8 Maji 2023

Nga RigelsI SELIMAN

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duket se ka turbulluar ujërat në klasën politike shqiptare. Goditjet në radhët e socialistëve hodhën në sulm kryeministrin Edi Rama, ndërsa prej vitesh të tëra SPAK po sulmohet si nga Sali Berisha ashtu dhe nga Ilir Meta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua kanë bërë të qartë të gjithëve se nuk kanë punë të ndërhyjnë në punët e drejtësisë, pasi Prokuroria e Posaçme gëzon besimin e tyre, çka do të thotë se Uashingtoni mbështet fuqishëm luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar. Por pyetja që shtrohet është: Pse janë trembur të gjithë? Edhe pse deri më sot nuk kemi parë ndonjë lëvizje shumë të bujshme nga SPAK, në duart e organit të akuzës janë një sërë dosjesh të rëndësishme, që nëse hetohen si duhet mund të shkundin piramidën politike shqiptare, ku goditja më e madhe pritet të jetë për qeverinë “Rama”, teksa disa nga ministra aktualë janë nën ankthin e prangave, për shkak se akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Të rrezikuar 3 ministra të Ramës

Më konkretisht ministrja e parë që rrezikohet është ajo e Bujqësisë, Frida Krifca. Gazeta “SOT” e raportoi pak muaj më parë se OLAF, zyra e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit në operacionet e saj ka kapur shkelje në shpërndarjen e fondeve të BE nga AZHBR, të cilat nuk kanë shkuar për fermerët, por në qoka për pushtetarët. Në këtë skemë del emri i Frida Krifcës, e cila akuzohet për afera të rënda. Në lidhje me çështjen e OLAF, sipas burimeve, një raport i kësaj strukture mësohet se është paraqitur pranë zyrave të SPAK me vërejtjet dhe gjetjet përkatëse në përdorimin e fondeve nga AZHBR, çka tregon se nëse hetimet thellohen, Krifca rrezikohet.  Po ashtu, edhe ministra e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku është paditur nga opozita në Prokurorinë Speciale për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit. Po ashtu, Balluku akuzohet edhe për disa tendera rrugësh. Ndërkohë një tjetër ministre që rrezikohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit akuzohet se ka shpërdorur detyrën me koncesionet në shëndetësi, ndërkohë që duke qenë se në gjithë botën kanë plasur arrestime zyrtarësh për shkak se ka pasur abuzime me vaksinat anti-Covid, thuhet se edhe ministrja Manastirliu rrezikon të hetohet për shkak se dyshohet se ka abuzuar. Pra, nisur nga fakti që lista e dosjeve po ziejnë në organin e akuzës, mësohet se këto 3 ministre i presin prangat e SPAK.

Hetimet për Ahmetajn

Nga ana tjetër, dosja më e freskët është ajo e inceneratorëve. Deri tani kemi Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon të arrestuar, por sinjalet janë se mund të ketë emra të tjerë që rrezikohen, sikundër është ish-z/kryeministri Arben Ahmetaj. Pas disa muajsh verifikime, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e ish-ministrin socialist, Arben Ahmetaj, si person nën hetim. Sipas burimeve, pranë SPAK, ish-zyrtari i lartë po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, “fshehje të të ardhurave”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”. Hetimi penal ndaj tij është bashkim i hetimeve të mëparshme. I pari, është një hetim i ndarë nga dosja hetimore për inceneratorin e Elbasanit.  Në të po hetohej mundësia e përfshirjes në paligjshmëri të ish-ministrit në procedurën e kalimit për miratim në Këshillin e Ministrave të projekt-vendimit të Ministrisë së Mjedisit për financimin e ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, si edhe mbështetja e propozimit të Ministrisë së Mjedisit për “negocim pa shpallje”. Megjithatë, nuk ndalet me kaq, pasi një emër tjetër që është pranë burgut është Ilir Beqaj. SPAK ka thelluar hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe atë të check-up dhe ish-ministri Beqaj është i padituri kryesor. Ai është pa imunitet dhe SPAK mund ta arrestojë në çdo kohë.

Gazeta Sot