5 Tetor 2023
Jo rrallë është theksuar nevoja për restaurues artefaktesh e këtë synim ka edhe punëtoria e mbajtur në hapësirat e Muzeut Arkeologjik të rajonit të Prizrenit. Dhjetë të rinj kanë përfituar njohuri lidhur me metodat dhe teknikat e restaurimit, rikonstruktimit, pastrimit, ngjitjes dhe përgatitjes për ekspozim të një artefakti arkeologjik. Pas aftësimit e certifikimit, ata do të angazhohen në restaurimin e dy pitosëve, për të pasuruar në këtë mënyrë ekspozitën brenda këtij muzeu të veçantë
Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit përkohësisht është shndërruar në mësonjëtore, duke mundësuar jetësimin e punëtorisë së restaurimit të artefakteve. Në këto hapësira, dhjetë të rinj, kanë marrë njohuri lidhur me metodat dhe teknikat e restaurimit, rikonstruktimit, pastrimit, ngjitjes dhe përgatitjes për ekspozim të një artefakti. Pas këtij aftësimi, të rinjtë synojnë që me angazhimin e tyre t’i kontribuojnë ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe prezantimin e tyre për një publik më të gjerë.

Punën praktike fillimisht e kanë realizuar në kopje të artefakteve, ndërkohë që pas aftësimit e certifikimit do të angazhohen në restaurimin e dy pitosëve, për të pasuruar në këtë mënyrë edhe ekspozitën brenda këtij muzeu të veçantë.

Edita Kukaj, njëra prej pjesëmarrëseve, ka theksuar se punëtoria ka qenë e vlefshme për shkak të aftësimit në restaurimin e artefakteve, por edhe për t’u njohur me traditat e moçme të popullatës së kësaj ane.

Image
Gjatë punës me kopje të artefakteve është bërë ushtrimi i syve për t’i gjetur pjesët, e pas gjetjes ka vijuar aftësimi se si të pastrohet, trajtohet e ngjitet artefakti, e në raste të caktuara edhe si të mbushen kur mungojnë pjesë të tij

“Nga kjo punëtori kam përfituar njohuri për restaurimin e artefakteve të vjetra, nga koha e mesjetës e deri në kohën e sotme. Përfitimi ka qenë njohuria rreth traditës sonë shqiptare dhe riparimi i pjesëve të dëmtuara gjatë kohës”, ka thënë Kukaj.

Madje këtë përvojë, ajo planifikon që ta shfrytëzojë në profesionin e ardhshëm si arkitekte, për të restauruar shtëpitë e vjetra.

dhe qëllimi im ka qenë pasi studioj në degën e arkitekturës dhe kam menduar se është e ndërlidhur arkitektura dhe restaurimi”, ka thënë ajo.

Veron Tara nga organizata joqeveritare “Educo” ka theksuar se punëtoria është pjesë e projektit “Prizreni në Epokën e Re: Zhvillimi i Metodave Inovative të Mësimit për Restaurimin e Artefakteve Arkeologjike”, ku krahas mësimit edhe ndihmohet ruajtja e trashëgimisë kulturore.

këtij projekti ne e kemi zhvilluar edhe e kemi hapur një punëtori në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit dhe Sahat Kullë, që është një prej muzeve të parë arkeologjikë në Kosovë edhe përmes këtij projekti të rinjtë kanë arritur të aftësohen se qysh bëhet restaurimi i një artefakti që është gjetur diku, ka qenë i dëmtuar, dhe kanë arritur t’i mësojnë metodat dhe teknikat qysh restaurohet, rikonstruktohet, pastrohet, ngjitet një artefakt”, ka thënë Tara.

Image
Pas aftësimit e certifikimit dhjetë të rinjtë angazhohen në restaurimin e dy pitosëve

Udhëheqësi i punëtorisë dhe njëherësh përgjegjësi në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit, Vesel Hoxhaj ka theksuar se ky ka qenë një aktivitet inovativ që ka mundësuar aftësimin e të rinjve për restaurim të artefaktit për ta sjellë atë në gjendje ekspozimi. Sipas tij, gjatë punës me kopje të artefakteve është bërë ushtrimi i syve për t’i gjetur pjesët, e pas gjetjes ka vijuar aftësimi se si të pastrohet, trajtohet e ngjitet artefakti, e në raste të caktuara edhe si të mbushen kur mungojnë pjesë të tij.

“Është shumë me rëndësi trajnimi ose mësimi i të rinjve për këto metoda të restaurimit, për arsye se kemi shumë pak restaurues në Kosovë dhe në Prizren dhe aftësimi i këtyre të rinjve do të në ndihmojë shumë në të ardhmen për restaurim të artefakteve”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka përkujtuar se në të shkuarën ka ndjekur aftësime të ngjashme, dhe pret që ky grup të jetë i dobishëm jo vetëm për arkeologjinë, por edhe për muzeologjinë e vendit.

“Si arkeolog kam pasur trajnime të ndryshme gjatë karrierës sime dhe e kam parë që është shumë me rëndësi me i ditë këto metoda, edhe normalisht këta të rinj do të kenë edhe trajnime të tjera, me të cilat do të arrijnë deri në pikën ku do të jenë ndoshta edhe restaurues profesionistë, që do të marrin pjesë edhe në gërmime terreni ku do të bëjnë restaurimin apo ta quajmë kështu plotësimin e artefakteve, të cilat nuk janë të plota dhe me këto metoda apo me këtë trajnim do të kenë mundësi që t’i ndihmojnë në përgjithësi arkeologjisë, por jo vetëm arkeologjisë, por edhe muzeologjisë”, ka thënë ai.

Punëtoria e restaurimit të artefakteve të Muzeut Arkeologjik të rajonit të Prizrenit është mbështetur nga Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit funksionon prej vitit 1975, ndërkohë që në vitet e fundit në saje të investimeve të Ministrisë së Kulturës e angazhimeve të QRTK-së është transformuar në një institucion të trashëgimisë kulturore që u përgjigjet rrethanave të kohës. Në vitet e fundit falë angazhimit të arkeologëve rezidentë është dyfishuar numri i artefakteve të ekspozuara në këtë muze, që sot gërsheton dy monumente: Hamamin e Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kullën.

Gazeta Koha, Prishtinë