Prag lufte në Jerusalem, shpërthejnë sërish trazirat mes izraelitëve dhe palestinezëve
Policia izraelite ka blinduar Jerusalemin në mes të frikës për trazira të dhunshme me palestinezët për shkak të një feste kombëtare për çlirimin e Jerusalemit lindor. Tensionet e para filluan kur një deputet vizitoi një lagje myslimanësh, të cilët u përgjigjën me gurë e fishekzjarrë.
Tre mijë policë izraelitë janë vendosur në të gjithë Jerusalemin, pasi trazirat rifilluan sërish të dielën.
Një ligjvënës i ekstremit të djathtë, i shoqëruar nga disa mbështetës ultranacionalistë kanë hyrë në Jerusalem në një lagje myslimanësh për një marshim për ditën kur Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor në 1967-n gjatë luftës 6-ditore.
Kjo ka mjaftuar që palestinezët të hedhin gurë e fishekzjarrë kundër policisë izraelite.
Marshimi masiv ultranacionalist izraelit mbahet në lagjen myslimane në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit.
Vitin e kaluar, ky marshim nxiti një luftë 11-ditore midis Izraelit dhe militantëve të Gazës.
Hamasi u bëri thirrje palestinezëve që të mbrojnë vendet e tyre të shenjta, qoftë islame apo të krishtera.
Organizata u tha qytetarëve të tyre që të valëvisin kudo flamurin palestinez, për të theksuar identitetin arab.
Forcat e sigurisë janë në gatishmëri të lartë, si pasojë e rrezikut të sulmeve me raketa nga Gaza dhe Libani, apo edhe përleshjet e dhunshme fizike.
Tv Oranews