Prishtine: – Përurohen kafe-libraria KOHA

Prishtine: – Përurohen kafe-libraria KOHA

Me urim për çerekshekullin e gazetës “Koha Ditore”, drejtoresha menaxhese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, u ka uruar mirëseardhje bashkëpunëtorëve e lexuesve në kafe-librarinë e më të re “KOHA”.

Është shndërruar tashmë në traditë që Grupi KOHA përvjetorët e jubiletë e vet t’i festojë bashkë me lexuesit. Kësaj radhe muzika i hapi rrugë librit dhe në vend të një koncerti gala, si dhuratë për lexuesit është hapur kafe-libraria me një meny të pasur librash.

Mes miqsh, bashkëpunëtorësh e lexuesish, kafe-libraria është hapur me promovimin e librit “Stina e pestë” të autores Majlinda Bregasi.

Redaktorja e librit, Flaka Surroi, e ka vlerësuar si një roman intrigues, me tekst dinamik dhe si më të mirin nga katër botimet e Bregasit.

Prishtine: – Përurohen kafe-libraria KOHA

Romani “Stina e pestë”, i shkruar gjatë pandemisë, i fut lexuesit në situatë konfuze intime të Sofias, e cila ndjek gjurmët e një baroni austro-hungarez të fillimshekullit XX, që i zbulon skutat më të errëta të Ballkanit.

Sipas recensentit të librit, Bujar Tafa, libri me dinamizmin e situatave dhe të ambienteve e rrëmben lexuesin që në faqet e para.

“Stina e pestë” ndërthur dy rrëfime paralele që zhvillohen në dy epoka të ndryshme, por që kanë aq shumë të përbashkëta që në thelb dëshmojnë se njerëzit nuk dallojnë shumë për nga tiparet. Bregasi në përurimin e librit ka falënderuar të gjithë miqtë, pa të cilët, sipas saj, ky roman nuk do të shkruhej.

Libri “Stina e pestë” është në mesin e 160 titujve më të kërkuar në vend që tani janë pjesë e kafe-librarisë “KOHA”, e cila ndodhet shumë pranë sheshit kryesor në rrugën “Sylejman Vokshi”.

Lexuesit do të gjenden përballë rafteve me libra që shpalosin histori e rrëfime të jashtëzakonshme që prekin periudha të ndryshme historike. Botimet KOHA u themelua në vitin 1998 dhe deri tash ka botuar mbi 200 tituj autorësh shqiptarë dhe të huaj.

Disa prej atyre që të parët e kanë vizituar kafe-librarinë “KOHA” në ditën e inaugurimit, e kanë cilësuar atë si një ambient atraktiv në promovim të librit dhe jo vetëm.

Prishtine: – Përurohen kafe-libraria KOHA

Kafe-libraria “KOHA” është e hapur gjashtë ditë në javë dhe lexuesit aty do të mund të gjejnë secilin libër të Botimeve KOHA