14 Maji 2023

Analisti Fatos Lubonja u shpreh sot se problemet me identifikimin elektronik në mëngjes, i vërejtur në shumë qendra votimi, mund të jetë krijuar me qëllim nga ata që kontrollojnë aparatet elektronike. Ai iu referua edhe arrestimit të Fredi Belerit në Himarë për të cilin tha se opozita këtu është përballë shtetit dhe jo përballë një force tjetër politike.

Si e konsideroni pjesëmarrjen?

E ulët duket. Duhet të ishte më e lartë.

Si e vlerësoni deri tani procesin e votimit?

Unë nuk bëj pjesë te ata që them procesi po shkon mirë. Në disa zona nuk identifikoheshin elektronikisht zgjedhësit, por duhej shkruar në fletë. Ndërkohë që në disa zona të tjera funksiononte.

Është e qëllimtë?

Kam të drejtë të mendoj se është e qëllimtë. Ka ndodhur njëherë që i shpërndanë votuesit me kompjuterin dhe nuk e dinin se ku duhet të votonin. Kush kontrollon aparatet elektronike mund t’i shfrytëzojë ato për interesat e veta. Nuk më pëlqeu fare kjo problematikë, aq më tepër që janë harxhuar miliona lekë. Të gjithave këtyre iu shtua edhe ngjarja e Himarës. Kur ky merr përsipër, siç kam lexuar në media, të fusë njerëz të infiltruar të përgjojnë, kur këtë krim nuk ia çojnë SPAK-ut, por prokurorisë dhe policisë dhe pasi arrestohet ia çojnë SPAK-ut, këtu është opozita përballë shtetit, jo përballë një partie tjetër politike. Kam parasysh prokurorinë, policinë, administratën por edhe kryeministri që deklaron se kush fiton nga ata nuk do të marrë asnjë lek.

Ju e prisnit që të shkonte kështu dita e sotme?

Dita e sotme nuk është asgjë përpara ditëve se çfarë është përgatitur. Pashë një lajm që është krijuar një përleshje ku kishte ndërhyrë policia. Krimi ndjell krimin. Kur një pushtet qëndron gjatë dhe mbulon krimet e mëhershme, do bësh krime të reja.

TPZ.Al