Prizren: – Punëtoria e filigranit – përpjekje për ruajtjen e zejes së moçme
30 Shtator 2022
Filigranistët e vjetër të Prizrenit sërish janë mobilizuar që njohuritë e tyre të mjeshtërisë në punëdore të stolive prej argjendi, t’i bartin te gjeneratat e reja. Kësisoj po mundohen të sigurohen që zeja e moçme të mos harrohet e të zhduket, si pasojë e presionit të zhvillimit teknologjik. Ata konsiderojnë se zeja e filigranit është një prej simboleve të Prizrenit dhe se meriton trajtim të veçantë si nga institucionet ashtu edhe nga brezat e rinj.
Mjeshtrit në moshë të këtij artizanati gjatë tetë muajve të ardhshëm, do të trajnojnë 30 pjesëmarrës, si pjesë e përpjekjes për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore të Prizrenit.
Mjeshtri i shquar, Bashkim Tejeci, ka vlerësuar se Prizreni ruan teknikën e veçantë të filigranit dhe se kjo zeje duhet të gjejë vend edhe në programet arsimore.
“Qyteti i Prizrenit është ama, burimi i zejes së filigranit me plot kuptimin e fjalës, sepse teknika e filigranit të Prizrenit ruhet ende me fanatizëm. Përndryshe, po e shohim se dita-ditës prodhimet industriale janë duke e rrezikuar, por ne nuk i druhemi konkurrencës. Filigrani e ka vlerën dhe peshën e vet, prandaj me mish e shpirt po luftojmë që ta mbrojmë dhe ta bartim te brezat e rinj. E kemi edhe një qëllim tjetër, që disi ta hapim një paralele të shkollës së filigranit në Qendrën e Kompetencës, ashtu që ta mbrojmë këtë zeje”, ka thënë Tejeci.
Në ceremoninë e hapjes së edicionit të radhës së trajnimit së kursit të filigranit, udhëheqësi i “Filigranit”, Faik Bamja ka uruar që pjesëmarrësit të përfitojnë njohuri lidhur me artin e filigranit që kultivohet në këto treva për shumë shekuj.
“Këta do të jenë trashëgimtarë të artit shpirtëror të Prizrenit”, ka deklaruar Bamja, duke sqaruar se kursi do të mbahet tetë muaj, me punë në grupe nga dy herë në javë. Sipas tij edhe ky kurs realizohet në saje të mbështetjes së Komunës së Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pohuar se filigrani përkon me identitetin e qytetit.
“Filigrani është njëri prej simboleve, që është identitet i qytetit të Prizrenit. Edhe Komuna, edhe unë si kryetar e kemi pasur në programin tonë ruajtjen e identitetit të qytetit dhe ruajtjen e zanateve. Në këtë kontekst duhet ta falënderoj stafin e “Filigranit” për energjinë e vullnetin për ta organizuar këtë kurs”, ka thënë Totaj.
Sipas tij, kjo punëtori do të jetë një përvojë e re për të gjithë pjesëmarrësit.
“Jam shumë i sigurt se pjesëmarrëset kanë çka të mësojnë nga mjeshtërit dhe mjeshtret e vyera të filigranit dhe në të ardhmen me qenë trashëgimtare të këtij zanati dhe me e bart edhe tek gjeneratat e ardhshme”, është shprehur Totaj.
Ai ka shprehur bindjen se kultivimi i kësaj zejeje i kontribuon edhe zhvillimit të turizmit.
“Është edhe një kontribut për zhvillim të turizmit në Prizren, si komponentë e zhvillimit ekonomik. Pra, është një aktivitet që ka shumë dimensione dhe prek shumë pika, por gjithsesi është në kontekst të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit tonë”, ka thënë kryetari Totaj.
Ndërkaq, drejtoresha e Turizmit, Lirije Xhemaj-Bytyçi, ka pohuar se punëtoria realizohet me përkrahjen e këtij dikasteri komunal.
“Ne si drejtori ua kemi mundësuar të rinjve dhe të rejave që të trajnohen në zejen më të lashtë dhe më të bukur, zejen e filigranit”, ka thënë ajo.
Në vitin 2006 pas privatizimit të ndërmarrjes “Filigrani” të Prizrenit, punëtorët kishin mbetur në rrugë. Në këtë situatë disa kolegë qenë mbledhur dhe patën vendosur që ta vazhdojmë traditën e punës. Pas konsultimeve, në vitin 2007, disa punonjës e kanë regjistruar “Filigranin” si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar. Qëllimi i këtij grupi të artizanëve ka qenë që ta ruajnë traditën e filigranit në Prizren. Përpos që kanë siguruar vetëqëndrueshmërinë, këta artizanë janë shndërruar edhe në pikë referimi e destinimi të vizitorëve të huaj të Prizrenit, por edhe gazetarëve të mediave ndërkombëtare. Ndërkohë prej disa vitesh organizojnë kursin e filigranit për dhjetëra pjesëmarrës.
Sipas historianit, Abib Ahmeti të dhënat e para për argjendarët e këtij qyteti ndeshen në shekullin XIII. Mirëpo shënime më të strukturuara sipas tij, hasen në shekullin XVI, meqë në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit bëhet e ditur se kjo zeje në Prizren në vitin 1591 ushtrohej nga katër zejtarë të krishterë dhe një mysliman.
“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin e XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë. Përveç këtyre, kishte edhe 15 punishte në të cilat zbukuroheshin armët dhe 7 të tjera në të cilat zbukuroheshin ekskluzivisht gërshërët dhe thikat”, ka shkruar Ahmeti në librin e tij “Theranda-Prizreni ndër shekuj”.
Në bazë të të dhënave të historianëve dhe kujtimeve të mjeshtërve të këtij zanati, punëtoritë e argjendarëve kanë qenë të përqendruara në qendrën e qytetit, afër Shadërvanit, në kuartin e veçantë që njihej si Çarshia e Kujunxhinjve. Aty ka qenë e vendosur edhe Çarshia e Armëpunuesve, me të cilët sipas Ahmetit, argjendarët kanë bashkëpunuar ngushtë në zbukurimin e armëve dhe pajisjeve të tjera të luftës.
Gazeta Koja.net, Prishtine