“Politika dështoi”. – KRIIK publikon konkluzionet paraprake për fushatën zgjedhore: – Nuk arritën të…
15 Maji 2023
Nga Gazeta Shqip
Në Qëndrimin Publik të publikuar në datën 8 maj 2023, KRIIK evidentoi se përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore shteti shqiptar dhe klasa politike vendimmarrëse nuk arritën të organizojnë një proces zgjedhor, i cili të jetë i ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve, duke dështuar të garantojnë që këta të fundit të mund të zgjedhin në 14 maj në mënyrë të lirë e të pandikuar. Ky vlerësim qëndron edhe për procesin në vijim, deri në ditën e zgjedhjeve.
Politika shqiptare sërish dështoi në tentativat për të reformuar kuadrin ligjor për zgjedhjet, duke mos kryer asnjë amendim dhe mos adresuar një numër rekomandimesh nga aktorët vendas dhe OSBE/ODIHR. Procesi reformues ishte sërish jo transparent, u zvarrit dhe nuk konkludoi në asnjë amendim, si pasojë e bllokimit politik të qëllimshëm.
Ndërsa kuadri ligjor garanton bazën për të mbajtur zgjedhje me standarde demokratike, përkthimi i normave ligjore në akte rregullatorë në frymën e kushtetutës dhe ligjit, vullneti për implementimin, si dhe vetë implementimi në praktikë, qoftë i legjislacionit drejtpërdrejtë, qoftë i akteve rregullatorë nënligjore, veçanërisht në raport me garantimin e mospërdorimit të burimeve shtetërore, mbulimin mediatik dhe përdorimin e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore, nuk ishte në linjë me frymën e asaj çka ligji garanton.
Mekanizmi për parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, edhe në këto zgjedhje u tregua të ishte jo efektiv në përmbushjen e qëllimit të tij, duke u shndërruar në një raportim rutinë të aktiviteteve institucionale. KQZ-ja pati një sukses të konsiderueshëm në ndërgjegjësimin e institucioneve publike për nevojën për të raportuar dhe respektuar afatet e raportimit, por të tjerë elementë më përmbajtësorë mbetën të pa-përmbushur.
Megjithëse u vendosën një sërë masash administrative për nëpunës apo kryetarë bashkish për përdorim të burimeve shtetërore, lloji i sjelljeve të sanksionuara dhe masa e sanksioneve u evidentuan të pamjaftueshëm qoftë për parandalimin e fenomenit, qoftë për frenimin sadopak të tij, si pasoj e një leximi të ngushtë të ligjit dhe fokusimit në elementë teknikë të tij.
Financimi i subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve vijon të jetë i paadresuar në mënyrën e duhur në ligj, ndërkohë që edhe tentativat për të disiplinuar dhe përmirësuar kontrollin e ardhshëm mbi të nëpërmjet përdorimit të teknologjisë (raportimit online të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve) qenë të cunguara dhe të vonuara. Raportimi online i shpenzimeve të subjekteve zgjedhore është i detyrueshëm për partitë politike, po jo i tillë për kandidatët.
Ndryshimi i adresës së rreth 1.3 milionë votuesve është një problematikë e këtij procesi zgjedhor. Ndërsa problematika është ngritur në raportet e auditëve teknicienë, nuk pati asnjë hap konkret nga KQZ-ja apo Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për një sqarim shterues të opinionit publik në lidhje me këtë çështje, si dhe as ndonjë fushatë ndërgjegjësimi të fokusuar specifikisht në thirrjen e qytetareve për të kontrolluar emrin në listë.
Procesi i saktë nëpërmjet të cilit qendrat e votimit janë rialokuar mbetet ende i paqartë, si rrjedhim i këtij mos sqarimi publik. Opozita ngriti shqetësime e pretendime se ky ndryshim i qendrave të votimit është bërë me qëllim për të penguar qytetarët të votojnë, duke ngritur dyshime në lidhje me integritetin e listës së zgjedhësve.
Fushata zgjedhore ishte e polarizuar dhe e dominuar qartësisht nga drejtuesit e partive politike në nivel qendror, të cilët në një masë të konsiderueshme kanë eklipsuar kandidatët lokalë dheproblematikat lokale. Kjo është e dukshme jo vetëm në dominimin e fushatës nga drejtuesit politikë në nivel qendror, por edhe në mungesën thuajse totale të kandidatëve për këshilla bashkiakë në fushatë, me përjashtime shumë të rralla.
