“Portreti i Dora Maar”,një hetues pretendon të ketë gjetur pikturën e vjedhur të Picassos. –

Një hetues i krimeve të artit në Holandë të martën ka thënë se kishte rimarrë pikturën e vitit 1938 të Pablo Picassos, “Portreti i Dora Maar”, e cila ishte vjedhur nga jahti i pronarit të saj arab në jug të Francës në vitin 1999.

Arthur Brand, një agjent i pavarur i artit me seli në Amsterdam, ia dorëzoi pikturën një kompanie sigurimi dy javë më parë. Ai ka thënë se po përpiqej të gjente pikturën e Picassos që nga viti 2015, por të gjitha pistat e tij nuk e çuan askund.

Më herët gjatë këtij muaji ka thënë të jetë kontaktuar nga “dy persona që kanë kontakte me botën e krimit” dhe i kanë thënë se piktura ishte në Holandë.

Më kanë thënë se ‘është në duart e një biznesmeni i cili e ka marrë atë si pagesë, dhe ai nuk di ç’të bëjë me të’”, ka thënë Brand në një intervistë. “Kam biseduar me ata dy persona dhe kemi bërë një plan për ta marrë pikturën nga duart e atij që e mbante”.

Të dyja kontaktet e tij, të cilat nuk pranon t’i përmendë, sipas tij, ia kanë sjellë pikturën në shtëpi në dy qese plastike të mbeturinave. “Ata e sollën atë drejt e në derën time”, ka thënë ai, përcjellë Koha.net

Brand ka thënë se ata pas një dollie e varën pikturën e Picassos në mur. “Kërkesa ishte shumë e madhe. Unë nuk mund të rezistoja”, ka thënë ai. Ditën tjetër, një specialist i veprave të Picassos nga galeria “Pace” në New York fluturoi për në Holandë për ta kontrolluar pikturën, dhe sipas Brandit e verifikoi origjinalitetin e saj. E një zëdhënës i Galerisë nuk ka pranuar ta komentojë rastin.

Brand e ka kthyer pikturën te një detektiv britanik në pension, Dik Ellis, themelues i skuadrës së artit dhe antikiteteve në “Scotland Yard”, që tani është përfaqësues i një kompanie sigurimi që Brand nuk pranoi ta përmendë me emër. Ellis, i cili nuk iu përgjigj kërkesave për komente i ka thënë AFP-së: “Nuk ka dyshim se kjo vepër e Picassos është vjedhur”.

Subjekti i portretit të Picassos, Dora Maar, ishte një fotografe franceze, piktore, poete dhe një nga të dashurat e artistit. Ai e portretizoi atë në shumë piktura dhe vizatime. Punimi i takon vitit 1938 dhe me sa duket ishte ndër më të preferuarit e artistit pasi atë e mbajti në koleksionin e tij privat derisa vdiq.

Brand ka thënë se kjo ishte një nga arsyet që e bëri zbulimin të vështirë.

Nuk u ekspozua kurrë, nuk kishte pothuajse asnjë fotografi të saj dhe nuk kishte qenë kurrë në një muze”, ka thënë ai. “Picasso është një nga artistët më të vjedhur”.

Pronari i dikurshëm, në vitin 1999 ishte një miliarder arab, Sheik Abdul Mohsen, i cili e kishte atë në jahtin e tij luksoz në Antibes në Francë, ku edhe u vodh. Brand ka thënë se ndoshta vepra erdhi në Holandë si “pagesë për drogë ose për marrëveshje armësh”.

Brand ka thënë se ndoshta nuk do të marrë asnjë pagesë për punën që ka bërë. “Në atë kohë kishte një shpërblim të ofruar prej 400 mijë eurosh dhe nuk e di nëse shpërblimi do të paguhet”, ka thënë ai “Nëse ka një shpërblim, ai duhet të shkojë tek njerëzit që e kanë sjellë atë. Shpërblimi im ishte që të kisha një pikturë të Picassos në mur për një natë. Mund t’ju them se ishte e mrekullueshme

burimi:  The New York Times

v.l/ Dita