Projekti për lagunën Kune Vain, Klosi: Do ketë pyllëzim të plotë
Laguna e Kune-Vainit do të ketë një pyllëzim të plotë dhe falë projektit për rekuperimin e lagunës do të shpëtojë një pjesë e madhe e saj nga erozioni dhe përmbytjet. Kështu është shprehur Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë lançimit të zbatimit të projektit “Arritja e përshtatjes së Lagunës Kune-Vain përmes adaptimit të bazuar në ekosistem. “Projekti që kemi ardhur sot që të lancojmë është një nga projektet që do të shpëtojë në masën më të madhe një nga perlat e Shqipërisë, që është laguna e Kune Vainit dhe projekti ka për qëllim të krijojë një kanal i cili do të mbrojë lagunën, do të sjellë ujin e kripur dhe po ashtu një pjesë shumë e rëndësishme e projektit do të jetë mbjellja e pemëve. Në procesin tonë të madh për pastrimin e Shqipërisë kuptojmë problematikat e kësaj zone por po ashtu kuptojmë edhe pyllëzimin”, tha ministri Klosi në takimin e mbajtur me përfaqësues të UNEP, të pushtetit lokal dhe të administratës së zonave të mbrojtura në Lezhë.
Gjatë inspektimit në terren të zonës ku do të fillojë ndërhyrja Ministri Klosi theksoi se do të ketë një pyllëzim të plotë që bashkë me dy moratoriumet, të gjuetisë dhe të pyjeve do të jenë në funksion të faunës së pasur të zonës.
“Brenda vitit 2020 do të mbjellim 2 milion e 200 mijë pemë dhe projekti i Kune Vainit dhe projekti që mbështet të gjithë këtë infrastrukturë do të jetë një pjesë shumë e rëndësishme. Do të kërkojmë një pyllëzim të plotë të zonës e cila do t’i shërbejë faunës. Kur vjen në këtë perlë të Shqipërisë e kupton sesa efektivë kanë qenë të dyja moratoriumet; edhe ai për ndalimin e gjuetisë edhe ai për ndalimin e prerjes së pemëve”, tha ministri Klosi.
Projekti “Arritja e përshtatjes së Lagunës Kune-Vain përmes adaptimit të bazuar në ekosistem“ që po fillon zbatimin do të përfundojnë në fund të vitit 2019.
Agjensia e Lajmeve Sot News/