Gjuha denigruese, sulmet dhe fyerjet personale ishin dominuese gjatë fushatës, duke e fokusuar më tepër diskursin gjatë fushatës në karakteristika personale të kandidatëve sesa në diskutime programore e argumente racionalë. Kundërshtarët politikë janë trajtuar nga shumica e partive, veçanërisht nga Partia Socialiste, Partia Demokratike, dhe Koalicioni Bashkë Fitojmë si armiq që duhet të eliminohen nga skena politike, sesa si kundërshtarë në një garë elektorale.
Veçanërisht problematike konsiderohen komentet intimiduese të Kryeministrit Rama, të përsëritura në vijim edhe nga të tjerë eksponentë të Partisë Socialiste, se qytetarët në bashkitë që do të zgjedhin kandidatët e opozitës nuk do të kenë investime, pasi nuk mund të ketë bashkëpunim mes qeverisjes qendrore dhe këtyre kandidatëve.
Fushata ka qenë e varfër në ide dhe thuajse në mungesë të programeve politike, me përjashtime të pakta. Përgjithësisht, pikat programatike ishin të fokusuara në projekte infrastrukturore, në disa raste edhe jashtë sferës së kompetencës së bashkive.
Pikat programatike tepër gjeneraliste të kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore (për ata që kanë patur të tilla) kanë injoruar thuajse totalisht politikat për mbështetjen dhe fuqizimin e grave apo politikat në mbështetje të grupeve vulnerabël, të tilla si personat me aftësi ndryshe, minoritetet, etj. Pavarësisht se partitë politike i kanë plotësuar detyrimet ligjore për plotësimin e kuotave gjinore në listat për kandidatë të këshillave bashkiakë (mospërmbushja e të cilave do të pamundësonte regjistrimin e listave shumëemërore), gratë kanë patur pak ose aspak vend në fushatë, me përjashtim të atyre grave që kandidojnë për kryebashkiake.
Maxhoranca në pushtet përdori burimet shtetërore dhe të tjera privilegje që vijnë nga të qenit në pushtet për avantazh elektoral përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore, si në nivel lokal dhe në nivel qendror, nëpërmjet nxjerrjes së akteve për mbështetjen e shtresave vulnerabël të shoqërisë, aplikimit dhe propagandimit të politikave për rritjen e pagave menjëherë përpara nisjes së fushatës, prezantimin apo inaugurimin e projekteve infrastrukturore, etj., me qëllim të qartë elektoral.
Nxjerrja e këtyre akteve ka qenë një nga temat kryesore të fushatës të maxhorancës. Nga ana tjetër, propagandimi i akteve që synojnë rritjen e rrogave ishte në fokus edhe të aktorëve institucionalë përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore, me një rritje të dukshme të intensitetit gjatë fushatës.
Ky koordinim në mesazhe dhe teknika të fushatës zgjedhore të kandidatëve të maxhorancës me mesazhet dhe teknikat e fushatës informuese të qeverisë në lidhje me politikat e reja është një tregues i qartë i qëllimit elektoral të këtyre akteve, sjellje e cila thuajse e eliminoi vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë politike në maxhorancë aktualisht.
Pretendimet e besueshme për përdorim të administratës publike si operativë politikë gjatë fushatës, organizimi i tyre për pjesëmarrje në evente fushate nga ana e drejtuesve përkatës, apo intimidimi për të votuar në një mënyrë të caktuar kanë qenë të pranishme gjatë gjithë fushatës.
Sistemi i patronazhimit politik, i sofistikuar në këto zgjedhje me përdorimin e aplikacionit “Aktivisti” nga Partia Socialiste për të kontrolluar veprimtarinë në rrjete sociale të përdoruesve të tij, përfshirë administratën publike, mbetet tejet shqetësues në lidhje me mundësinë që zgjedhësit të votojnë në mënyrë të pandikuar. KRIIK ngre shqetësimin se problematika madhore e përdorimit të burimeve shtetërore dhe administratës publike për avantazh elektoral, e cila sa vjen e konsolidohet dhe kryhet hapur do të ketë efekte afatgjata dhe potencialisht rrënuese për integritetin e zgjedhjeve në vend, duke mos u kufizuar në këto zgjedhje apo në ato të ardhmet.
Kjo pasi, sipas aspiratave të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020, duke nisur nga zgjedhjet parlamentare të ardhme pritet që administrata zgjedhore të jetë e pavarur dhe, me shumë gjasë, administruesit e zgjedhjeve në nivelin e dytë dhe të tretë do të vijnë pikërisht nga administrata publike.