PORTRET I PAAUTORIZUAR PËR NJË SKULPTOR… DHE MIK: Ferid Kola
PORTRET I PAAUTORIZUAR PËR NJË SKULPTOR… DHE MIK: Ferid Kola
Nga Albert Vataj
Ferid Kola, ngjizësi i kujtesës së krenarisë kombëtare me tharmin e përjetësisë
Shkodra nuk është dhe nuk duhet të krekoset në madhështinë e mburrjes së historisë së saj, të shkuarës lartësuar në lavdinë e korifejve, ajo është vetë gjeneza e krenarisë. Ajo nuk ka pranuar kurrë të ndalojë. Pulson në zemrat e gufon në shpirtrat që mëkoi si një perëndeshë. Atëherë kur vërshimin e këtij ritmi nuk mund ta dëgjosh, provo të ecësh në rrugën që shtegton ajo, e do të shohësh se si të përpinë tërbimi i saj. E ndërsa kërkon një kreshtë të kësaj dallge, nga ato që cekin për lart, mbërrije dhe kaluar mbi të gjej bregun e prehjes dhe bindjes, se Shkodra ka qenë, është dhe do të mbetet, sepse ata që jetuan dhe jetojnë me të dhanë dhe japin prej vetes, ata janë të shumë, një prej tyre padyshim është dhe skulptori
Atë, Ferid Kolën nuk mund ta gjesh në podiume e plate, por nuk mungon në asnjë tubim të fjalës poetike.
Ai nuk është në panele të ftuarish VIP të televizioneve prestigjoze, por nuk ka nguruar të japë prej kohës së tij, atë më të çmuarën për ambientin.
Refuzon me insistim të pjesëmarrë në kremtet hijerënda shtirjesh burrokratike të zelltarëve e zuzarëve, por fjalën atërore dhe këshillën e tij prej mjeshtri nuk i’a kursen çdo përuljeje dhe nevojë për nxënie.
Nuk është askund ku ti e kërkon, por është gjithkund ku pulsi i ritmit të Shkodrës, së këtij qyteti bëmash e bujash, krenarie e zotnilleku, kumton si një dëshirim i përkorë dhe si më e epërmja e drejtë legjitimiteti mëtues përsosmërie.
Ferid Kola,ndoshta për shumëkënd ky emër nuk grish, por për ata që kanë ndonjë lidhje me skulpturën, me Shkodrën, natyrisht që nuk mund të mos kenë dëgjuar për të.
Vitet te ky njeri janë thjeshtë një dimension kohor, kurrsesi nënshtrim, bindje përulëse ndaj huqeve të shëndetit.
Një burrë shtatshkurtër pershkon rrugët e rrugicat e qytetit verior me krekosjen e një koke të zbardhur dhe hajthjen e shkujdesur të trupit që nuk i’a ka përthyer asnjë zgjedhë, jo më mosha. Shfaqet e fashitet në gumëzhimin e Shkodrës ledhatare, shpesh i shoqëruar nga bashkëshortja, por edhe nga kolegët dhe miq që i ka të shumtë.
Nëse kureshtja ju nguc të dini se kush është Ferid Kola, më mirë se ai mund të të tregojë puna e tij krijuese si skulptor. Kaploi dy regjime për të mbetur një duarartë i traditës sonë të skulpturës. Shtatorja e Luigj Gurakuqit e vendosur në qendër të qytetit të Shkodrës është një punë, me të cilën ai nuk kërkon të mburret më shumë se sa me, Mbretin Gent, “Heronjtë e Vigut”, ku bashkëpunoi me Skulptorin Popullit, Shaban Hadëri, me Prek Calin, monumentin e martirëve të demokracisë At Daniel Dajani dhe At Xhovani Fausti, me bustin e At Gjergj Fishtes, At Zef Pllumit, Skënderbeu, Aleksandër Moisiu, etj. etj, sepse çdonjëra ndër ta ka lindur dhe marrë jetë prej jetës së tij. Një dëshirim të ënshëm ai ka blatuar për secilin nga ngjizjet e tij dhe gji nga ai i qiellores së shpirtit i ka mëkuar të hyjshmen të çdo gjallimi në gur, mermer, metal apo dru. Prej “përplasjeve të tij galaktike” është ngjizur dhe marrë trajtë çdo çast, dhe në çdo thërrmijë të këtij, ai ka shkrepëtirë dhe krijuar. Sepse për secilin prej punëve ai ka vuajtur, ka sfiduar ngadhënjyes, është mrekulluar. Ai,
ka ngjizur në shkëmb, allçi, bronx, alabastër, dru, beton, jetë të fikura në zgafellën e harrimit, i ka dhënë frymë nga fryma e tij e në këtë rijetësim. Duart e tij të ashpra si zgjatim i rrënjëve të një peme epike, e mbrujnë baltën e krijimi me të njëjtin pasion që shpërblesa jonë u gatua në havanin etern.
E ngjesh ëndjen dhe shpirtin të përzier me lëndë përjetësie, me tërbim e ledhati, e njom me djersë e me lot, e nder në diell dhe adhurim, për ta mëtuar në trajtë, në gjendje, në frymë.
Orë të gjata pune rraskapitëse ai i rrethvjen si një shtjellë krijimit dhe si pakuptuar e kundron, se si prej asaj përpjekje derdh në ngurtësim një jetë të gjallë. Ai ndjen pulsin se si i rreh asaj behje që e përsosë duke e ledhatuar.
Eshtë aty me kohën që përpiqet ta vërë përfundi, me ikjen që ndalon ndërsa duart e tij zgjaten, e dëshirimi në të merr formë çfarë kërkon ta mbajë duke i kunguar nga e shtrenjta, shenjtëria e artit të tij.
Më shumë se sa me kohën ai është në sfidë me harresën, atë zemëratë që kërkon të na i shkulë binatë e krenarisë nga rrënjët, si një stuhi e përbinshme. Mjeshtri e ndalon procesin shndërrues të erozionit dhe ashtu me një solemnitet heroik, i vë përballë njeriun si një ndalesë, i tregon duart dhe kungon shpirtin idilit të dëshirimit krijues. Hyn dhe del brenda trajtave, mëtimeve dhe ideve, shket në linja e profile, rrëzohet në lartësi dhe epje. E… i mplekset gjendjes për të gjetur tek asgjëja çdo nerv dhe damar, ballë mendues, sy të thellë, shprehi, dhe… rikthim të gjithçkasë në çastin sublim, në atë shtresëzim qiellor ku behin të gjitha amshimet, që një dritë e brendshme bën që ata të shndijnë.
Ferid Kola, është më shumë se skulptor e kurator, endës i idesë në jetë që rizgjohet, është shkodrani fisnik, është një mylmesë e andshme e asaj dëshire që i gjallon Shkodrës në çdo frymëmarrje, në çdo çapitje hapi, në çdo behje qi njom buzët në gjinin e legjendës, lan sytë në Bunën ledhatare e kotet ëndjesh marroke kah pamjen e ther; Taraboshi, Maranaj e Cukali.
Ai është një copë e Shkodrës, një prej atyre që ngop shpirtin.