vendim nuk u është paraqitur.
Sipas policisë aksioni është “vijim i planit të masave për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit, doganave dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë”.
Policia njofton se këto kontrolle janë “për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në tërësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike”.
Më poshtë pjesë nga deklarata:
“Në vijim të kontrollit të zhvilluar ditë më parë në Portin e Durrësit, mesditën e sotme kontrolli është përqëndruar në doganën e Tiranës, me qëllim kontrollin e personave që hyjnë dhe dalin në doganë, kontrollin e mjeteve dhe mallrave, si edhe të ambienteve dhe lokaleve përreth doganës.
Në operacion u përfshinë 200 forca policie nga FLO, DVP Tiranë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Për kontrollin e territorit krahas punonjësve të Policisë u përdorën drone dhe qen antidrogë. U kontrolluan 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme. Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 7 persona.
Policia e Shtetit do vijojë kontrollet në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital apo në numrin 112, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm”.
Në foto: Pamje nga oborri i Doganës, para disa momentesh
d.a. / dita