Presidenti Meta letër Ramës, Manjës dhe SPAK: – Të mbrohen qytetarët nga mashtrimi si debitorë nga subjektet financiare jo banka
18 Korrik 2022.
Sipas qëndrimeve publike të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, mashtrimi është kthyer në një fenomen masiv dhe prej e kësaj skeme mund të jenë prekur 10 mijë, 30 mijë, apo 100 mijë qytetarë, ndërkohë që organi i prokurorisë ka dy vite që heton lidhur me çështje të kësaj natyre dhe ndaj disa subjekteve, por ende pa ndonjë rezultat konkret të bërë publik.
Presidenti Ilir Meta iu është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, SPAK-ut, kreut të policisë dhe disa zyrtarëve të tjerë, duke iu kërkuar që të reagojnë sa më shpejt për mbrojtjen e qytetarëve që identifikohen si debitorë nga subjektet financiare jo banka.
Në letër, Kreu i Shtetit thekson mes të tjerash se kjo çështje evidenton problematika të ndryshme veçanërisht lidhur me faktin e rëndë të mungesës së transparencës dhe dijenisë së qytetarëve të konsideruar si “debitorë” për detyrime financiare, e që po shkaktojnë një tronditje të rëndë ekonomike. Më tej, Meta vijon me shqetësimin se qëndrimet dhe shqetësimet e përsëritura të bëra publike nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, informojnë me të dhëna konkrete për një situatë tepër alarmante, një akuzë publike për lejimin e një aktiviteti të mashtrimit publik.
“Presidenti i Republikës është njohur me një shqetësim tepër serioz të ngritur nga Qendra “Konsumatori shqiptar”, përmes shkresës së tyre të datës 11.02.2022. Me problematikën e paraqitur shkresërisht prej kësaj qendre në mbrojtje të të drejtave të konsumatorit, jam njohur nga afër edhe në takimin e zhvilluar me drejtues të kësaj qendre në datën 22.02.2022, ku m`u parashtruan raste konkrete të vendimeve jo transparente të institucioneve financiare jo banka, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura prej konsumatorëve.
Kjo çështje evidenton problematika të ndryshme veçanërisht lidhur me faktin e rëndë të mungesës së transparencës dhe dijenisë së qytetarëve të konsideruar si “debitorë” për detyrime financiare, e që po shkaktojnë një tronditje të rëndë ekonomike/ Kjo situatë, kërkon vëmendje dhe përgjegjësi të lartë institucionale, nga secili prej institucioneve shtetërore që ka detyrë si licencimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e mikrokredisë”, nënvizoi presidenti Ilir Meta.
Gazeta Sot