Portret studiusi: – Nikoll Kimza. –
Portret studiusi: – Nikoll Kimza.
Kimza është një fshat në lartësitë e Spaçit, në shpinë të Munellës. Prej andej rridhte Dom Nikoll Kimza, që kishte lindur në Gjakovë me 20 gusht 1878.
Kur ishte 14-vjeç fillon mësimet si nxënës në kolegjin Papnor të Shkodrës në vitin 1892. Nuk dimë gjë zyrtarisht të ketë vijuar studimet e larta në Romë a diku tjetër për teologji apo filozofi.
Është 27-vjeç kur thotë meshën e parë në Kallmet (Lezhë) me 21 gusht 1905. Vazhdon rrugën e lodhshme e të gjatë të meshtarisë për më shumë se një gjysëm shekulli. Jeta e këtij prelati është një roman në vete, nga më interesantët.
Për 27 vjet rresht shërben si Meshtar në kishat e Bulgrit dhe Velës, në varësi kishtare nga Ipeshkëvia e Lezhës. Më pas, për rreth 15 vjet gjendet famullitar i Kalivares, në Abaci të Mirditës. Në vitin 1947 ndodhet i arrestuar në burgun e Shkodrës me 12 meshtarë të tjerë, duke qenë i dërguar për pak kohë si i dënuar edhe në tharjen e kënetës së Maliqit. Lirohet dhe kthehet në famullinë e tij të Kalivarës, por tashmë i pasigurtë për vazhdimin e misionit të tij apostolik dhe të veprimtarisë gjurmuse e studimore në lëmë të historisë, ku kishte spikatur qysh herët. I sëmurë, i moshuar detyrohet të lërë atdheun me brengë në shpirt dhe të strehohet përkohësisht në Jugosllavi derisa vendoset në Romë, ku do të mbyllë sytë në vitin 1960. Sipas një burimi gojor, arkivoli me trupin e pajetë të “Priftit të Maleve”, siç e thërrisnin në Mirditë, sillet në Durrës për tu varrosur në Kimëz, por kjo nuk qe e mundur.
Shteti i vendit amë i kapërthyer nga ethet dhe dallditë e kampit të trazuar socialist, sidomos në vitet \’60-të nuk gjeti kohë të mendohej e të tregohej human për t\’ia lejuar varrin në atdhe njërit prej atdhetarëve më të shquar të Rilindjes e më pas. Si në një “Odise” kufoma e tij kthehet sërish nëpër det për t\’u prehur në tokë të huaj. Kurse shpirti i kishte mbetur këtej për t\’u endur “zog i lirë” kreshtave të Mirditës.
Tri janë përmasat e kësaj figure të lënë në harresë: Atdhetar i shquar, Misionar i përvujtë, Historian i spikatur, pa lënë mënjëanë ndihmesën në publicistik, poezi, gjuhësi etj.
Bir i një familje të njohur Dheut të Spaçit (E përmendet për “bujari, trimëri e atdhetari”, “e çuditshme e shumë e popullarizueme”, e mbështjellë me “njëmijë gojdhëna të mitologjisë”), i mbrujtur që në vegjëli me ndjenja kombëtare. Nikoll Kimza do të dinte të integrohej në lëvizjen e madhe të Rilindjes, në shoqëri shkolle e bashkëpunimi me Luigj Gurakuqin, këtë pionier të evropianizimit dhe modernitetit shqiptar në fillimet e këtij shekulli; në bashkëveprim me figura të tilla si Abat P. Doçi, Monsinjor Luigj Bumçi, Prijësin Prengë Bibë Doda luftëtarin legjendar Kolë Toma i Velës etj.
Famullitë e Bulgrit (Rubik), Velës dhe Kalivares qenë gjithëherë fole të shqiptarizmës, nga buçisnin idetë, memorandumet e Rilindjes dhe Pavarsisë, siç qenë njëherësh çerdhe diturie e gjurmimesh historike. Në shumë promemorie historike të krerëve dhe popullit të Lezhës e Mirditës të periudhës 1910-1920 është autorsia dhe nënshkrimi i Dom Nikoll Kimzës, ashtu si dhe në disa kronika të kohës. Në qelën e tij strehohet si prifti atdhetar Dom Pashk Krasniqi, si paria myslimane e Lezhës, kur këta sulmoheshin nga Serbët në vitin 1915. Kimza atdhetar bashkëpunonte me At Pal Dodën. Priste e përcillte Bajram Currin herë pas here dhe duke u shprehur se s\’kishte hasë në Shqiptar ma t\’shtruem, ma gojëambël e të dashtun…
Roli i tij atdhetar nuk mund të kalonte pa u ndëshkuar. Më 1912 në luftën e Shkodrës kundër Malazezëve N. Kimza zihet rob nga Esat Pasha dhe burgoset.
