Renovimet në Kompleksin “Emin Gjiku” ishin planifikuar shumë kohë më parë

“Përfundimi i këtij procesi nuk është i planifikueshëm, pasi bëhet fjalë për një ndërmarrje unike shumë të veçantë, e cila kërkon kujdes maksimal të pandërprerë dhe shumë të ngadaltë. Por, shpresoj që qershori i vitit të ardhshëm të jetë faza përfundimtar e renovimit”, ka thënë drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, duke shtuar se objekti ishte në fazën kritike dhe kërkohen ndërhyrje shumë të kujdesshme

 

Objekti kryesor i Kompleksit të Muzeut Etnologjik të Kosovës, i njohur ndryshe edhe si “Emin Gjiku” i është nënshtruan një renovimi të përgjithshëm, deri në themel. Punimet do të marrin kohë dhe pas kësaj pritet që objekti të ketë një pamje krejt të re, duke ruajtur origjinalitetin dhe konceptin e ekspozitës, por me elemente të reja. Punime në objekt kanë evidentuar domosdoshmërinë e renovimit, duke pasur parasysh gjendjen, ku pjesë dërmuese e strukturave ishin të kalbura apo të vjetruara dukshëm. Drejtues të Muzeut të Kosovës kanë thënë për “Kosova Sot”, se renovimi i nisur në shtator nuk pritet të përfundojnë deri në qershor të 2018, pasi gjendja e objektit kushtëzon renovime të kujdesshëm dhe të ngadalshëm. Pas renovimit në objekt do të kthehet ekspozita “Cikli i jetës”, por me elemente të reja, të cilat do të pasurojnë edhe më fondin e këtij muzeu. Kurse Ministria e Kulturës tashmë ka kohë që ka bërë gati 80 mijë euro për renovim.

Punimet deri në qershor

Skënder Boshtrakaj, drejtori i Muzeut të Kosovës në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se ndërtesës kryesore të Kompleksit Etnologjik, “Emin Gjiku”, është duke iu bërë një renovimin i përgjithshëm dhe më se i domosdoshëm, duke marrë parasysh, siç është shprehur ai, se gjatë punimeve janë vërejtur struktura të kalbura dhe shumë të vjetruara të objektit, duke e shndërruar renovimin një ndërmarrje shumë të kujdesshme. Si rezultat edhe i gjendjes, renovimin pritet të marrë fund në qershorin e vitit që vjen. Boshtrakaj ka thënë se gjatë punëve janë evidentuar struktura që janë përdorur për nderimin e objekti, të renovimeve të më vonshme, procesi i restaurimit ka hyrë në fazën, siç ka thënë drejtori në planifikimin e zëvendësimit të strukturave të kalbura dhe të degraduara që kanë nevojë të domosdoshme renovim. “Përfundimi i këtij procesi nuk është i planifikueshëm, pasi bëhet fjalë për një ndërmarrje unike shumë të veçantë, e cila kërkon kujdes maksimal të pandërprerë dhe shumë të ngadaltë. Por, shpresoj që qershori i vitit të ardhshëm të jetë faza përfundimtar e renovimit”, ka thënë ai, duke pohuar se objekti ishte në fazën kritike dhe kërkohen ndërhyrje shumë kujdesshme duke bërë që prioritet të mos jetë koha, por intervenimin dhe siguria.

Ekspozita pas renovimit

Më tej, drejtori Boshtrakaj ka thënë se pas renovimit koncepti i ekspozitës do të jetë i njëjtë, ndërsa do të pasurohet edhe me eksponate të reja, apo media të reja. “Cikli i jetës do të jetë gjithsesi, do të thotë rrëfimi bazë për ciklin e jetës mbetet, do të ketë pasurim të ekspozitës, por planifikohet edhe pasurimi me medie të reja, në sond -video, por edhe pjesë të platformave që janë më interaktive dhe më të afërta me gjeneratën e re”, ka thënë ai, duke shtuar se planifikohet edhe prezantimi i strukturës së ndërtimit të objektit, me qëllim, siç ka thënë ai, të pasurimit për rrëfimin për kompleksin. Përndryshe, planifikimi për renovime në kompleksin e Muzeut Etnologjik ishin planifikuar shumë kohë më parë, dhe zyrtarë të MKRS, i patën thënë gazetës se MKRS-ja ka ndarë një shumë 80 mijë euro për këtë renovim.

(Kosova Sot)