“Presidenti ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë”- Bledar Dervishaj flet për manipulimin e provave: – Kur kjo ndodh nga Kuvendi imagjinoni…
“Presidenti ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë”- Bledar Dervishaj flet për manipulimin e provave: Kur kjo ndodh nga Kuvendi imagjinoni…
7 Shkurt 2022
Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj thotë se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij pas përfundimit të seancës në Gjykatë Kushtetuese për shkarkimin e Ilir Metës, Dervishaj u shpreh se kur provat manipulohen nga Kuvendi, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me institucionet e tjera.
Sipas tij, edhe në seancën e sotme e Gjykatës Kushtetuese u provua se Kuvendi kishte si qëllim të përmbushte objektivat politike, duke depozituar prova të manipuluara vetëm për të rrëzuar pretendimet e presidentit.
“Sot u mbyll seanca e iniciuar në mënyre të padrejtë nga Kuvendi. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, depozitoi prova të manipuluar vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organe të tjera.
Presidenti ka vendosur ti drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje. Ashtu sikundër Është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedure hetimore parlamentare për këtë fakt që ne evidentuam. Edhe e drejta e gjykatës të marrë një vendim por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj.”, tha Derivshaj.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme nuk mori një vendim, por u tërhoq duke theksuar se vendimi i arsyetuar do të bëhet publik pas 30 ditësh në faqen zyrtare.
“Gjykata Kushtetuese deklaron mbylljen e seancës plenare dhe tërhiqet për të marrë vendim. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve.
Gazeta Panorama