Prof.dr. Bardhosh Gaçe një profil i rëndësishëm shkencor i kulturës kombëtare
Prof.dr. Bardhosh Gaçe një profil i rëndësishëm shkencor i kulturës kombëtare
6 mars 2020
Nga: Prof. Afërdita Onuzi
Në kulturën dhe në trashëgiminë tonë kombëtare ka një histori jashtëzakonisht të rëndësishme, përmes të cilës mund të kuptosh jo vetëm të kaluarën, por edhe të sotmen, mbijetesën nëpër të cilën ka rrugëtuar nëpër shekuj, nëpër vende, krahinë më krahinë, fshat më fshat dhe shtëpi më shtëpi një pasuri të jashtëzakonshme, e cila përveçse është një thesar i çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për kulturën botërore ndërkohë. Themi kulturën botërore, pasi disa nga këto pasuri janë bërë pjesë edhe e kulturës botërore, duke u marrë nën kujdesin e UNESKO-s apo ndonjë organizmi tjetër ndërkombëtar. Kjo pasuri e rëndësishme dhe jetike, që lidhet shumë me identitetin tonë kombëtar, ka pasur dhe vazhdon të ketë hulumtues, studiues, punonjës dhe kontribuues të rëndësishëm, të cilët përveçse e nxorën nga rrënojat dhe harresa një nga pasuritë e çmuara të vendit, ata vazhdojnë të gjurmojnë përditë dëshmi, krijimtari, relikte, copëza dhe vlera të tjera, të kulturës popullore, të cilat qëndrojnë ende në zonat e thella të vendit.
Këta misionarë të trashëgimisë shqiptare i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kulturës sonë popullore, veçmas në kushtet e sotme, pasi na kanë dëshmuar se kjo kulturë është akoma e pa gjurmuar plotësisht, se akoma në mjediset shqiptare ka krijime dhe vlera të paçmuara të saj. Janë të shumta udhëtimet në kushtet e vështira të ekspeditave folkloristike dhe etnologjike, të cilat kishin një gjeografi të gjerë, në zonat rurale, madje në fshatrat e thella të vendit, të cilat kanë pasur vështirësi të mëdha në punën e folkloristëve dhe etnologëve. Puna me ekspedita është një nga punët më të vështira, pasi në të krijohen kushtëzime të mëdha psikologjike dhe të komunikimit, të infrastrukturës dhe të mënyrës për të krijuar komunikim dhe bashkëpunim, sepse lënda folklorike gjendet në mjedise të ndryshme familjare, nivele të ndryshme arsimimi, në rrethana të caktuara tradicionale e dokesore, por edhe shumë kushtëzime të tjera.
Këta misionarë, kontribuues, njerëz pasionantë duhet të kenë gjithë falënderimin dhe vlerësimin njerëzor, intelektual, shtetëror dhe të institucioneve shkencore të kulturës popullore dhe shkencës shqiptare për shërbimin kompleks që i kanë bërë kësaj kulture, vendit dhe identitetit tonë kombëtar. Prof. dr. Bardhosh Gaçe është njëri nga këta njerëz të përkushtuar, i cili në kujtesën e çdo bashkëkohësi të tij, punonjësi të Institutit të Kulturës Popullore, të Universitetit dhe të institucioneve të tjera nuk ndryshon kurrë; është ai njeri i cili komunikon, bashkëpunon, gjurmon dhe hulumton me një bashkëpunim me të gjitha trevat e vendit. Askush më mirë dhe më shumë se prof. Bardhosh Gaçe nuk e përdor në shërbim të kësaj fushe njohjen e madhe që ai ka me të gjitha krahinat e vendit dhe jashtë tij.
