Profesori amerikan: – Afrimi i Ramës me Vuçiç nuk është i shëndetshëm

5 JANAR 2022

Afrimi i Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçicc nuk është “i shëndetshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

“Në fakt, duhet përkujtuar se një Serbi e madhe çon në krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe anasjelltas. Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme dhe ajo po thyhet në Kosovë, në lumin Ibër. Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të realizohet pa vlera evropiane, demokratike.

Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm”, konsideron Joseph.

Ai shton se është fakt i paqëndrueshëm që Kosova ende nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pronës së Manastirit të Deçanit.

Ai po ashtu thekson se Kosova e ka obligim që ta zbatojë vendimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse këtë e ka pranuar në vitin 2013 dhe 2015, në kontekstin e negociatave.

“Prishtina mund të propozojë në mënyrë konstruktive se si Asociacioni komunave me shumicë serbe mund të organizohet në harmoni me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe me interesat e serbëve atje. Është shumë e mundur të formohet një asociacion i tillë që nuk do të ishte Republikë Sërpska, duke kontribuar kështu në krijimin e besimit”.

Sipas tij, presidenti serb Alleksandar Vuçiq e paraqet Serbinë si një partnere kyçe në rajon për Perëndimin, edhe pse nuk është.

“Në fakt është një faktor destabilizues. Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh ‘Botën serbe’, sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin, duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë”, thekson Joseph.

Protestat janë një problem serioz për Vuçiqin

Radio Evropa e Lirë: Në muajt e fundit, qytetarët e Serbisë kanë protestuar në shumë qytete për çështje mjedisore, veçanërisht për shkak të projektit kundërthënës të kompanisë, Rio Tinto për shfrytëzimin e litiumit. A është luhatur seriozisht pozicioni i Alleksandar Vuçiqit, për herë të parë që nga ardhja në pushtet nëntë vjet më parë apo ai ia doli të kontrollojë dëmin duke shtyrë ligjet e diskutueshme për shpronësimin e tokës dhe referendumin, të cilat, të paktën pjesërisht e zbutën zemërimin e publikut?

Edward Joseph: Mendoj se ky është një problem serioz për Alleksandar Vuçiqin dhe regjimin autokratik, në krye të së cilit është ai. Ai, gati se për një dekadë e udhëheqë vendin prapa nga një demokraci e dobët, por megjithatë një demokraci siç ishte në të gjitha qeveritë e mëparshme pas rënies së Sllobodan Millosheviqit e deri në vitin 2012. Që atëherë, qeveritë e drejtuara nga Alleksandar Vuçiqi kanë qenë jodemokratike. Këto protesta për mjedisin janë sfidë për të, sepse shprehin në radhë të parë kërkesën për demokraci, që të dëgjohet zëri i qytetarëve në vendimmarrje.

Gazeta Shqip