Presidenti i Malit të Zi plas “bombën”: Rama dhe Vuçiç po tentojnë të zhdukin 4 shtete në Ballkan, mes tyre edhe Kosovën
Nga Blegina BAJRAMI
28 KORRIK 2022
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, bëri një parashikim të frikshëm mbi mënyrën se si ai mendon se do të përfundojë iniciativa e Ballkanit të Hapur, të cilën kryeministri malazez Dritan Abazoviç e ka përkrahur. Sipas Gjukanoviç, qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” (që janë Edi Rama, Vuçiç dhe Zaev) është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”. “Ballkani i Hapur është një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian, për të cilën nuk kemi nevojë.
Themeluesve të kësaj nisme iu pëlqen ndryshimi i kufijve, homogjenizmi etnik e fetar. Si zakonisht çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe,” tha ai. Kreu i DPS-së, Gjukanoviç tha se ‘Open Balkan’ do të përmbyllet me zhdukjen e 4 shteteve të tjera të rajonit. “Ajo duhet të përfundonte me zhdukjen e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por është e sigurt se do të përfundojë me luftë dhe disa gjenocide të tjera,” tha ai. Drejtuesi i partisë më të madhe në Malin e Zi ka kritikuar edhe kryeministrin Abzazoviç për nënshkrimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.
“Marrëveshja me Kishën Serbe u miratua shpejt dhe mbrapa shpinës së publikut, për të mos folur për falsifikimet historike që bën Kisha Serbe, e cila është instrumenti më i egër i Serbisë së Madhe, e cila përmes nacionalizmit rus në Ballkan po përpiqet të vjedhë historinë malazeze,” tha ai. Gjukanoviç u ndal edhe te vizita e Abazoviç në Beograd, për të cilën u shpreh se një ditë nuk mund të zhbëjë hegjemoninë dyshekullore serbe.
Çfarë është nisma ‘Open Balkan’?
Nisma për krijimin e Open Balkan ose njohur ndryshe si Mini-Schengen është propozuar për herë të parë nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano në fillim të viteve 1990. Kjo iniciativë synon përmirësimin e marrëdhënieve politiko-ekonomiko mes vendeve të rajonit. Planet për krijimin e OpenBalkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë. Çfarë është nisma “Ballkani i Hapur”? Më pas pati dy takime të tjera të liderëve të tre vendeve më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë. Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave. Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm këto tre vende ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen. Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet për këtë iniciativë edhe pse Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte se Beogradi dhe Prishtina do t’i bashkoheshin “mini-schengen”. Kurse Bosnje-Hercegoniva dhe Mali i Zi pavarësisht ftesave janë deklaruar se do të mbeten spektatore.
Marrëveshjet e miratuara
Pavarësisht kritikave, akuzave kundërshtimeve nga ndërkombvëtare dhe vet shtetet e Ballkanit, Vuçiç, Rama dhe Zaev arritën të miratonin disa marrëveshje të “OpenBalkan”. 1. Marrëveshja për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. 2. Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. 3. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor. 4. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar siguri dhe siguri (AEOS). 5. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar siguri dhe siguri (AEOS).
Gazeta Sot