• “Procedimi i profesor Tupes, a e dha dorëheqjen Kumbaro? Po Gjiknuri ?
  •  

 

NGA AGRON GJEKMARKAJ

,,,,” Por edhe për këto Edmond Tupja e ka fajin. I duhet zbutur shpina qerratait, duhet bërë terbiet, tel madje. Ai, si koleg i frëngjishtes me Kumbaron, duhet të ketë dorë në planet për shembjen e Teatrit, te Veliera e Dakos në Durrës, te betoni në Butrint, por mbi të gjitha tek edukimi përmes leximit. Dikush tha që Kumbaro paskësh dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për penalizimin e profesorit të saj. Në burg, në hapsana, aty e ke vendin. Faje të rënda ka mbi kurriz. Mbase cigaret ia shpie Mirela, se është shpirtdhembshur.” ……

 

Sapo doli lajmi qe profesori dhe përkthyesi i njohur Edmond Tupe është proceduar nga policia si zaptues i hapësirës publike, u duk si shaka nga ato që shpërthejnë në rrjet, në raste si kjo, kur seriozja me burlesken ndërrojnë vendet bujarisht. Protesta e studentëve, e cila i ka zënë në befasi të gjithë me risitë e veta, po tentohet të zhbëhet me metodat e vjetra të reagimit të politikës dhe të shtetit. Gjithsesi, ajo u ka dhënë shah mat faktorëve të përdalë të politikës e sidomos të kësaj shoqërie.

Në numrat e saj të shumtë, në parullat plot spikamë inteligjence, ndihet mungesa e perspektivës dhe e luftës për dinjitet në një vend të sunduar nga kasta. Studentët e kanë kuptuar leksionin e jetës mbi kurrizin e tyre, por mbi të gjitha nga brengat e prindërve. Sot, 7- 8 politikanë e po kaq biznesmenë me rrethet e tyre familjare e miqësore kanë marrë peng vendin, përfaqësimin dhe standardet. Së bashku përcaktojnë karrierat, postet, listat dhe drejtimin e vendit mes hokash, rrëfimesh, lajkash e shishesh me verë nga ajo e mira. Nuk është e vështirë t’i imagjinosh skenash, ti je i madh, ti je gjigant, sa bukur e the, sa mirë ia bëre, atë e çmende fare, por atë tenderin aman kujdes, është jetik për vendin. Dekulturimi i politikës dhe urrejtja ndaj intelektualëve është kryefjala e kastës. Tek lumpeni ata gjejnë zenitin, shërbimin, shërbesën, sigurinë dhe jetëgjatësinë.

Në kontekstin e ngjarjeve të ditës mund të thuhet se vetë ligji i Arsimit të Lartë u bë për interesa klienteliste në shërbim të plotë të atyre, të cilëve u thahet gjuha të lëpijnë këpucët e çdo Kryeministri me barkun lastik që nuk njeh cak, me fytyrën teneqe që as skuqet, as zverdhet. Nuk shkakton habi fakti që Policia dhe Prokuroria nuk reagojnë kurrë ndaj tyre. As nuk pritet të reagojë. Nëse dikush vjedh një byrek, atë e ha dreqi, vrap e në birucë përfundon. Ato e kanë gjetur armikun. Ai është Edmond Tupja, 71 vjeç, përkthyes brilant e po kaq i tillë si pedagog e publicist. Profesori doli në rrugë dhe mbështeti studentët. U kthye në shtëpi me ndërgjegje të qetë. Fjeti aq sa mundi nga hallet që ka në shtëpi e kur u zgjua e gjet veten të proceduar nga Policia që duam.

Ai është akuzuar si zaptues i hapësirës publike. Në fakt, ai është shumë më tepër se kaq! Ai ka qenë shef komisariati kur mbartej kanabis në kurriz dhe kur kërcënohej Xhisiela. Për këto merita, për pak, Ardi Veliu desh e mori këshilltar. Ai është përfshirë me gjasë në trafik kokaine të fshehur mes fjalorësh kur përkthente kodet e fshehta të Babales të mbetqefur. Te shkrimet e tij në gazetën “Panorama” fshihen kode të tmerrshme komplotesh. Fjala gjurulldi mund të merret si shenjë për komplot kushtetues! Ndërsa “llaping” si joshje seksiste ndaj ministreshave të bekuara. “Qofte ke daja” si tentativë për korruptim ndaj ministrit të rrugëve. Titulli “logorre” si mision i fshehtë ndaj imazhit dhe përqeshje ndaj ligjëratave të Kryeministrit. “Pordhë me rigon” mund të konsiderohet si puç ndaj ambientit dhe Rilindjes. Të gjitha shkrimet e Tupes kaluakan në laboratorin e ministrisë së virtytit kundër vesit dhe rezultatet qenkan të kobshme për shtetin dhe shoqërinë.

