Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me urdhrin më të lartë që ekziston në Republikën e Shqipërisë, Mujo Ulqinakun. –
Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me urdhrin më të lartë që ekziston në Republikën e Shqipërisë, Mujo Ulqinakun
24 nentor 2019
Në një postim në Facebook, Meta thekson se atë që e kanë bërë qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, shpesh nuk e kanë bërë udhëheqësit e lartë.
Postimi i plotë:
Është nderi dhe privilegji im si President i Republikës, t’i akordoj një oficeri të thjeshtë si Mujo Ulqinaku, Dekoratën më të lartë që ekziston sot në Republikën e Shqipërisë, me motivacionin:
“Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të sovranitetit territorial të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, si shembull monumental i patriotizmit dhe atdhedashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, si model i ushtarakut që i qëndron deri në fund betimit para Flamurit Kombëtar”.
Kush më shumë se Mujo Ulqinaku, simboli i rezistencës kundër pushtimit fashist, e meriton këtë Dekoratë me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Shumë vende të tjera në Evropë ndihen të turpëruara se nuk bënë asnjë rezistencë ndaj pushtimit Nazifashist. Ne shqiptarët jemi krenarë se kemi historinë e lavdishme të Heroit tonë të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, që bashkë me disa shqiptarë të vërtetë, edhe pse të braktisur, i treguan mbarë botës se dinjiteti kombëtar dhe besnikëria ndaj Flamurit Kombëtar janë më të rëndësishme se jeta pa dinjitet dhe pa liri.
Shqiptarët e thjeshtë shpesh kanë bërë atë që udhëheqësit tanë duhet të bënin të parët!
Gazeta Panorama