Profesor Bardhoshi duket, se ka lindur etnolog, pasi ai është bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit në Tiranë që kur ishte student i Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm i tij me prof. Zihni Sakon, por edhe me studiuesit e njohur të kulturës popullore si: Qemal Haxhihasani, Rrok Zejzi, Kozma Vasili, Arsen Mustaqi, Beniamin Kruta, Spiro Shituni e të tjerë, siç duket e forcuan pasionin e tij për këtë fushë. Madje edhe diplomën në universitet, prof. Bardhosh Gaçe e ka mbrojtur nën udhëheqjen e Prof. Zihni Sakos, për të cilën shënon në oponencën e tij, se kishim të bënim me “Një punim me vlera të reja në studimet tona folklorike”. Në të vërtetë Bardhosh Gaçe që student kishte shfaqur besueshëm shqisën e një studiuesi të ardhshëm, në materialet folklorike të të cilit kishte edhe nga krijimtaria e rapsodit të njohur popullor të Labërisë, Selim Hasanit të famshëm, i cili mban edhe titullin e lartë “Artist i Popullit”. Një bashkëpunim të ngushtë ai ka paur edhe me studiuesit më në zë si: në Kosovë, si: Sadri Fetiu, Anton Çeta, Shefqet Pllana, Qemal Murati, Fazli Syla, Hamit Xhaferi. Nuhi Vinca, Bahri Brisku, Idriz Ajeti, Anton N. Berisha, Zymer U. Neziri, Emin Kabashi, Zeqirja Neziri etj. duke realizuar një varg gjurmimesh e studimesh etnofolklorike.
Bardhosh Gaçe përveç vështirësive, të cilat ai i ktheu në favorin e punës së tij prej gjurmuesi dhe studiuesi, shërbeu si mësues dhe në Veri të Shqipërisë, treva të cilat njihen për pasurinë folklorike dhe traditën e hershme popullore. Ai ka shërbyer si mësues në Kukës, në Tropojë, në Lezhë dhe në Shkodër, kohë të cilën ai e shfrytëzoi mjaft mirë, duke mbledhur dhe hulumtuar trashëgiminë popullore, të cilën e ka konsultuar vazhdimisht me punonjësit shkencorë të Institutit të Folklorit në Tiranë, duke shtuar në arkivin e këtij instituti, në korpusin “Trashëgimi kulturor i popullit tonë” të Akademisë së Shkencave një pasuri të çmuar.
Profili i studiuesit Bardhosh Gaçe është pasuruar në mënyrë të vazhdueshme edhe në një gjeografi të gjerë gjurmimesh dhe hulumtimesh që nga Lumi i Vlorës, Kurveleshi, Himara, Dukati, Luma, Has të Kukësit, në Zadrimë e Malësi të Madhe, në Fushë – Arrës, në fshatra të Pukës, në Sllovë e Maqellarë të Dibrës, por edhe te shqiptarët e Malit të Zi, ata të Maqedonisë Veriore, në Kosovë, arvanitasit e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë, me të cilat në ISKA, ai ka krijuar një arkiv personal prej hulumtuesi, gjurmuesi dhe materialesh të larmishme me vlera të rëndësishme për kulturën popullore shqiptare.
Në formimin e studiuesit Bardhosh Gaçe, si folklorist dhe si etnolog qëndron një punë e mundimshme dhe e vazhdueshme prej ekspedisti të kërkimit shkencor bashkë me etnografin e njohur Rrok Zojzi, që nga mbledhja e të drejtës zakonore të krahinës së Labërisë, e njohur ndryshe si “Kanuni i Papazhulit” (në fshatrat e Kurveleshit të Sipërm e në Himarë, Mesaplik e Shën Vasi), pastaj në kërkimet folklorike me studiuesit e rëndësishëm të folklorit shqiptar: Qemal Haxhihasani dhe Beniamin Krutën në Dukat, Himarë, Lapardha e Vranisht, në fushën e epikës historike dhe polifonisë shqiptare; pastaj bashkëpunimi i ngushtë me studiuesin Kozma Vasili, në përgatitjen e vëllimeve të rapsodëve popullorë “Selim Hasani”, “Mato Hasani” dhe “Xhebro Gjika”; gjurmimin dhe mbledhjen e vajtimeve popullore në Lumin e Vlorës, si dhe bashkëpunimet me mbledhës të folklorit si: Musa Muho, Fatos Mero Rrapaj, Fane Veizi, Llambi Durolli, Jani Nushi, Mitat Kondi, të cilët kanë edukuar tek ai ndjenjën e bashkëpunimit dhe dashamirësinë për këtë kulturë të gjerë.
