Preç Zogaj: Respekt për Luljeta Bozo dhe doktoreshë Najadën, por Parlamenti nuk është… se Kuvendi nuk është panteon apo tabelë nderi,
6 mars 2021
Pas kryeministri Edi Rama ftoi publikisht inxhinieren Luljeta Bozo dhe mjeken e Spitalit Infektiv, Najada Çomo që të bëheshin pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, analisti Preç Zogaj thotë se Parlamenti nuk është panteon apo tabelë nderi.
“Respekt maksimal, tha Zogaj, për inxhinierën e mirënjohur Luljeta Bozo. Ajo ka dhënë për gratë dhe burrat e çdo moshe një shembull të angazhimit intelektual e profesional, sidomos me rastin e termetit. Ajo jep sërish një shembull të vitalitetit në angazhim. Doktoreshë Çomo po ashtu”, tha Zogaj në emisionin “Kjo Javë” në RTSH.
Zogaj shtoi se kandidime të tilla të personave publikë, nisur nga CV-ja dhe emri i tyre i mirë kanë ndodhur edhe më parë, sidomos nga PD në zgjedhjet e vitit 1996.
“Të kemi në Kuvend njerëz publikë me kontribute në vend të personave pa formim apo me rekorde kriminale është një gjë për tu përshëndetur. Thënë këtë, nuk mund të mos vëmë në dukje (dhe kjo s’ka lidhje me personalitetin e dy zonjave të nderuara), faktin se Kuvendi nuk është panteon apo tabelë nderi, siç e konceptojnë liderit që kanë në dorë listat nga A-ja te Zh-ja edhe kur i marrin nga bota e narkotrafikut, edhe kur i marrin nga katedrat. Kuvendi është arenë dhe dukej të ishte vendi i përfaqësuesve të popullit. Në fakt populli nuk zgjedh më asgjë. Shumica e kandidateve dhe deputetëve nuk janë votuar kurrë dhe nuk dihet çfarë impakti kanë në publik në lidhje me votën; listat de fakto të mbyllura dhe mënyra e hartimit të tyre nuk u jep mundësi qytetarëve të shprehen me votë dhe të peshojnë me votë njërin dhe tjetrin”, tha Zogaj.
Gazeta Panorama