Në vitin 1919 duke qënë prift në Bulgër me cilësinë e delegatit Ipeshkvnor të Lezhës nënshkruan në një protestë të popullit dhe 12 bajrakëve të Mirditës drejtuar Konferencës së Paqes në Paris kundër pretendimeve shoviniste jugosllave për pushtimin e Shkodrës e mbarë Veriut. Protesta vendoset në kuvendin e Kallmetit të atij viti, pas një kuvendi të mbajtur në Shpal po për atë qëllim.
Kërkohet e drejta e Shqipërisë për t\’iu ruajtur pavarësia, dëshmohet vullneti për të ruajtur me çdo kusht Shkodrën që sipas tekstit të dokumentit “ka qenë kudoherë kryeqyteti i Shqipërisë”. Bie në sy stili elegant, i moderuar etika e të shkruarit, sensi diplomatik. Po në vitin 1919 ndodh vrasja e Princit të Mirditës Prengë Bib Doda, dhe meshën e rastit e thotë Dom Nikoll Kimza, mëkëmbës i Ipeshkvit të Lezhës, në kishën e Shën\’Kollit, i ndihmuar nga famullitari i qytetit. Kështu përvijohet portreti i Dom Nikoll Kimzës. Njeri me karakter të fortë, krenar nga natyra dhe i paepur në virtyte e qëndrime, që s\’mund të pajtohej me heshtjen kur s\’duhej folur, i cili jo rastësisht në rrethanat e krijuara në vitet \’50-te do të kërkonte rrugë të reja për të realizuar personalitetin e tij në liri edhe pse mosha e shëndeti nuk ishin në favor të tij.
Profili prej dijetari i Dom Nikoll Kimzës ka gjithashtu të veçantën e vet. Shtysa për t\’u marrë me traditën, gjuhën, doket, historinë e trevës së Mirditës dhe më gjërë lidhej me mosbjerrjen e tyre, si vlera të spikatura të identitetit kombëtar, por edhe me përfshirijen e shumë dijetarëve të Rilindjes jo vetëm në një fushë veprim a dije, por në disa njëherësh, si në rastin e Shtjefën Gjeçovit, Ndre Mjedës, Nikoll Kaçorrit etj.
Dom Nikoll Kimza fillon të shkruajë herët. Disa shkrime publicistike i nënshkruan me pseudonimin “Munella”, të paktën që nga viti 1919. Dhe pse herë pas here përcjell kronika kryesisht për jetën famullitare të Mirditës ai nuk shquhet si publicit.
Pasioni i tij do të ishte historia, ku fillon të publikojë në fillim të viteve \’20-të e veçanërisht në vitet \’30-të kur ka arritur dhe pjekurinë e plotë të historianit. Tribuna kryesore e publikimeve të tij në lëmin e historisë është revista e mirënjohur “Hylli i Dritës”.
Objekt parësor i studimeve të Kimzës ka qenë treva e Mirditës (origjina dhe lashtësia, kanuni dhe struktura vetëqeverisëse, gjuha, kultura, Gjomarkajt dhe prejardhja e tyre, figurat e luftëtarëve popullorë Dedë Gjo Luli, Kol Toma e të tjerë, vjetërsia e objekteve të kultit me vlerë unikale), po edhe prejardhja e Kastriotëve, hershmëria e Tiranës etj.
Disa nga shkrimet historike të Kimzës më të përmendura janë: Ç\’na thotë gojëdhëna mbi vjetërsinë e Mirditës (1933), Hetime mbi vjetërsinë e rrjedhën e derës Gjomarkaj e Mirditës (1937), Tirana (1937), Cika e pyetje historike (1939), Nji kumbonë e vjetër në ma t’vjetrën famulli (1939) si dhe korrespondenca të natyrës publicistike.
Një nga temat shkencore kryesore të Kimzës është se krahina e Mirditës dhe disa të tjera i kanë përfituar “privilegjet” e njohura (të drejtën për të mbajtur armë, mospagimin e taksave, ruajtjen e fesë katolike) qysh në kohët e para të pushtimit turk.
Këto krahina kanë marrë pjesë në luftrat ngadhnjimtare të kohës së Skënderbeut. Duke marrë shkas nga shkrimi i Sali Vuçiternit, në të cilin preken dhe probleme të historisë së Mirditës.
Kimza jo vetëm polemizon, po edhe thellohet në argumentet historikë. Parapëlqen të niset nga gojëdhanat e njohura për ngjizjen e fiseve të Shqipërisë së Epër (Malësia e Gjakovës, Dukagjinit, Mirdita, Puka, Malësia e Lezhës etj), por pa mbetur në caqet e tyre.
