Prokuroria nuk filloi hetimin ndaj Autoritetit të Dosjeve. – Partia e Lirisë tregon vendimin që kanë marrë, ja çfarë pritet të ndodhë ditën e sotme
14 Tetor 2022
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaroi se këtë të premte do të ankimohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimi i Prokurorisë për të mos filluar një hetim ndaj Autoritetit të Dosjeve.
Në një deklaratë për mediat, Vasili u shpreh se Prokuroria nuk ka respektuar asnjë nga detyrimet më themelore të ligjit, si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
“Ky vendim i Prokurorisë është nul, pasi nuk ka respektuar asnjë nga detyrimet më themelore të ligjit, si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje. Mos fillimi i çështjes penale nga Prokuroria e Tiranës, pa kryer asnjë hetim, mos dhënia e dokumentave nga Autoriteti i Dosjeve avokatit në kundërshtim me ligjin, si dhe mos dhënia e dokumentave edhe nga vetë Kuvendi i Shqipërisë ndaj avokatit, tregon qartë kapjen totalisht për fyti të drejtësisë dhe gjithë institucioneve nga Edi Rama.
Ky vendim, do të ankimohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ankimi depozitohet sot në atë gjykatë. Kjo çështje do të ndiqet deri në fund, nëse është e nevojshme, edhe në gjykatat ndërkombëtare”, theksoi Vasili.
Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës vendosi që të mos fillojë një procedim penal ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve, pas kallëzimit të bërë nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Përmes një njoftimi, Prokuroria bëri të ditur se duke nisur nga kallëzimi i Metës, por edhe bazën ligjore mbi të cilën ka operuar Autoriteti i Dosjeve, nuk ekzistojnë rrethanat e mjaftueshme për regjistrimin e procedimit penal, që lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale.
Ish-presidenti është politikani i lartë me inicialet I.M që prentendohet se figuron në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti i Dosjeve e përmend atë me emër dhe mbiemër në dokumentin që i drejtoi Kuvendit ku i kërkon gjithashtu të ndryshojë ligjin, pasi sipas tij nuk mund të verifikohen figurat politike të verifikuara një herë nga komisioni Mezini e Bezhani.
Gazeta Sot