Projekti i Amfiteatrit të Durrësit, Bylykbashi: – Qytetarët po kërcënohen! – Do shembë në mënyrë selektive 205 banesa
14 Tetor 2022
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, denoncoi projektin e dhënies së Amfiteatrit të Durrës me koncesion pasi sipas tij ai është abuziv, ndërsa nga gërmimet brenda zonës arkeologjike do të shemben 205 shtëpi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bylykbashi e konsideroi si skandal procesin e shpronësimeve të banorëve, durrsakëve autoktonë, ku qeveria po kërcënon qytetarët që preken nga projekti dhe kërkon t’i shpronësojë ata në periferi, duke shkelur të drejtën e pronës.
“Banorët e zonave afër amfiteatrit sot po kërcënohen në të drejtat e tyre bazë e themelore të pronësisë, për shkak të një projekti abuziv, madje mund të jetë edhe korruptiv, që të paktën shkel të drejtat e tyre ligjore dhe kushtetuese. Projekti për zgjerimin e gërmimeve për amfiteatrin dhe zonës përreth. Fillimisht u fol vetëm për 80 banesa që do të prisheshin, tani projekti në mënyrë krejt abuzive dhe pa asnjë lloj parashikimi ka shkuar në 205 banesa. Vetë ministrja ka thënë në një seancë konsultimi që nuk e dimë sa banesa do prishen dhe sa është vlera e projektit. Asgjë nuk është e sigurt dhe transparenca është zero. Ata qytetarë sot aty kërcënohen që të degdisen në periferi të qytetit, edhe pse ka shekuj që janë banorë autoktonë. Edhe ata banorë janë gati ta mbështesin projektin për interes publik, por duhet të garantohen për çdo lekë dhe metër katror”, tha Bykylbashi.
Deputeti demokrat i Durrësit kërkoi rishikim të projektit, që sipas tij as komunizmi nuk guxoi ta bënte që të rrafshonte të gjithë lagjen e vjetër të qytetit. Bylykbbashi hodhi akuza për ish-kryetarin e Bashkisë, Vangjush Dako, dhe kryetaren aktuale, Emiriana Sako, se kanë ndërhyrë në procesin e shpronësimeve duke e kthyer tërësisht në politik në dëm të pronarëve.
“Ajo që po ndodh sot është veprim abuziv. As komunizmi nuk guxoi ta rrafshonte të gjithë atë lagje. Ky është projekti ku pretendohet të bëhet rrafsh lagjja më e vjetër e qytetit të Durrësit. Prishja e këtyre pronave do t’i kushtojë shumë shtrenjtë buxhetit të shtetit. Ju do t’i paguani ata më një çmim joreal kur Kushtetuta thotë shpërblim i drejtë. Ju po i nxirrni në rrugë dhe u thoni me këto para vrisni veten sepse ata nuk blejnë asgjë aty. Përveç mungesës së transparencës dhe jopropocionalitetit, ajo që po bëni sot është një selektivitet politik. Disa banesa aty nuk do të prishen vetëm se kanë lidhje me pushtetin, me kryetaren e bashkisë. Të tjera do të futen në projektin e prishjes edhe mbasi janë vlerësuar miliona euro vetëm se i intereson ish-kryetarit të bashkisë. Ky është selektivitet politik. Hallexhinjtë hidhen në rrugë me pak para, kurse ata që janë në pushtet do të përfitojnë. Ky projekt duhet të rishikohet”, tha Bylykbashi.
Kujtojmë që në mesin e këtij viti, qeveria shqiptare dha me koncesion amfiteatrin e për t’u menaxhuar nga një fondacion privat, konkretisht Fondi shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, për një periudhë 15-vjeçare.
Kelment BAÇI, Gazeta Panorama