26 Janar 2025

Nga OraNews

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar kundër një vendimi të kryeministrit Edi Rama për shpalljen të shtetit islamik në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha e ka quajtur këtë akt një thikë pas shpine për besimin mysliman dhe një veprim të madh antikombëtar.

Berisha shprehet se historia e klerikëve patriotë bektashinj dëshmon përkushtimin e tyre ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së vendit, dhe jo krijimin e principatave fetare.

Ai ka akuzuar Ramën se po tenton të thellojë përçarjen fetare në vend dhe të shndërrojë Shqipërinë në epiqendër të trafiqeve ndërkombëtare kriminale.

Reagimi i Berishës

Shpallja e shtetit islamik nga Edi Rama është thikë pas shpine ndaj besimit mysliman në Shqipëri dhe një akt madhor antikombëtar!

Klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe jo kurrë për principata fetare, sepse ishin atdhetarë të flaktë dhe jo trafikantë e tradhtarë antishqiptarë.

Me këtë akt antikushtetues, ky antishqiptar i damkosur kërkon të fusë në Shqipëri përçarje të thellë fetare, të përdorë territorin e Shqipërisë si pronë private të tij dhe grupeve antishqiptare që përfaqëson dhe të krijojë një epiqendër të trafiqeve kriminale ndërkombëtare.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe projektin e shtetit Islamik Bektashinj brenda territorit të Shqipërisë dhe garanton bektashinjtë shqiptarë dhe të gjitha komunitetet tona fetare se ajo, duke respektuar me rreptësi parimin e ndarjes së shtetit nga feja, do qëndrojë në krah të tyre e palëkundur në mbrojtje të harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer fetare të kombit tonë dhe nuk do njohë kurrë krijesa të tilla antikushtetuese e antishqiptare.