27 Prill 2025

Kandidati për deputet i PS, pjesë e listës së hapur në Tiranë, Fatmir Xhafaj u ka dërguar mesazh shqiptarëve të Diasporës. Mësohet se nga një numër i huaj u kanë vajtur mesazhe shqiptarëve që jetojnë në Diasporë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që procesi i votimit të emigrantëve vazhdon.

Kjo është njësoj sikur një kandidat për deputet të dilte dhe të kërkonte votën ditën e zgjedhjeve, por gjithsesi ka disa pikëpyetje. Së pari, ku e gjeti databazën Fatmir Xhafaj? Pasi personave që u ka vajtur mesazhi nuk janë as anëtarë të Partisë Socialiste, por janë numra të huaj që përdoren nga emigrantët.

E dyta, në rast se dikush do të pyeste a është e mundur dalja e listës nga KQZ-ja, fakti është se një nga personave që u ka vajtur mesazhi nuk është regjistruar për të votuar nga jashtë Shqipërisë.

Numri i mëposhtëm është numri nga i cili janë shpërndarë mesazhet

Procesi i votimit vijon/ Fatmir Xhafaj u dërgon mesazhe emigrantëve,

Patronazhistët jashtë kufijve kanë mundur të sigurojnë një databazë shumë të mirë për socialistët. Fatmir Xhafaj është i pari që e ka marrë dhe e ka shfrytëzuar duke dërguar mesazhe për ta votuar.

Nuk dihet a e ka bërë dhe ndonjë deputet tjetër socialist këtë pjesë, por CNA ka mundur të sigurojë mesazhin që Fatmir Xhafaj u ka dërguar dy personave.

Mesazhi që u është dërguar emigrantëve nga Fatmir Xhafaj.

Përshëndetje!

Uroj të jeni mirë ju dhe familja juaj!

Përmes këtij mesazhi dëshiroj t’ju shpreh falenderimet e mia të përzemërta që jeni rregjistruar për të votuar për zgjedhjet e 11 Majit.

Vota juaj është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit, për rrugën tonë europiane. Është kontributi juaj në përpjekjet për ta bërë vendin tonë më të mirë dhe më të drejtë!

Me respekt ju ftoj të votoni për numrin 5 – Partia Socialiste e Shqipërisë!

Ju jeni në listën zgjedhore të Njësisë 10 Tiranë, të cilën aktualisht unë kam nderin ta përfaqësoj si deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Nëse nuk keni bërë zgjedhje tjetër ndër kandidatët, me shumë përunjësi ju kërkoj votën për kandidaturën time në listën e hapur të PS. Ju siguroj se vota juaj do të jetë një motiv më shumë për mua për të shërbyer me integritet dhe përkushtim për një qeverisje më të mirë, për të forcuar shtetin dhe drejtësinë, për ta bërë më të mirë të ardhmen tonë të përbashkët.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth fushatës sime dhe programit tim për këtë mandat të ri ju lutem të shihni faqen zyrtare në facebook https://www.facebook.com/fatmirxhafajps/ e Instagram https://www.instagram.com/fatmirxhafaj_ps/ si dhe linkun më poshtë për më shumë detaje: https://www.fatmirxhafaj.com

Uroj gjithë të mirat për ju dhe familjen tuaj!

Përzemërsisht,
Fatmir Xhafaj/ CNA