Preç Zogaj: Pse Rama nuk mund të befasojë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Preç Zogaj: Pse Rama nuk mund të befasojë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme
12 janar 2020
Preç Zogaj
Në politikë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Nga kjo pikëpamje e ardhmja është në vetvete enigmatike përkundrejt parashikimit.
Disa gjëra i dimë që tani për vitin 2020. Nuk do të këtë rritje rrogash e pensionesh, për shembull. Ky pohim është zyrtar. Nga ana tjetër, përkundër parashikimeve negative, deri katastrofiste për një “thyerje” të ekonomisë, ministria e Financës, zonja Anile Denaj parasheh në shtrirjen e vitit një tablo relativisht të qëndrueshme të treguesve kryesorë. Nuk do të ketë përmirësime për t’u shënuar, por nuk do të ketë as përkeqësime, siguron ministrja. Jemi në parashikim edhe në këtë pikë. Ekonomia në shoqërinë e hapur operon me projekte, me shifra, por thellë-thellë nuk është shkencë.
Viti 2020 përmban ndërkaq një numër të panjohurash konkrete që shkojnë përtej natyrës enigmatike të së ardhmes në përgjithësi.
Nuk është fjala për të panjohurat e konflikteve në rrafshin ndërkombëtar, efektet e të cilëve shtrihen pashmangshëm edhe në vendin tonë, siç është konflikti i fundit mes SHBA dhe Iranit, për shembull. Në këto rrafshe jemi në varkën euroatlantike dhe për aq sa na takon kemi zgjedhur të ndajmë fatin me aleatët tanë strategjikë, me SHBA në radhë të parë. Me bindjen se kjo është zgjedhja më e mirë dhe më e sigurt për sot dhe për nesër. Edhe po të na duhet të paguajnë çmimin.
Fjala është për të panjohura që lidhen me disa pritshmëri vendore konkrete. Si për shembull: A do të na hapen negociatat e famshme të anëtarësimit në BE në vitin 2020? Askush nuk e di, tha në emisionin “Java” në RTSH kryeministri Rama në fillim të këtij viti. Përgjigja shpreh një frustrim pas djegies dy -tre herë të datave të mëparshme. Përgjigja ka notat e një ankimi ndaj BE-së. Ka domethënien e lënies së plotë të topit në fushën e BE-së, ku Franca nuk është në një mendje me Gjermaninë e vendet e tjera tashmë për procedurat e zgjerimit. Na ra ne, i ra Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shorti të bëheshin kurbanet e reflektimeve të Francës për zgjerimin.
Mjerisht përgjigja “askush nuk e di” ngjan të jetë korrekte në raport më informacionin që ka kryeministri. Ai nuk ka marrë siguri nga askush, procesi është në mjegull, për të mos thënë në frigorifer, larg qoftë në varr. Në këtë pikë me sa duket jemi në “ç’të jetë shkruar”. Negociatat mund t’i marrim sivjet, por mund të mos i marrim as vitin tjetër. Shumëçka apo gjithçka varet nga Franca, nga përmbajtja dhe fati që do të ketë paketa e Presidentit Macron për reformimin e procedurave të zgjerimit të BE-së.
Një përgjigje mund ta kemi në prag të samitit të Zagrebit që do të mbahet në muajin maj. Janë të shumtë politologët që kanë venë në dukje se bllokimi i zgjerimit rrezikon vetë BE-në. Në këtë pikë, qëndrimi i Macron, më shumë se sa me zgjerimin, do të ketë të bëjë me ekzistencën e BE-së. Është një rebus që na penalizon, por nuk e zgjidhim ne. Ne duhet të qëndrojmë “te delet tona”, siç thotë një shprehje franceze. Që do të thotë se padijenia e Tiranës për fatin e integrimit të vendit nuk duhet të shërbejë për të mos kryer detyrat e shtëpisë, të cilat i shohim të shprehura shumë qartë te lista e nëntë kërkesave të Bundestagut gjerman. Shqipërisë i duhet për vete, për demokracinë dhe zhvillimin e saj pikësëpari rikthimi në punë i Gjykatës Kushtetuese, përfundimi i ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, votimi i reformës zgjedhore, hetimi i krimeve zgjedhore, e tjerë. Por përmes përmbushjes një për një të kërkesave të një vendi mik që lobon për ne siç është Gjermania, Shqipëria investohet e imponohet fort në Europë për të marrë hapjen e negociatave.
