Prof. Ramadan Sokoli. (14 qershor 1920, Shkodër-Tirane 11 mars 2008).
Prof. Ramadan Sokoli. (14 qershor 1920, Shkodër-Tirane 11 mars 2008).
Nga: www.vasiltole.com
Me 14 qershor, ditelindja e themeluesit te etnomuzikologjise shqiptare Prof. Ramadan Sokoli (14 qershor 1920, Shkodër-Tirane 11 mars 2008). Lindi në qytetin e Shkodrës më 14 Qershor 1920 në familjen patriotike dhe atdhetare të Sokolave. Arsimin fillor dhe të mesëm i kryen në qytetin e Shkodrës. Në vitet 1940-1944 kryen studimet e larta muzikore në Firence, Itali. Pas çlirimit të vendit kryen detyrën e pedagogut të Folklorit Muzikor Shqiptar në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve, degë të cilën e krijoi ai vetë. Nga vitet 1946-1950, Prof. Sokoli burgoset nga diktatura komuniste duke dashur të thyejë karakterin e pathyeshëm të këtij burri të rrallë të Shqipërisë në shek. XX, pjesë e kalvarit të dënimeve që morrën edhe pjestarë të tjerë të familjes së Tij gjatë atyre viteve.
Deri në botimet e para të Prof. Sokolit, të cilat filluan rreth viteve 1950, etnomuzikologjia shqiptare nuk ekzistonte. Ndër gjithë opusin e tij krijues punimet në foklorin muzikor e përkatësisht në etnomuzikologji zënë kryet e vendit, vepra të cilat janë ndër të tjera edhe punimet themeluese të etnomuzikologjisë shqiptare në përgjithësi. Në një lloj kuptimi gjithë kontributi etnomuzikologjik i prof. Sokolit eshtë si një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të fenomenit të folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Këtë e konstatojnë studiuesit, muziktarët, srtudentët dhe nxënësit e muzikës, për të cilët ai orientoi dhe futi në strukturën e shkollës qysh në vitet ’50 të shek. XX-të, si një diçka të natyrshme lëndën e Folklorit Muzikor Shqiptar. Ishte një hap mendimtari ky, ai që përcaktoi edhe orientimin prej vlerave tona shekullore, që shkolla e re shqiptare duhej detyrimisht t’i ndiqte. Në vitet 1957 dhe 1959, përmes organizimit të ekspeditave të përbashkëta ndërkombëtare me institutet kërkimore shkencore të Gjermanisë dhe Rumanisë, ndikoi së tepërmi në popullarizimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, ndër to edhe të folklorit muzikor çam, në Evropë e më gjerë.
Vlerat e veprës së Prof. Sokolit janë konturuar së bashku me rritjen profesionale, shkencore dhe artistike të autorit të saj. Ajo ç’ka i ka ngjizur ato në një unitet të vetëm rrezatues, është shpirti, puna dhe përkushtimi i tij prej rilindasi. Falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm dhe interpretimeve të tij shkencore, kanë folur shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, të mëdhenjtë Niketë Dardani, Jan Kukuzeli e Danush Lapacaja, figurën e Skënderbeut në muzikë, si dhe janë dhënë përgjigje thelbësore për mënyrën e organizimit dhe tipologjitë bazë të folklorit muzikor shqiptar duke filluar prej veglave tona muzikore e deri tek përgjigje të komplikuara të origjinës së muzikës sonë popullore, këtej e matanë kufirit.
Po kaq të rëndësishme e konsiderojmë edhe krijimtarinë e tij muzikore, e cila ka në thelb orientimin për nga vlerat e etnomuzikës; punimet e tij muzikologjike në të cilat influenca e etnomuzikës është e drejtpërdrejtë, e po aq konstatimi se edhe në studimet e tij albanologjike, vështrimi etnomuzikologjik i problemit albanologjik është më se origjinal. Janë të paharrueshme krijimet e tij muzikore të të gjitha llojeve dhe gjinive, duke kujtuar ndër to këngët aq të njohura si: “Turtulleshë”, “Blegron delja”, “Luleja me erë” etj.
Puna e tij e jashtëzakonshme u krye pa mbështetjen e duhur dhe kujdesin e veçantë që duhet të kishte ky kollos i trashëgimisë sonë shpirtërore. E gjithë vepra e tij mban vetëm vulën e punës së tij të përveçme, e kryer jashtë ambjenteve të institucioneve zyrtare të studimit të traditave, por nën kujdesin e veçantë të zonjës Lili, gruas së tij të dashur dhe të përkushtuar ndaj Tij deri në çastet e fundit, kur edhe ajo u nda nga jeta disa vjet më parë. Prof. Sokoli i ka kushtuar veprën “16 Shekuj”, dashurisë dhe kontributit të Saj.
Me shumë vonesë, vetëm në vitin 1995 i jepet titulli i Profesorit, ndërsa me 2002 i akordohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, titulli “Mjeshtër i Madh”. Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve. Për jetën dhe veprën e Tij, muzikologu Osman Xhatufa ka shkruar monografinë “Ramadan Sokoli, jeta dhe vepra” në vitin 2004. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës. Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e Tij të pamatë, Prof. Ramadan Sokoli është bërë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë.
Botimet kryesore të autorit:
-“Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, Tiranë 1958; “Albanskie narodnie pesni”, Tiranë 1965; “Figura të ndritura”, Tiranë 1965; “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë 1965; “Chansons populaires albanais”, Tiranë 1966; “Metodë për fyell”, Tiranë 1970; “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, Tiranë 1971; “Folklori muzikor shqiptar-organografia”, Tiranë 1975, 1984, 1987, 1991; “Figura e Skënderbeut në muzikë”, Tiranë 1978; “Gjurmime folklorike”, Tiranë 1982; “Këngë patriotike”, Tiranë 1985; “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, me bashkautor, Tiranë 1991; “16 shekuj”, Tiranë 1995; “Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaj”, Tiranë 2000; “Gojëdhana dhe përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë 2000, si dhe dhjetra artikuj në shtypin periodik shqiptar e të huaj.