Zhvillimet demokratike të pasvitit 1990 krijuan një mundësi të rëndësishme për punën dhe pasionin e studiuesit, hulumtuesit dhe kërkuesit shkencor Bardhosh Gaçe. Arkivës së tij hulumtuese do t’i shtohen kërkimet në trevat ndërshqiptare në Maqedoni (Gostivar, Tetovë, Kumanovë, Shkup, në zonën e Prespës), në Kosovë (Drenicë, Mitrovicë, Fushë – Kosovë, Gjakovë, Prizren, Rugovë etj), në fshatrat shqiptare dhe arvanitasit në Greqi, në hapësirën tradicionale të kulturës së hershme shqiptare tek arbëreshët e Italisë, ku ai ka gjetur një bashkëpunim mjaft të frytshëm dhe të rëndësishëm edhe për krejt kulturën popullore shqiptare me studiuesit e njohur Aristidh Kolia (në Greqi), Antonio Belushin dhe Francesco Altimarin në horën arbëreshë të Italisë.
Studiuesi dhe hulumtuesi i njohur Bardhosh Gaçe është një emër i njohur në kulturën popullore shqiptare, një studiues dhe interpretues shkencor i tij. Puna e folkloristit, gjurmuesit dhe hulumtuesit të kulturës popullore ka një specifikë të vetën, pasi mundësia e kontaktit me njerëzit është e madhe dhe shumë e rëndësishme. Puna e folkloristit, veçmas kur ai punon në terren, është art dhe mjeshtërì, për të pasur rezultate. Personalisht kam pasur fatin të marr pjesë në ekspeditën etnofolklorike në fshatrat e Bregut të Himarës, në vitin 1996 bashkë me Bardhosh Gaçen dhe rapsodin e njohur të Bregut Lefter Çipa. Në këtë rast, kam kuptuar aftësinë dhe mjeshtërinë që gjurmuesi Bardhosh Gaçe kishte në komunikimin dhe aftësinë për të komunikuar me njerëzit e niveleve të ndryshme dhe të zonave të ndryshme. Në komunikimin e tij, dukej se kishte diçka magjike për t’u hapur çdo derë dhe portë e komunikimit Ekspedita e kësaj kohe kishte mjaft rëndësi për kulturën popullore të Jugut dhe atë shqiptare në përgjithësi, pasi nën kujdesin e Akademisë së Shkencave, me studime të shkencave albanologjike u botua vëllimi “Himara në shekuj”, ku studiuesi Bardhosh Gaçe ka një rol të rëndësishëm. Prof.dr. Bardhosh Gaçe ka një përvojë të mirë si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore Tiranë (sektori i prozës dhe poezisë) gjatë viteve 2004-2008. Studimet e natyrës etnologjike dhe folklorike, ku veçon studimi monografik me titull: “Përkime poetike midis poezisë popullore dhe poezisë së kultivuar shqipe”, një punim i cili ngërthente në vetvete një natyrë të hapur dhe me shumë referencialitet krahasues, përbën natyrën e një punonjësi të talentuar dhe bashkëkohor. Në profilin e prof. dr. Bardhosh Gaçe shquan veprimtaria e vazhdueshme e kërkimit shkencor në etnokulturën shqiptare, e zhvilluar më së shumti në rrethin e Vlorës, por edhe në qytetet dhe aktivitetet e karakterit kombëtar. Si hulumtues, gjurmues dhe studiues i trashëgimisë popullore, prof. Bardhosh Gaçe i ka ofruar lexuesit shqiptar, studentëve të filologjisë, institucioneve shkencore botime me vlera të rëndësishme për traditën e Polifonisë së Labërisë, këngën qytetare të qytetit të Vlorës, studimet letrare dhe historike për personalitete të shumta të dijes historike dhe bashkëkohore shqiptare. Profesor Gaçe mbetet një veprimtar i përkushtuar, një kontribuues i rëndësishëm në konferencat shkencore brenda dhe jashtë vendit për folklorin dhe etnologjinë, letërsinë dhe artin, një lektorues i vazhdueshëm në konferenca shkencore të qendrave universitare dhe Akademisë së Shkencave, në Shqipëri Maqedoni, Kosovë,Kroaci, Poloni, Rusi, Spanjë, Greqi, Turqi dhe Itali. Një kontribut të veçantë ai po jep edhe përmes detyrës së kryetarit të Shoqatës Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, e cila është një shembull i shkëlqyer i veprimtarive për të përditësuar vlerat tradicionale – historike dhe ato bashkëkohore kulturore – demokratike. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe është një figurë komplekse, profili i të cilit tashmë ka karakter kombëtar.
Tiranë, 5 mars 2019