Presidenti Meta i kthen Kuvendit marrëveshjen për administrimin e Parkut të Butrintit: Cenon Kushtetutën
Në dekretin e firmosur nga kreu i shtetit, Meta thotë se kjo marrëveshje “cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës”.
“Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;
Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO; Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.
Meta thekson se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, “rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;
Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;
Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;
Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”.
D E K R E T I
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 50/2022
“PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR ADMINISTRIMIN E NËNZONAVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE DHE PEIZAZHIT KULTUROR, PJESË E PARKUT KOMBËTAR TË BUTRINTIT, NDËRMJET MINISTRISË SË KULTURËS DHE FONDACIONIT PËR MENAXHIMIN E BUTRINTIT”
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j:
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 13703
Tiranë, më 20.06.2022
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META