E panjohura tjetër: A do të ketë zgjedhje të parakohshme këtë vit? Mbështetësit e opozitës shpresojnë, madje edhe besojnë se do të ketë me arsyetimin bazë se “nuk mund të vazhdohet më tej kështu”. Opozita mban politikën “duam, por nuk e kemi ne në dorë, ndaj le të vijojë kalbëzimi i qeverisë”. Ka ndërkaq një opinion ndërpartiak që i sheh zgjedhjet e parakohshme si valvul shkarkimi për krizën dhe si zgjidhja për të rikthyer normalitetin demokratik të cenuar nga dalja e opozitës jashtë institucioneve. Madje disa analistë ia atribuojnë kryeministrit Rama një ide të tillë. Nëse do ti besonim sado pak skenarit të provokimit të zgjedhjeve të parakohshme nga vetë Rama, do të duhet të shtojmë se ky skenar kërkon negocim.
Rama nuk mund të befasojë me zgjedhje të parakohshme pa pasur një dakordësi paraprake për pjesëmarrjen e opozitës. Përndryshe, çfarë do ti vlenin? Nga ana tjetër, opozita vështirë se do të shkonte të përplasej me zgjedhjet me “ku rafsha mos u vrafsha”, me të njëjtin sistem zgjedhor, të cilin e ka në disfavor dhe pa sondazhe plotësisht të besueshme që do të flisnin për rritjen e saj në nivelin e një alternative fituese.
Zgjedhjet e parakohshme, të negociuara, janë realisht rrugëzgjidhja për të kthyer normalitetin e zhvillimeve demokratike dhe për t’i dhënë impulse mekjes ekonomike. Për shumë arsye, që nisin me sfidën e rindërtimit të banesave të prishura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar dhe përfundojnë me paqartësitë e rezultatit, gjasat për t’u bërë janë më të vogla se gjasat për të mos u bërë. Ndërkaq, një forcë madhore që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme do të ishte produkti i reformës në drejtësi, nëse të akuzuarit dhe të dënuarit nga radhët e shumicës qeveritare janë të tillë që e bëjnë të pamundur vazhdimin e legjislaturës. Rebusi edhe në këtë temë mbetet i madh gjithsesi.
Zhvillimet përgjatë vitit 2020 do të shënohen ndjeshëm nga funksionimi i SPAK, BKH- dhe Gjykatës Speciale. E sigurtë është se ky është viti i parë i produktit të drejtësisë së re. Njerëzit presin që ligji dhe drejtësia të godasin në sferat e larta. Ky është premtimi që kanë marrë nga SHBA, BE dhe shumë vektorë politikë e institucionalë në vend që nuk janë përfshirë në afera korrupsioni e keqbërjeje ndaj vendit. A do të ndodhë? A do vijojë establishmenti shumëvjeçar , apo veprimi i drejtësisë do ta çajë atë? Pavarësisht se establishmenti do të vijojë të bëjë çmos për të mbijetuar e devijuar goditjet e drejtësisë së re, përgjigja më logjikë dhe më afër së vërtetës së pritshme është kjo: Ligji do të veprojë fuqishëm në sferat e larta ku nuk ka shkelur deri sot. Nuk mund të mos veprojë. Përndryshe pse do të bëhej gjithë ky investim dhe gjithë kjo reformë në drejtësi? Nuk mund të ndodhë të mos hetohen gropat e mëdha të privatizimeve dhe mandej ri shtetëzimeve të disa ndërmarrjeve strategjike siç janë Armo, ÇEZ Shpërndarja e tjerë. Nuk mund të ndodhë të mos hetohen koncesionet me radhë, ku s’kanë rreshtuar akuzat për korrupsion në përmasa të mëdha. Aty ku nuk ka krim ,kjo është e domosdoshme për trasparencë. Lista e të panjohurave është më e gjatë se kaq, por u ndalen të tre fusha që ngërthejnë një pritshmëri të madhe. Për t’u kthyer ku e nisem: ngjarjet në politikë vërtetë zbulohen duke ndodhur. Por faktori politik njerëzor ndërkaq nuk është në pasivitet dhe në fatalitet përkundrejt zhvillimeve. Ai ka shumë në dorë për të bërë mirë. /
Gazeta Liberale