Priten ndryshime në qeveri në Kongresin e PS për t’ia kaluar seancës… – Mazhoranca mban hapur Parlamentin ditën e hënë
25 Korrik 2024
Nga Gazeta Sot.
Mbyllja e sezonit parlamentar, reformimi i Partisë Socialiste dhe rreziku që u kanoset disa ministrave nga drejtësia, për shkak se disa prej tyre janë me minimumi dy dosje në Prokurororinë e Posaçme (SPAK), duket se do t’i hapë rrugë ndryshimeve në qeveri. Kjo fundit nuk ka ndryshuar prej disa muajsh, por nevoja për riformatim sa vjen dhe shtohet. Gazeta “SOT” ka mësuar se titullarët e 8 ministrive pritet të largohen, për t’iu hapur rrugë emrave të rinj. Më konkretisht bëhet fjalë për ministrat Arbjan Mazniku, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Niko Peleshi, Mirela Kumbaro, Ulsi Manja, Ervin Mete dhe Taulant Balla, të cilët ka zëra se do të largohen dhe vendimi pritet të merret këtë të dielë në Kongresin e PS.
Sot dhe nesër Kuvendin i Shqipërisë pritet të mblidhet në një seancë martonë dhe duket se do të jetë seanca e fundit për këtë sezon parlamentar. Por teksa të gjithë mendojnë se nuk do të ketë më Parlament, mësohet se mazhoranca socialiste me urdhër të kryeministrit Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë që të thërrasë deputetët në një seance plenare “blic” ditën e hënë. E gjitha kjo bëhet për faktin se zoti Rama, pritet të bëjë ndryshime në qeveri dhe emrat e ministrave të rinj do t’ia dërgojë Presidentit të Republikës për dekretim. Kështu që duke qenë se korrespodenca do të jetë e shpejtë, socialistët do të mblidhen të hënë në seancë për të votuar ministrat e rinj.
Pra, edhe pse flitet se seanca plenare do të mbyllet për këtë sezon nesër, shumica qeverisëse ka menduar që të mos bllokojë punën, ndërkohë që do të mbledhë Kuvendin për të kaluar emrat e rinj që do të katapultohen në qeveri. Megjithatë mbetet të shihet këtë të dielë se çfarë do të ndodhë më konkretisht, pasi si qytetarët , ashtu edhe politikanët e kanë të qartë se kryeministri Edi Rama është i paparashikueshëm dhe se gjithçka mund të ndodhë ose jo.
Çfarë po ndodh në prapaskenë?
Më konkretisht, burime thonë se largimi i ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi; ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku; zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, është i detyruar, pasi ose janë akuzuar se janë përfshirë në afera korruptive, ose po hetohen nga SPAK.
Pra, kryeministri Edi Rama ka menduar që të spastrojë ministrat me damkë, pasi nuk dëshiron që të marrë kosto elektorale, duke qenë se jemi një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Ndërkohë burime nga selia rozë thonë se edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrit i Drejtësisë, Ulsi Manja mund të largohen nga qeveria, për shkak se ndaj tyre ka akuza se kanë rënë në përgjime me grupe kriminale. Ndërkaq, mësohet se dhe ministri i Financave, Ervin Mete mund të largohet.
Reagon Çuçi
Ndërkohë sa i takon Kongresit të Partisë Socialiste, dje detaje ka dhënë edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi gjatë një konference me gazetarët. “Pjesa e parë do të jetë me shumë interes, pasi do të flasim për çështjen e shtetit të së drejtës dhe do flasim për gjithë përpjekjet për ta bërë Shqipërinë një yll polar në rajon. Në pjesën e dytë do të zgjedhim anëtarët për Asamblenë Kombëtare që del nga delegatët”, deklaroi dje deputeti socialit, Bledi Çuçi.