Prape do paguajme? – Shqiptaret paguane 160 milionë euro taksa për rrugët ne vitin 2018. –

17/05/19

Nga: mapo.al

Shqiptarët paguajnë taksa direkte për rrugët gjatë një viti fiskal më shumë se sa qeveria shpenzon për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e tyre.

Në vitin 2018 qytetarët paguan 19 miliardë lekë ose 159 milionë euro taksa direkte për rrugët, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Nga kjo shumë 18.3 miliardë lekë ose 146 milionë euro u paguan nëpërmjet taksës së qarkullimit rrugor, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Ndërsa rreth 600 milionë lekë ose mbi 4 milionë euro janë paguar taksa direkte nga rruga e Kombit (arkëtimet për rrugën e Kombit janë përllogaritur nga të ardhurat vjetore që përllogarit kompania në kontratë rreth 13 milionë euro. Taksat nisi të mblidhet gjatë tremujorit të fundit 2018).

Për të njëjtën periudhë qeveria shqiptare ka harxhuar nga fondet e brendshme buxhetore për ndërtimin e dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe gjithçka që ka lidhje me rrugët 15,4 miliardë lekë (123 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës. Nga kjo shumë 8,1 miliardë u përdoren për të ndërtuar rrugë, 2,1 miliardë lekë u përdoren për rikonstruksion dhe pjesa e mbetur u përdor për të mbuluar emergjencat, për sinjalistike, siguri etj.

Siç shihet nga të dhënat zyrtare, të ardhurat nga taksat e drejtpërdrejta nga rrugët ishin 19 për qind më të larta se shpenzimet nga fondet e brendshme në rrugë.

Vitin e kaluar opinioni publik u përfshi në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare.