18 Tetor 2023
“…manastiret ortodokse serbe janë më shumë vende për t‘u strehuar, vende prehjeje e pushimesh sesa për të kryer liturgji fetare. Gjithashtu, ai thotë se kur ka situata tensionesh dhe pasigurie, manastiret armatosin banda kundër shqiptarëve dhe pikërisht në këto manastire bandat e tyre gjejnë ndihmë, mjete financiare, strehim dhe siguri. Manastiri i Deçanit ishte një vend luksi. Me sa duket, ishte vërtet ajo që thuhej, se mbahej me paratë e Rusisë”, Gabriel Lois Jaray
Diplomacia austro-hungareze në fillimshekullin 20, ishte nga më aktivet në rajonin e Ballkanit, ku ndërthureshin interesat shqiptare dhe serbe, si dhe të fuqive të koncertit evropian, Austro-Hungarisë dhe Rusisë, të cilat në këtë rajon bënin përpjekje të vazhdueshme për rritjen e influencës si një parakusht për hegjemoninë në Ballkan.E interesuar për Ballkanin, posaçërisht për çështjen shqiptare, Perandoria Austro-Hungareze ndiqte me vëmendje të veçantë zhvillimet në trevat shqiptare ende nën sundimin osman, të cilat ishin po ashtu cak i aktiviteteve dhe pretendimeve të shtetit serb, prapa të cilëve qëndronte Rusia, rivalja kryesore e austro-hungarezëve në Ballkan. Përveç Konsullatës së Përgjithshme në Kostandinopojë, ajo kishte konsullata në qytetet kryesore të vilajeteve shqiptare, të Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Vetëm në Vilajetin e Kosovës, rajoni osman – ku përplasja e këtyre dy superfuqive po thellohej në mënyrë të vazhdueshme – Austro-Hungaria kishte hapur konsullatat e saj në Shkup, Prizren dhe Mitrovicë, të cilat ndiqnin nga afër aktivitet politike, kulturore dhe fetare serbe dhe ruse. Raportet konsullore austro-hungareze përmbajnë raporte interesante dhe informacion të gjerë historik, i cili na jep një pasqyrë të gjerë për zhvillimet e saj periudhe.

Image
Konsullata serbe në Prishtinë e cila veproi prej vitit 1889 deri në vitin 1912

Kisha Ortodokse Serbe – bartëse i ideologjisë serbomadhe

Në vazhdën e përpjekjeve për ta penguar influencën pansllaviste ruse dhe përpjekjet serbe për depërtimit në pjesën e Ballkanit Jugor, përkatësisht për të pamundësuar zgjerimin e Serbisë në drejtim të Vilajetit të Kosovës dhe daljes në Detin Adriatik, diplomatët e Austro-Hungarisë ndiqnin me vëmendje aktivitetet e Kishës Ortodokse Serbe brenda Kosovës. Duke pasur një pozitë të privilegjuar nga Porta e Lartë, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) u bë bartëse i ideologjisë serbomadhe. Rrjedhimisht edhe kujtesa kulturore e serbëve që nga mesi i shekullit 19-të bazohet në pak në ngjarje historike dhe më tepër në shenjtorët, heronjtë dhe tradhtarët, të cilët ndërlidhen me këto ngjarje dhe mite mesjetare. Në këtë mision ajo gëzoi ndihmën jo vetëm të politikës shtetërore serbe, por edhe të diplomacisë ruse, e cila për realizimin e planimetrive të saj pansllaviste llogariste edhe në KOS-n si një aktor i rëndësishëm brenda territorit shqiptar të Vilajetit të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet e KOS-it e cila ishte në lidhshmëri me Patrikanën e Kostandinopojë, e cila e mbronte legjitimitetin e sundimit osman, më shpesh shënoheshin nga bashkëjetesa sesa nga përplasja. Siç shkruan historiani i njohur, Oliver Jens Schmitt, nën mbrojtjen e shtetit, kultura ortodokse lulëzoi përgjatë shekujve dhe nga shekulli 16 deri në shekullin 18 u themeluan shumë kisha e manastire dhe jeta ortodokse qe në gjendje të zhvillohej pa pengesa që i përjetonte kultura dhe feja katolike në veri të Shqipërisë.

Privilegjet edhe në kohën e Perandorisë Osmane

Historiani serb, Miodrag Popoviq, vë në pah shkallën e tolerancës fetare të shtetit osman: “Me gjithë nënshtrimin e saj ndaj shtetit osman, Kisha Ortodokse gëzonte de jure – dhe shumicën e kohës edhe de facto – liri të plotë fetare dhe autonomi kulturore në kohën e Patrikanës së Pejës, domethënë prej shekullit të 17-të e tutje…Edhe librat e vjetër serbë trajtoheshin si objekte të shenjta prej osmanëve e manastiret përuroheshin me një kartë speciale të Sulltanit. Në këtë mënyrë, anëtarësia në Kishën Ortodokse Serbe u bë tregues i identitetit kombëtar serb, në kohën kur nuk ekzistonte shteti serb.

