Propaganda Fide: Porta e Lartë ankohet për përfshirjen e klerit në politikë. –
Propaganda Fide: Porta e Lartë ankohet për përfshirjen e klerit në politikë. –
Fatmira Nikolli – Një letër e Zyrës së Propagandës së Fesë në Romë dërguar mbikëqyrësit apostolik në Lezhë, bën me dije se Porta e Lartë ka shprehur pakënaqësitë e veta për pjesëmarrjen e klerikëve katolikë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si edhe i sugjerohet të mos përzjehet në çështje politike. Ky është një nga dokumentet e ekspozuara së fundit në kuadër të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Po në të njëjtën stendë është edhe korrespondenca mes Arqipeshkvit të Durrësit dhe prefektit Françeskan të Lezhës ku shkëmbejnë informacione dhe porosi lidhur me sjelljet arbitrare të autoriteteve osmane ndaj të krishterëve, duke ushtruar dhunë dhe duke prishur kryqet e varreve. Një ekspozitë me dokumente që ritregojnë Lidhjen e Prizrenit është çelur në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës.
E ardhur si bashkëpunim mes Arkivit Qendror Shtetëror dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ajo rrok një kohë të shkuar përmes dorëshkrimesh e imazhesh të atyre që u përpoqën të ruajnë tokat shqiptare. 10 qershor 1878 – 10 qershor 2018, 140 vjet nga Lidhja e Prizrenit, sillet në vëmendje se ajo ishte një organizim kombëtar i shqiptarëve të të gjitha trojeve, me qëllim kundërshtimin e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit.
Kërkesat e Lidhjes ndaj Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha ishin të qarta: 1. ruajtja e tërësisë territoriale të shqiptarëve; 2.autonomia administrative e trojeve shqiptare. Në mbështetje të këtyre kërkesave u ngritën degë të Lidhjes së Prizrenit në shumicën e qyteteve shqiptare, siç tregohet në një prej hartave të ekspozitës. Ekspozita përmbledh situatat politike të kohës, letërkëmbimet për çështjen dhe për trojet shqiptare, sikundër edhe raportet e vilajeteve me Portën e Lartë, por edhe hapat kryesorë që i paraprinë a e ndoqën Lidhjen e Prizrenit. Ekspozita shpërfaq imazhet e anëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, rregulloren e saj, thirrjen e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve drejtuar të gjithë bashkëkombësve ku ftohen të kundërshtojnë copëtimin e trojeve.
Po aty, shihet edhe memorandumi i njohur që iu drejtua Lordit Beaconsfield, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar përmes të cilit kundërshtohet vendim i Kongresit të Berlinit dhe copëtimi i trojeve. Janë ekspozuar edhe dokumentet që tregojnë protestat e popullsisë së Shpuzës, Podgoricës, Zhabjakut, Grudës dhe Kuçit drejtuar Kongresit të Berlinit, kundër dhënies së tokave Malit të Zi dhe protesta e Shqipërisë së Jugut dhe asaj të mesme, promemoria e Vaso Pashë Shkodranit drejtuar Konsullit të Austro-Hungarisë në Stamboll më 22 tetor 1878. Mes të tjerash jepet edhe peticioni i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit dërguar Sulltanit ku shprehen në mbrojtje të tërësisë territoriale të viseve shqiptare.
Telegrame e promemorie iu dërguan ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë e ambasadorit të Rusisë në Stamboll nga përfaqësuesit e Gjirokastrës, Delvinë, Përmetit, e Beratit ku kërkojnë ndërthurje për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi që kërkonin malazezët, serbët e grekët. Veç jugut, paria e Shkodrës i dërgonte fuqive të Kongresit të Berlinit një memorandum ku hidhej poshtë Traktati i Shën Stefanit, që i akordonte Malit të Zi, zgjerime territoriale në dëm të Shqipërisë së Veriut, si portet e Tivarit e Ulqinit, Podgoricën, Shpuzën. Ka më tej edhe një letërkëmbim të kazasë së Elbasanit me Vilajetin e Manastirit dhe Sanxhakun e Dibrës ku bëhej fjalë për masat që kishte marrë Porta e Lartë për të ruajtur rendin e qetësinë sikundër shpalljen e shtetrrethimit në Shkup apo për arrestime e burgosje personash.
Raporte për gjendjen politike, telegrame, procesverbale të vitit 1880 për rrymat në Lidhjen e Prizrenit, projekti për riorganizimin e sistemit administrativ të P.Osmane realizuar nga doajeni shqiptar Sami Frashëri janë përfshirë në ekspozitën ku nuk mungojnë as dy projektet e redaktuara nga Ferid Pasha në Kuvendin e Parisë së Toskërisë mbledhur në Janinë me 1878, ku i kërkohet Sulltan Hamidit që Shqipëria të bashkohet në një vilajet, të hapen shkolla shqipe dhe të njihet shqipja si gjuhë zyrtare e mandej edhe një kërkesë për organizimin e një milicie shqiptare.