Prokurori i dosjeve “të nxehta” që ndodhet në Uashington fut në ankth politikën shqiptare.- Ja politikanët që rrezikojnë burgun dhe konfiskimin e qindra milionë euro pasuri
Nga Elmas Bogdani
4 GUSHT 2022
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po merr udhëzime nga SHBA, e cila duket e vendosur për të çuar para drejtësisë “koka të mëdha” të fuqishme që deri më sot kanë qenë të paprekshëm. Treshja më e rëndësishme e SPAK ndodhet në Uashington për një vizitë në Departamentin e Drejtësisë. Por ajo që vihet re, është se në këtë vizitë, kreu i kësaj strukture, Arben Kraja shoqërohet nga Prokurori i Posaçëm, Vladimir Mara. Gazeta “Sot” raportoi një ditë më parë se Mara, pjesë e grupit të prokurorëve të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, po heton dosjen e inceneratorëve ku janë të rrezikuar funksionarë shumë të lartë të shtetit.
Por përveç kësaj, Vladimir Mara, ka në dorë dosje të tjera edhe më të nxehta në Prokurorinë e Posaçme. Mjafton këtu të përmendim, dosjen “339”, e cila ka qenë një ndër temat që vazhdon të komentohet ende në politikën shqiptare, me akuza nga të gjitha palët. Dosja “u rëndua” edhe më shumë për nga pesha, në momentin kur tabloidi gjerman”Bild”, publikoi disa audio-përgjime ku dolën zbuluar politikanë të lartë shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve kriminale të përfshirë në zgjedhjet në Shqipëri.
Gjithashtu, Mara ka në dorë dhe dosje për pronat në bregdet. Me udhëzimet e amerikanëve Prokuroria Speciale pritet të hidhet në veprim, ku përqendrimi kryesore do të jetë sekuestrimi i pronave të vënë nga paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, shumica e të cilave ndodhet në bregdetin shqiptar.
Ja pushtetarët e lartë që rrezikohen
Por duke qenë se hetimet e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë shtrirë në bregdet dhe konkretisht në Gjirin e Lalëzit, fakt ky që u bë publik pak kohë më parë edhe nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, Prokuroria Speciale me udhëzimet nga amerikanët dhe dosjet që ka në dorë, Mara i cili ndodhet në Uashington, pritet të trokasë dhe iu kërkoj llogari pushtetarëve se ku i gjetën lekët që kanë bërë vila buzë detit dhe jovetëm. Janë të shumtë pasanikët që janë banorë sezonalë në Lalëz, zonë kjo e shndërruar tashmë në oazin e politikanëve të të gjithë krahëve, oligarkëve, dhe sigurisht të fortëve.
Gazeta “SOT”, po risjell sot për lexuesin disa detaje rreth personave që përbëjnë habitatin në Lalëz. Në fshatin turistik Lura, banori më i famshëm sezonal aty është ish-kryeministri Sali Berisha. Vila më madhështore aty është pikërisht kjo që shihni. Aty strehohet Berisha i cili në fakt kurrë nuk ka pranuar të jetë pronari. Berisha është fotografua disa herë teksa ecën pikërisht para shëtitores së vilës së familjes. Ai ka deklaruar se vila është e familjes Malltezi, pra, vajzës së tij Argitës e cila është e martuar me Jamarbër Malltezin. Referuar të dhënave të publikuara nga “Open Data” për deklarimin e pasurisë, aty pasqyrohen shpenzimet e vajzës së Berishës për vilën në Gjirin e Lalzit. Vetëm për rikonstruksion në një rast Argita ka shpenzuar plot 45 mijë euro. Prej vitit 2010, Berisha ka fqinj në Gjirin e Lalzit aleatin e ngushtë të asaj kohe, ish kreun e LSI Ilir Meta, sot president. Familja Meta, deklaron një kontratë sipërmarrje me kompaninë Lura Shpk për një godinë banimi 2-katëshe 317 metra katrorë në Gjirin e Lalzit. Ndryshe nga Berisha, në fakt familja Meta thotë se vilën luksoze dhe është blerë me paratë e trashëguara. Për të kuptuar vlerën, mjafton të shohim njoftimin për shitjen e një vile pranë atyre të ish-kryeministrit dhe presidentit. Çmimi shkon plot 5 milionë euro dhe ka pak a shumë të njëjtën madhësi dhe komoditet me to. Por në Lalëz kanë vila edhe ish-ministri Flamur Noka dhe ish-kreu i KQZ, Arben Ristani.
Mes pronarëve në Gjirin e Lalzit është edhe ish-kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, sipas “Open Data”. Në vitin 2007, ai ka deklaruar blerjen e një trualli prej 500 metrash katrorë, por nuk jepen të dhëna nëse prona është zhvilluar me ndërtim. Arben Ahmetaj, vilë në Qerret 150 milionë lekë, vilë në Gjirin e Lalëzit e padeklaruar. Damian Gjiknuri, apartament 270 mijë euro, apartament 70 milionë lekë, apartament 28 mijë euro, apartament 26 mijë euro, dyqan 125 mijë euro. Fatmir Mediu, vilë në Golem. Genc Ruli, vilë në Qerret, 60 milionë lekë. Genc Pollo, vilë në Qerret, Kavajë, 70 mijë euro.
Sandër Lleshi, vilë 150 mijë euro në Gjirin e Lalzit. Petrit Vasili, vilë me vlerë të papërcaktuar në Gjirin e Lalzit. Edmond Haxhinasto, vilë me vlerë të papërcaktuar në Gjirin e Lalzit. Myqerem Tafaj, vilë te Gjiri i Lalëzit. Gazetaret Andi Bejtja dhe Mustafa Nano, ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi, ish-vjehrri i Sali Berishës, Luan Malltezi, Ambasadori shqiptar ne Prishtine Qemal Minxhozi.
“Tërmeti” që mund të shkaktojë dosja “339”
Qindra CD të dosjes 339, mund të tronditin politikën shqiptare. Kjo është super-dosja elektorale ku opozita ka akuzuar se bandat kanë punuar së bashku dhe më pas kanë ndarë njëlloj bashkë pushtetin e fituar. Në përgjimet që nxori “Bild”, dosja 339, është një investim partnerësh më së shumti, me fashikuj të pafund përgjimesh, për blerjen masive të votave në të gjithë qarqet e Shqipërisë.
Tabloidi gjerman zbardhi skemën kriminale të bashkëpunimit të qeverisë me bandat. Zëri i Amerikës, raportoi kohë më parë se jo vetëm Vangjush Dako është i përfshirë. Në këtë dosje janë në përgjime dhe zyrtarë të tjerë. Në përgjimet voluminoze, krahas zotit Dako, jozyrtarisht mësohet se u kanë dalë emrat edhe disa zyrtarëve të tjerë të pushtetit vendor, si dhe disa gjyqtarë e prokurorë, të cilët mund të pyeten në vazhdim të hetimeve. Emri në përgjime i doli dhe Damian Gjiknurit, por jo vetëm. Me zë, doli dhe kryeministri Rama.
Vangjush Dako, i hodhi poshtë më parë dyshimet për blerje votash përmes bashkëpunimit me grupe kriminale, duke thënë se ata i takonte si qytetarë të Durrësit, si mbështetës të tij dhe si veprimtarë elektoralë. Emri dhe zëri i zotit Dako është regjistruar në biseda telefonike të përgjuara anëtarëve të këtij grupi kriminal, i cili krahas trafikimit të narkotikëve, dyshohet për shitblerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.
Gazeta Sot