Po ashtu, kishat dhe manastiret ortodokse mbetën kryesisht të paprekura, ashtu si edhe e drejta e popullsisë së krishterë për të vazhduar të praktikojnë besimin e tyre. Komunitetet fetare gëzonin të drejta të gjera autonomie. KOS u lejua të caktojë personalitete kishtare, të menaxhojë pronën e tyre dhe të marrë vendimet e tyre në juridiksionin në fushën e ligjit të familjes dhe trashëgimisë.

Rrjedhimisht, KOS duke vepruar pa pengesa nga autoritetet e shtetit osman, në vazhdimësi u bë edhe një propaganduese e zjarrtë e glorifikimit të mitit për “përndjekjen” e serbëve nga shqiptarët e Kosovës dhe ishte bartëse e idesë për një hakmarrje në Kosovë, sidomos nga vitet e Krizës Lindore e tutje. Siç do të shihet në dokumentin e poshtëshënuar dhe të komentuar, ashtu edhe në historiografinë serbe pretendohet se deri me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, gjoja pati sulme të dhunshme kundër serbëve dhe klerikëve, të cilat ishin në mëshirën e grupeve shqiptare pa asnjë mbrojtje të shtetit osman.

Image
Manastiri i Graçanicës (Foto: Gabriel Louis-Jaray)

Viktimizimi si përgatitje për aneksimin e Kosovës

Por, ky diskurs i vetëviktimizimit synonte të përgatiste terrenin e aneksimit të Kosovës, si pjesë e platformës për restaurimin e mbretërisë mesjetare serbe, brenda të cilit ishte Kosova. Por siç thotë historiani gjerman, Holm Sundhaussen, njëri nga ekspertët më të mirë për historinë e Evropës Lindore, “fakti që 600 vjet më parë Kosova ishte pjesë e një shteti serb mesjetar, i cili nuk ishte shtet kombëtar në kuptimin modern, nuk mund të jetë justifikim për të tashmen”.

Sidoqoftë, Kisha Ortodokse Serbe në vazhdimësi do t’i kushtonte rëndësi Kosovës si vend përkujtimor serbo-nacional, e cila ka shumë ngjashmëri me narrativin polako-socialist, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht me “territoret perëndimore” që iu bashkëngjitën Polonisë. Por, këtu përfundojnë ngjashmëritë, sepse “zhvendosja perëndimore” e Polonisë ndodhi nën presionin e Bashkimit Sovjetik, ndërsa “zhvendosja jugore” e Serbisë respektivisht “çlirimi” i Kosovës do të arrihej me mbështetjen e vazhdueshme të Rusisë. Në këtë kontekst, KOS-i kishte dhe vazhdon të ketë ndikim të fortë në formulimin e politikave nacionaliste dhe ekspansioniste të shtetit serb. KOS-it do t’i njihet rol qendror edhe në platformën e “botës serbe”, e cila mëton të jetë një formë alternative e realizimit të idesë së Serbisë së Madhe.

Përgatitja për “hakmarrje” ndaj shqiptarëve të Kosovës

Sipas studiueses Jelena Subotiq, ideologjikisht, nuk është aspak për t’u çuditur, KOS-i mbeti thelbësisht nacionalist dhe historikisht mbështeti nacionalistët dhe antikomunistët serbë, më drejtpërdrejt Ushtrinë Atdhetare Jugosllave (Drazha Mihajloviq) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë linjë, sipas saj, një shënues i rëndësishëm në këtë politizim të hapur të KOS-it ishte botimi i Apelit për mbrojtjen e popullsisë serbe dhe vendeve të shenjta të saj në Kosovë në vitin 1982, në të cilin 21 priftërinj dhe teologë kryesorë shprehën shqetësimin e tyre për “domosdoshmërinë e mbrojtjes së qenies shpirtërore dhe biologjike të popullit serb në Kosovë”.

Ashtu si gjatë viteve 1980, retorika nacionaliste e KOS-it ishte prezente edhe gjatë fillim shekullit 20, kur Perandoria Osmane po shkonte drejt shpërbërjes. Kisha Ortodokse Serbe, ngjashëm si në periudhën e tanishme dhe të Millosheviqit, përdorte termin “gjenocid” për gjendjen e vështirë të serbëve në Kosovë. Siç ka tani një sinkroni me shtetin serb, edhe atëherë KOS-i mishëroi rrëfimin e “viktimës”. Lidhur me këtë fenomen, studiuesi i njohur Pascal Bruckner, në librin e tij “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, konstaton se “është traditë e brumosur prej letërsisë dhe Kishës Ortodokse, dhe ka lëshuar thellë rrënjët në historinë e kahershme të vuajtjes, prej kohës së kolonizimit turk dhe sistemit feudal habsburg, që gjeneruan patriotizëm të ekzagjeruar, e që nxiti veprime dramatike heroizmi. Është ndjenjë e pasigurisë së përhershme të krijuar prej dyndjeve të përhershme dhe ndryshimeve kufitare, shpër­nguljeve zemëruese dhe ekzilit të shtetasve që ishin larguar nga territoret armiqësore”. Ai mendon gjithashtu se në versionin e tij viktimizimi beninjë është formë paradoksale e snobizmit dhe se në versionin e tij të krisur, është mohim aktiv i konceptit të njerëzimit, thirrje e hapur për vrasje.