Sa për periudhën e mesjetës, “pështjellimin e madh fiseve shqiptare ua pru pushtimi otoman në shekujt XV dhe XIV”, gjë që bëri që “shumica u pështjelluen e u harruen tue i\’u ndërhy të tjera, e veç mbet Gjuha Shqipe, edhe kjo e taralangëzueme” nga turqizmat etj. Nji pakicë e popullit mbeti ndër male, e kjo ma fort ruejti zakone, fise e gojdhana gati si i pat përpara, e këtë e shohim qartë për shembull n\’gjuhën shqipe, që e pastër e krejt moçme, e pa fjalë të hueja, gjindet ndër disa qendra t\’popullit të Malsisë, ç\’ka nuk mund të thuhet për qendra të tjera të vendit.
Për të ilustruar më tej idetë e tij historiani i referohet posaçërisht Mirditës: “Nji n\’ma t\’mdhanat qendra katolike ka kenë dhe asht populli i Mirditës, prandej çka pru ky popull për gjuhë, zakone, fise e gojdhana, gjindet thjesht kombëtare e përkon me t\’vjetrat shqiptare, e kndei n\’çdo pikpamje asht ma e besueshme”.
Përfundimet në të cilat arrin Kimza ishin fryt i njohjes së thellë së historisë së Shqipërisë dhe asaj të Mirditës në veçanti, i trajtimit të problemeve pa anësi. Në se tek Zef Mark Arapi apo autorë të tjerë shkrimesh historike për trevën e Mirditës bie në sy stili përshkrues e analitik, Kimza preferon sintezën dhe jo shqyrtimin e çështjeve konkrete.
Duket se historia si dije ishte akumuluar brenda tij në të gjithë raven e vet nëpër shekuj duke i dhënë mundësi historianit të gjykojë pa vështirësi. Nuk është e rastit që ai është ndoshta historiani më i preferuar në kohën e vet. Kjo edhe më vonë kur ka qënë fjala për probleme dhe aspekte të historisë së Mirditës. Ndonëse jo të shumta, shkrimet e tij paraqesin interes për traditën e krishtenë të Mirditës, me lëndë historike të qëmtuara nga ai vetë, ku operohet mirë me gojëdhënat.
Asnjëherë Nikoll Kimza nuk shkruan pa patur për të thënë diçka. Ai ishte i pajisur me kulturë historike e stil konçiz. Ishte ithtar i së vërtetës.
Në vitet \’50-të, në moshën 80-vjeçare prifti dijetar nuk e kishte lënë mënjanë lapsin. Përkundrazi tani shkruante e vetëm shkruante. Ka shkruar “Kujtimet e burgut” që ka qënë lexuar nga bashkëkohësit në mërgim. Kurse në Italisht shkroi veprën historike “Apunti storici Albanesi-Mirdita e il suo principe” dhe “Albania e l\’Occidente”, të dyja në dorëshkrim. Keto i kishte përfunduar deri në vitin 1956, por ende nuk i dimë titujt e dorëshkrimeve të mëvonëshme.
Një autor që shkruan me pseudonimin “LACI” në artikullin “Dom Nikoll Kimza”, TRUTH (of the Indipendent National Block might), një organ i diasporës në mesin e viteve \’50-të, më 20 korrik 1956 shkruan: “Dom Nikolli i asht shpërvjelë punës në kët pleqni të shqetësueme dhe tue përdor shkndillin poetik po shkruan vjersha atdhetare, didaktike e fetare, origjinale ose të përkthyeme prej latinishtes, gjithashtu pikpamjet e veta për unjisimin në prozë.
Veprimtaria e tashme historike e letrave të Dom Nikollit nuk mund të ndahet prej prodhimtarisë së tij të hershme në këto lamije: më 1915 bashkë me Xanonin boton në ndërmarrjen “Vepra Pijore” tregimin ” Dy pasqyra”, më 1917 nxjerr në dritë tregimin e pikëllueshëm “E vorfna e i verbti” qi qenë përdorë ndë shkolla.
Mandej në “Kumbona e së diellës”, në “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, në “Hylli i Dritës”, dhe në “Leka” trajtonte vijimisht subjekte fetare, historike, kanuje e folkloristike.
Bashkëpunoi dhe në përpilimin e fjalorit italisht-shqip të “Padër Cordignanos”.
LACI thotë se Kimza “personifikon jetën e Shqipnisë” dhe se është me “trashëgimi të sigurt”. Por trashëgimia e tij historiko-letrare ende nuk është mbledhur e botuar, aq më tepër që nuk i dihet fati i dorëshkrimeve të mërgimit, që përbëjnë dhe volumin më të madh shkrimor. Dom Nikoll Kimza në vjershën e gjatë testament “Lot Mërgimi” shpreh besimin se Shqipëria do ta ndryshojë rrjedhën e historisë ku ishte përfshirë dhe prapë do të ishte ajo që kishte qenë “Nanë herojnsh prej kohëve të motit”.
Huazuar nga: www.mirditaonline.net