Presioni politik ndaj SPAK. Fatmir Xhafaj: – Sulmi vjen nga frika prej mekateve Korruptive
Presioni politik ndaj SPAK. Fatmir Xhafaj: – Sulmi vjen nga frika prej mekateve Korruptive
– 10.05.2022
I konsideruar si një prej arkitektëve të sistemit të ri të gjyqësor, Fatmir Xhafaj ka dhënë një intervistë ku shpjegon se përse po sulmohen strukturat e drejtësisë së re në këto momente nga politika. Në një intervistë që tingëllon si përgjigje për sulmet që kryeministri Rama po i bën SPAK, Xhafaj u del në mbrojtje prokurorëve, madje i nxit të vazhdojnë më tej.
Ai shpjegon se akuzat vijnë nga ajo pjesë e politikës që ka frikë se ndëshkohet për mëkatet e korrupsionit dhe se politika po sheh që nuk po e kontrollon dot sistemin e ri të drejtësisë.“Nuk jam i surprizuar aspak, padyshim kritikat do shtoheshin dhe ashpërsoheshin. S’kam pasur iluzione ndryshe kur e nisëm këtë proces kompleks, por përkundrazi. Kundërshtarëve të shumtë në nisje të këtij procesi kryesisht nga politika, tashmë u janë shtuar edhe të prekurit e reformës, nga radhët e vetë sistemit, individë nga politika që po ju preket pushteti e kontrolli mbi sistemin, persona të mbërthyer nga frika e ndëshkimit prej mëkateve korruptive të shumta në këto tri dekada, por edhe individë nga një pjesë e biznesit e medias së lidhur me botën e mëkatit korruptiv. Padyshim edhe presioni i përhershëm nga krimi i organizuar një pjesë e të cilit jo vetëm është fuqizuar financiarisht, por edhe politikisht për shkak të lidhjes së interesave midis tyre. Pra është zgjeruar rrethi i njerëzve të prekur, të frikësuar dhe shqetësuar nga drejtësia e re pasi tashmë kanë kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur me këtë realitet të ri dhe kryesorja me pamundësinë e kontrollit ndaj tyre si dikur. Natyrisht e gjithë kjo rrit presionin mbi sistemin e institucionet e reja të drejtësisë, shton përpjekjet për të deformuar e kontrolluar atë, përmes ndikimit apo edhe krijimit të perceptimit negativ mbi reformën, si dhe institucionet e reja të drejtësisë. Kjo është realisht për t’u vlerësuar e reflektuar nën gjykimin tim” thotë Xhafaj.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama sulmoi prokurorët e SPAK se nuk hetojnë Sali Berishën dhe Ilir Metën, por vazhdojnë të godasin korrupsionin vetëm në njërën anë. SPAK ka çuar pas hekurave ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për trafikun e drogës, ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për aferën e inceneratorëve dhe ish-deputetin Alqi Bllako për të njëjtën çështje. Pas këtyre arrestimeve, kryeministri Rama ka shfaqur pakënaqësi për punën e SPAK, por Fatmir Xhafaj e sheh ndryshe panoramën.
Sipas tij, këto arrestime janë shembujt e parë dhe në muajt në vazhdim do të ketë të tjera.“Kemi shembujt e parë të goditjes së korrupsionit në nivelet e larta si sinjale të para pozitive me shpresën se mund t’i jepet goditje e fortë dhe aq e shumëpritur fenomenit të pandëshkueshmërisë korruptive për politikanët dhe zyrtarët e lartë; Këto e të tjera janë risi e arritje të prekshme. Natyrisht gjendemi ende në proces konsolidimi, por jemi në rrugën e mbarë. Jam i bindur se në muajt dhe vitet në vijim do të mund të shohim rezultate akoma më domethënëse” ka thënë Xhafaj në intervistën për Tema.