21 Dhjetor 2024

Në një analizë të thellë dhe të mbushur me argumente, arkeologu Neritan Ceka në emisionin “Odeon” u pyet nga Egla Xhemalaj edhe mbi politizimin e arkeologjisë dhe keqinterpretimin e qëllimshëm të historisë shqiptare. Me një qasje kritike, Ceka theksoi se arkeologjia, një ndër shkencat më të ndikuara nga politika, është përdorur historikisht kundër shqiptarëve për të mohuar vazhdimësinë e tyre historike dhe lidhjen me ilirët.

Ceka vuri në pah teoritë absurde të huaja që kanë deformuar të vërtetën historike. “Teoria ka qenë që shqiptarët kanë ardhur nga kozmosi,” tha ai, duke iu referuar përpjekjeve serbe për të zhvendosur historinë e shqiptarëve në shekuj më të vonshëm, duke pretenduar se ilirët ishin zhdukur dhe shqiptarët shfaqen vetëm në shekullin XI. Në mënyrë të argumentuar, ai kundërshtoi këto teza, duke theksuar se vazhdimësia mes ilirëve dhe shqiptarëve është e bazuar jo vetëm në linguistikë, por edhe në të dhëna arkeologjike, si kultura e Komanit.

Ai përmendi kontributin e Hasan Cekës, i cili vulosi përfundimisht faktin që kultura e Komanit është një kulturë e hershme arbërore, duke shpjeguar: “Nuk është gjë tjetër veçse faza ndërmjetëse që lidh ilirët me shqiptarët.” Në këtë kontekst, Ceka argumentoi se mohimi i kësaj vazhdimësie nga disa qarqe shqiptare është një formë vetë-sabotimi. Sipas tij, disa intelektualë vendas, duke hedhur poshtë gjithçka që është thënë gjatë komunizmit, harrojnë se teoria e prejardhjes ilire të shqiptarëve nuk është një konstruksion ideologjik, por një tezë e mbështetur nga studiues të huaj si Leibnizi dhe Thunman që në shekullin e XVIII. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte kritika e tij ndaj ndikimit serb në narrativat shkencore. “Beogradi është një nga qendrat më të politizuara të arkeologjisë evropiane,” tha ai, duke theksuar se artikujt e botuar së fundmi në revista shkencore synojnë të mohojnë lidhjen e shqiptarëve me ilirët dhe kulturën e Komanit.

Ceka shprehu shqetësimin se këto narrativa të politizuara po gjejnë jehonë edhe në Shqipëri, duke cenuar seriozisht kërkimin shkencor objektiv. Sipas Cekës arkeologjia shqiptare duhet të jetë e bazuar në fakte dhe vazhdimësia kulturore nga ilirët te shqiptarët është një realitet që nuk mund të injorohet. “Në Shqipëri nuk ka asnjë kulturë të huaj ndërmjetëse… vazhdimësia është nga ilirët te shqiptarët,” tha Ceka, duke përmbledhur thelbin e argumentit të tij. Kritika e Cekës ndaj deformimit të historisë dhe vetë-mohimit shqiptar është një thirrje për të mbrojtur të vërtetën shkencore. Në një botë ku arkeologjia shpesh përdoret si mjet politik, Shqipëria duhet të angazhohet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e saj historike pa komplekse dhe pa ndikime të jashtme.

Syri tv.