Produkti 4000-vjeçar, vendi që prodhoi rastësisht kosin dhe e shpërndau në të gjithë botën
Produkti 4000-vjeçar, vendi që prodhoi rastësisht kosin dhe e shpërndau në të gjithë botën
Qershor 2021
Në këtë vend, kosi është kudo, në dyqane e në lokale dhe është baza e pjatave tradicionale si taratori, apo “snezhanka”, një sallatë e përbërë nga kosi, trangujt, hudhra dhe kopra.
Historia e prodhimit të kosit lidhet me Bullgarinë, por identiteti i Bullgarisë mund të gjurmohet përmes prodhimit të këtij produkti.
Shumë bullgarë pretendojnë se kosi u zbulua rastësisht rreth 4000 vjet më parë kur fiset nomade endeshin në këto zona.
Nomadët mbanin qumështin në lëkurat e kafshëve, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe të mbyllur që bakteret të rriteshin dhe të nxisnin fermentimin, që çonte më pas në prodhimin e kosit.
Elitsa Stoilova, profesoreshë e etnologjisë, është e mendimit se ndonëse mund të jetë pak e vështirë të përcaktosh saktë nëse është Bullgaria, vendi i origjinës së këtij produkti, shumë vende të Ballkanit e kanë pasur pjesë të dietës së tyre kosin, për shekuj me radhë.
Sipas saj, vetëm në Ballkan dihet formula e papërcaktuar saktë, e prodhimit të këtij produkti. Megjithatë, Bullgaria luajti rol në shndërrimin e kosit në një produkt popullor, që tregtohet masivisht, dhe që hyri shumë shpejt edhe në dietat mesdhetare dhe perëndimore.
Një shkencëtar bullgar në vitin 1904, analizoi në laboratorin e tij një enë tradicionale prej balte, të quajtur “rukatka”, që përmbante kos shtëpie. Ai arriti të identifikonte bakterin thelbësor që nxiste fermentimin e kosit, mikroorganizmi u bë i njohur si “lactobacillus bulgaricus”, duke e lidhur kështu përgjithmonë kombin bullgar me prodhimin e kosit. Për nder të zbulimit të tij, fshati Trun i Studen Izvor, ku lindi shkencëtari Grigorov, tani strehon muzeun e vetëm të kosit në botë. Pas tij edhe një sërë shkencëtarësh vunë re benefitet e kosit bullgar të prodhuar në mënyrë tradicionale. Ata vunë re se ky produkt ishte një nga ushqimet që siguronte jetëgjatësinë e banorëve sidomos, në Malet Rodope të Bullgarisë, ku prodhimi i kosit bëhej sipas traditës mijëravjeçare.
Veçantia e kosit bullgar qëndron në shumëllojshmërinë e tij. Nëse dy gjyshe në fshatra të ndryshme prodhojnë kos nga të njëjtat produkte, rezultatet do të kenë shije të ndryshme. Kjo vjen nga një sërë faktorësh, që lidhen me tokën, kafshët dhe njohuria për prodhimin e tij që përcillet nga brezi në brez.
Gazeta Dita