Edmond Tupja ka faje të rënda për ato koncesionet në mjekësi, duke yshtur si djall Beqen dhe Manastirliun. Me fjalorin e tij erotik i ka gjuajtur në honet e ngasjes së mallkuar. Strumbullari i inceneratorëve, ai duhet të jetë. I ka marrë mendjen Ahmetajt duke i folur frëngjisht kur ai di vetëm anglisht si mësues i saj. 20 milionë euro për kilometër për rrugën e Unazës që dha Gjiknuri. Si mendoni, i kujt është faji? Natyrisht, i Edmond Tupes! Me fantazinë e tij letrare e krijuese e ka çuar drejt shifrave fantastike. Sabotatori me kësulë. Si diversant duket. Frankofoni në fjalë duhet hetuar në vend të qeverisë. Po ç’faj ka qeveria dhe Damian Gjiknuri për ato 30 milionë eurot që i dhanë asaj firmës fantazmë me 1 mijë lek të vjetër në arkë e që ia hoqën me dhembje në shpirt kur një emision televiziv e zbuloi gjëmën! Tupja, ai është strumbullari harmli. Ndenji një natë pa drita dhe iu duk nami. Dermani tha i gjendet kësaj pune veç nëse i jep një firme 12 milionë euro nga OST e nja 18 të tjera për asfalt. Me zinxhir duhet lidhur. Nga ata që lidhnin Herkulin në filma dhe disa nga zelltarët rioshë të rilindjes duhet t’i bërtasin nga pas ‘armik, armik, armik’.

Meqë ra fjala, do pyetje për Damjanin! Sa jetë ke more Damjan, aga? Sa mijëra vjet do jetosh që të duhen kaq allishverishe dhe kaq kurajë për t’i mbrojtur? Ke bindur me atë dalje që të merrej goja teksa na rrëfeje sakrificat që kishe bërë për të korrigjuar gabimin? Gruaja e ministrit i puthte këmbët një delenxhiu nga India që hiqet si shenjtor! O Zot, çfarë skene, megjithëse i dënuar në Gjermani për mashtrim! Ministri le t’ia puthë Ramës për t’i mbijetuar këtij skandali të turpshëm të gjitha vendet e ekspozuara për përqafim.

Por edhe për këto Edmond Tupja e ka fajin. I duhet zbutur shpina qerratait, duhet bërë terbiet, tel madje. Ai, si koleg i frëngjishtes me Kumbaron, duhet të ketë dorë në planet për shembjen e Teatrit, te Veliera e Dakos në Durrës, te betoni në Butrint, por mbi të gjitha tek edukimi përmes leximit. Dikush tha që Kumbaro paskësh dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për penalizimin e profesorit të saj. Në burg, në hapsana, aty e ke vendin. Faje të rënda ka mbi kurriz. Mbase cigaret ia shpie Mirela, se është shpirtdhembshur.

Në këtë dekadencë, në këtë shthurje, në këtë panik që protesta e studentëve e ka venë Qeverinë, ajo e gjora po sillet më keq se byroja politike e vitit 1990, Rama më keq se Ramiz Alia e shumë më tepër qesharak në gjeste, madje as si Adili, ose që të jemi të ndershëm duket bash si Adili në Parlamentin e parë pluralist përballë studentëve.

Ende pakkush ka kurajë të besojë procedimin e profesor Tupes. Mes marrëzisë, perversitetit dhe qesharakes, vërtitet ky fakt. Kryeministër, trego dhembët, përça e sundo, bëj ç’të duash, po jo deri këtu, mos bjer më poshtë se lal Hekri (Hekuran Isai). Ndoshta Policia po kërkon të procedojë edhe Eqerem Çabejn se nuk e di që ka vdekur.

Një lutje dhe një falënderim e kam. Më procedoni edhe mua se dje kam qenë në protestë dhe sot kam kaluar nga bulevardi para Kryeministrisë.