Portret Artisti: Skënder Kamberi
Portret Artisti: Skënder Kamberi
Nga Ylli Drishti
Skënder Kamberi (Vlorë 02.02.1939) Piktor.
Skënder Kamberi është një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai ka lindur në qytetin e Vlorës në prag të luftës së dytë botërore (1939). Artisti pasi kryeu në Tiranë Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Institutin e Arteve, Tiranë në degën e pikturës, filloi rrugën artistike në qytetin e lindjes. Kamberi gjatë studimeve në Institutin e Arteve Figurative, ishte një student i veçantë, i talentuar dhe i pasionuar në ateljenë e piktorëve të njohur Danish Jukniu dhe Vilson Kilica. Pasi realizoi tablotë e para kompozicionale me temë nga lufta nac.–çl. dhe ngjarjet historike, Skënder Kamberi u evidentua në vitet ’70 – ‘80 të shekullit XX-të si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare edhe brenda rregullave të rrepta të realizmit socialist.
Pasuria ngjyruese e artistit, me impresionin që natyra lë mbi artistin, është një nga vlerat e Kamberit në artin pamor shqiptar të çerekut të fundit të shekullit të XX-të. Artisti u evidentua dhe u vlerësua për potencën dhe pasurinë koloristike, zgjidhjet interesante, të veçanta të temave të lashtësisë, të legjendave apo atyre aktuale. Pas studimeve piktori Skënder Kamberi ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale, në konkurset dhe ekspozitat kombëtare, ku shpesh është vlerësuar me çmime të para. Gjatë krijimtarisë së tij të gjatë Skënder Kamberi ka realizuar mbi 1400 punime në gjini të ndryshme (kompozim, portret, pejzazh, natyra të qeta, grafika, vizatime etj). Krijimtaria e tij ndahet në dy periudha. Periudha e parë i përket viteve 1965-1990, ndërsa periudha e dytë përfshin krijimtarinë e piktorit mbas viteve’90 e në vazhdim. Në tablotë e tij gjatë periudhës së parë, e cila u zhvillua gjatë periudhës së Realizmit Socialist, piktori Kamberi ka trajtuar temën historike, të Luftës Nac.-çl. dhe atë aktuale të kohës (klasës punëtore, fshatarësisë, të rinisë, ushtrisë) e aspekte të tjera të jetës së asaj periudhe. Nga veprat e tij të kësaj periudhe mund të kujtojmë kompozimet: “Nëndetëset kthehen në bazë” (1968. GKA, Tiranë), “Betimi i Vrana Kontit” (1968, GKA, Tiranë), “Kapedani Sali Vranishti”(1972), “Natë me hënë në Kallarat”(1970), “Portret gruaje”(1974), “Dimër në Llogara”(1974).”Buka e duarve tona” (1976, GKA,Tiranë),“Vjeshtë në bregdet” (1976 ,GKA,Tiranë), etj. E veçanta e piktorit Skënder Kamberi, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, ishte larmia e zgjidhjeve kompozicionale në tablotë e tij, këndvështrimet kompozicionle interesante ku mbizotëronte prirja e tij drejt një tabloje monumentale. Në tablotë e kësaj periudhe ndjehet kërkimi i një pasurie koloristike nga tabloja në tablo. Në periudhën e pas viteve ’90 e në vazhdim, vëmë re se piktori mbetet përsëri një piktor figurativ i cili synon drejt futjes në tablotë e tij të figurave apo elementeve simbolike. Në tablotë e realizuara në këtë periudhë ka më shumë ekspresion, ngjyrat janë me karakter me dekorativ, subjektet e zgjedhura janë ato social & politike (dhimbja për vështirësitë që kalon populli në tranzicion, dënimi i dhunës dhe luftës, tema e eksodit dhe emigracionit etj.). Në punimet e kësaj periudhe ndjehet që piktori është gjithmonë në kërkim të mjeteve dhe formave të reja figurative. Në 1996 (mars) piktori Skënder Kamberi çeli ekspozitën e tij të tretë personale pas viteve ’90 (pasi e ka çelur atë në Vlorë dhe në Leçe – Itali) me 76 punime në vaj e grafikë. Ndër punimet e kësaj ekspozite janë edhe tablotë “Ku po shkon”,“Gjiri i detit”,“Varkat në lundrim”,“Perëndim në det”,“Vajza e valëve”,“Eksodi”,“Dhimbja e nënës” etj.
Gjatë viteve 1968-1973, në Shqipëri kemi një periudhë liberalizimi në jetën artistike dhe politike në përgjithësi, fenomen që u ndje edhe në ekspozitat kombëtare të arteve figurative, të kohës në Tiranë. Skënder Kamberi në këto vite realizoi tablonë ‘Demostrata e bukës, 1942” (1971) ku ndjehet qartë prirja e tij ekspresioniste. Kjo liri shprehjeje u censurua, u ndalua dhe u dënua me forcë nga udhëheqja komuniste shqiptare – nga Enver Hoxha në Pleniumin e IV të PPSH (qershor 1973). Pas Plenumit IV-të të KQ të PPSH, situata në tërësi ishte tepër e ngarkuar dhe u nxit dhe u forcua më shumë lufta e klasave. Mbas vitit 1973 arti i pikturës në Shqipëri ndryshoi për të gjithe piktorët. Ishte e rrezikshme të kishe influenca të artit modern perëndimor. Krijimtaria e piktorit Kamberi në këto vite alternohet ndërmjet kompozimeve historike, atyre me temë të ditës dhe peizazheve nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Disa prej kompozimeve të tij u pritën me entuziazëm nga kritika e kohës si: “Buka e duarve tona”, (1976, GKA,Tiranë), “Më vjen sikur pashë Skënderbenë”, (1978). Tabloja “Buka e duarve tona” u vlerësua si një nga veprat kryesore në krijimtarinë e artistit.
Ajo që vihet re në kompozimet e artistit, që mund të ketë rëndësi ishte prirja e tij e fuqishme për t’ju shmangur sa të ishte e mundur pikturës ilustrative. Tipari kryesor që e dalloi piktorin Skënder Kamberi nga disa artistë të tjerë shqiptarë ishte pasioni i tij i madh për artin, këmbëngulja për të mos bërë kompromise, elementë që ndikuan në konsolidimin e një stili piktorik origjinal.
Zhvillimi i stilit piktorik i Skënder Kamberit u arrit nëpërmjet dy rrugëve që zakonisht ndiqnin artistët shqiptarë në kushtet e izolimit për njohjen dhe komunikimit me artin që realizohej jashtë shqipërisë. Nga njëra anë ishte këmbëngulja pasionante nëpërmjet një pune eksperimentuese individuale në studio e artistit, i rrethuar nga idetë, temat, dashuria për pikturën dhe antikonformizmi. Nga ana tjetër ishte përpjekja për gjetjen e mundësive të zgjerimit të horizontit kulturor në kushtet e një shteti totalitar të izoluar, duke shfrytëzuar udhëtimet e pakta jashtë Shqipërisë, literaturën e mundëshme të arteve pamore që ndodhej dhe hynte në Shqipëri në disa biblioteka, si dhe botimet e ndryshme që i dhuronin miqtë.
Piktori Skënder Kamberi mbetet një mjeshtër i tablove kompozicionale në artin shqiptar të shekullit XX. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë ruhen tridhjetë e katër punime të piktorit. Në Galerinë e Arteve, Vlorë ndodhen 53 punime të artistit. Vepra të tjera të piktorit Skënder Kamberi ndodhen në Galerinë e Arteve, Gjirokastër, në Muzeun e Tepelenës, në Muzeun Historik Kombetar Tirane etj.