10 Mars 2025

Pronat e shqiptarëve duket se po përfundojnë në duart e klanit Rama. Gazeta “SOT” më mënyrë sistematike ka denoncuar me forcë abuzimet dhe korrupsion, ndërkohë që së fundmi një skemë e sofistikuar kapjeje e shtetit po shpaloset para syve të shqiptarëve, ku prona publike po përfundon në duart e një grupi të vogël, por të fuqishëm, të lidhur ngushtë me kupolën e pushtetit. Emërimet e fundit në institucionet kyçe të administratës publike janë një sinjal alarmi për një proces të mirëorganizuar, që po i hap rrugën privatizimit të pasurive kombëtare në favor të një rrethi të ngushtë klientelist, alarm ky që e ka ngritur edhe opozita.

Protagonistja e parë e kësaj skeme është Eridana Çano, e cila pas një periudhe të gjatë në kabinetin qeveritar, u emërua drejtoreshë e SASPAC, një agjenci që menaxhon miliona euro fonde të Bashkimit Evropian.

Kjo lëvizje erdhi pas largimit të papritur të Jona Sulit, e cila kishte marrë postin vetëm 7 muaj më parë si krahu i zgjatur i Ilir Beqajt dhe Mirela Kumbaros. Kjo agjenci, e cila u krijua në 2021 si një mekanizëm për menaxhimin e ndihmës së huaj, u kthye shpejt në një nga strukturat më të errëta të qeverisë, ku zhdukja e fondeve publike u bë praktikë e zakonshme. Beqja, i cili tashmë ndodhet pas hekurave, la pas një trashëgimi të rrezikshme për financat e vendit, duke përforcuar idenë se SASPAC është një vegël për zhvatjen e fondeve. Nga ana tjetër, Çano nuk humbi kohë dhe siguroi vendin e kunatës së saj, Lorena Goxhobelli, në krye të Kadastrës. Kjo lëvizje krijoi një binom të fuqishëm familjar, ku njëra kontrollon pronat dhe tjetra menaxhon fondet. Pra dy gratë, të lidhura ngushtë me strukturat e qeverisë, tashmë kanë për detyrë që të sigurojnë që privatizimi i pronave të shtetit të ndodhë sipas skenarit të paracaktuar.

Detajet

Por skema nuk përfundon me kaq. Një figurë kyç e kësaj strukture të errët është Elira Kokona, e cila u emëruar në krye të Korporatës së Investimeve Shqiptare. Ky ent, i cili deri tani ka funksionuar në heshtje, po kthehet në mekanizmin kryesor për privatizimin masiv të pasurive kombëtare. Detyra e Kokonës është të mbikëqyrë dhe të zbatojnë transferimin e këtyre pronave në duart e një rrethi të ngushtë oligarkësh të lidhur me pushtetin. Kjo do të thotë se përmes një koordinimi perfekt midis SASPAC, Kadastrës dhe Korporatës së Investimeve, ky grup po kthen pronat publike në plaçkë të një grushti të vogël pushtetarësh.

Dyshohet se përmes akteve ligjore dhe vendimeve qeveritare, po mundësohet kalimi i pasurive kombëtare në duart e individëve të zgjedhur, në një proces që për nga intensiteti dhe shtrirja, mund të konsiderohet një nga aferat më të mëdha korruptive të dekadave të fundit. Kjo skemë nuk është vetëm një aferë korruptive, por një strategji e mirëpërcaktuar për të kapur përfundimisht ekonominë e vendit. Ndërkohë që qytetarët shohin se si prona e tyre e përbashkët po zhduket në duart e një klani qeveritar, klasa politike vëzhgon me heshtje dhe drejtësia mbetet e pafuqishme për të ndalur këtë grabitje masive. Megjithatë për ta kuptuar plotësisht rrezikun, mjafton të shohim sesi çdo institucion kyç për menaxhimin e pronave publike po përfundon në duart e një rrjeti nepotik të ndërlidhur drejtpërdrejt me Ramën.

Ky operacion mafioz ka vetëm një qëllim: zhdukjen e pasurisë kombëtare dhe shndërrimin e shtetit shqiptar në një çiflig privat. Pra e gjithë kjo tregon se ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është thjesht një abuzim me pushtetin, por një projekt afatgjatë për të rikonfiguruar ekonominë dhe pronësinë e vendit në favor të një grupi të vogël, që vepron si një organizatë kriminale. Thënë troç me pronat e shqiptarëve në duart e klanit Rama, e ardhmja e vendit duket më e pasigurt se kurrë.

Nga Gazeta Sot