Një diskurs i tillë i KOS-it, siç dokumentojnë edhe dokumentet arkivore austro-hungareze për Vilajetin e Kosovës, ishte prezent edhe përgjatë fillimit të shekullit 20, kur shteti serb po përgatitej për një lloj “hakmarrje” ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët i shihte më fajtor sesa osmanët për rrënimin e mbretërisë mesjetare serbe dhe për shtypjen që ata përjetuan nën sundimin osman, edhe pse krahasuar me shqiptarët ata ishin më të privilegjuar në aspektin kulturor dhe fetar. Raportet e konsujve të huaj, si nga Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe nga shtetet ballkanike, kanë qenë prej kohësh ndër burimet më të rëndësishme për kërkime e periudhës së vonë osmane në hapësirën shqiptare. Vilajeti i Kosovës, si njësi politike-administrative e shtetit osman, kishte një pozitë qendrore në Ballkanin e Jugut dhe përfshinte një territor të Kosovës së sotme, dhe që në kuadër të tij përfshinte rajonin e Luginës së Preshevës, Novi Pazarit dhe Plavës e Gucisë. Në këtë zonë të madhe të pjesës kontinentale të Ballkanit osman, Austro-Hungaria kishte tri konsullata: në Prizren, në Mitrovicë dhe në Shkup, kjo e fundit kishte rolin edhe të kryeqytetit të Vilajetit të Kosovës nga viti 1888. Konsujt austro-hungarezë ishin njohës të mirë të rrethanave kulturore dhe politike në hapësirën shqiptare dhe shpeshherë ishin edhe aktorë politikë me ndikim në një kontekst politik ndërkombëtar dhe rajonal. Nga përmbajtja e raporteve dhe dendësia e informacioneve dhe e cilësisë së analizës, diplomatët austro-hungarezë ishin dukshëm më të përgatitur se diplomatët e vendeve të tjera.

Kjo duket qartë kur lexohen katër vëllimet e raporteve konsullore austro-hungareze nga Vilajeti i Prizrenit (1868-1874) dhe Vilajeti i Kosovës (1877-1912). Derisa në botën shqiptare nuk kishte as shtyp rajonal dhe as shkolla shqipe, për shkak të qëndrimit të njohur të shtetit osman ndaj gjuhës shqipe, situatë më e mirë ishte për ortodoksët, veçanërisht për popullsinë serbe, së cilës shteti osman ia njohu të drejtën e ngritjes së një sistemi të veçantë shkollor dhe të shtypi të shkruar, i cili gjeti mbështetjen si të “vendit amë”, Serbisë, ashtu edhe të kishave dhe manastireve ortodokse. Derisa gazeta e vilajetit osman dilte vetëm në gjuhën osmane, në Shkup që nga viti 1908 botohej gazeta serbe “Vardari”, e cila ishte organ i “Organizatës së Popullit Serb në Perandorinë Osmane”.

Në këtë mes, një rol të veçantë krahas KOS-it, shtypit, shkollave serbe, e luante edhe Konsullata e Serbisë në Prishtinë si dhe konsullata ruse në Prizren, Shkup dhe Mitrovicë. Gamën e aktivitetit të tyre e dokumentojnë më mirë se kushdo tjetër, raportet diplomatike dhe analizat e konsujve austro-hungarezë, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për të kuptuar ambiciet dhe synimet hegjemoniste serbe ndaj Kosovës e të cilat ishin në sinkroni me Kishën Ortodokse Serbe. Në krahasim me shumë konsullata tjera të Monarkisë Danubiane, Konsullata e saj në Mitrovicë kishte një rëndësi të veçantë për shkak se ky qytet krijonte një vazhdimësi etnike dhe gjeografik dhe përbënte një rajon lidhës mes Novi Pazarit dhe Bosnjë. Edhe sipas udhëpërshkruesit francez, Gabriel Lois Jaray, Konsullata e Austro-Hungarisë në Mitrovicë ishte një ndërtesë e mirë dhe “pa dyshim më sqimatarja e qytetit dhe njëkohësisht edhe qendra më e mirë e informacionit. Qeveria e Vjenës ka vendosur në këto pika vrojtimi agjentët e saj më të mirë dhe nuk kursehet në shpenzime. Politika e informatorëve ballkanikë gjithnjë është vlerësuar së tepërmi nga Ballplaci dhe për këtë s’kemi pse e qortojmë”.

Image
Manastiri i Deçanit, 1915

Agjitacioni i murgut rus Arsen në Manastirin e Deçanit

Ky impenjim financiar dhe diplomatik i Perandorisë Danubiane në cepin verior të Kosovës, përbënte një përpjekje tjetër për ta rivalizuar influencën e Konsullatë ruse në këtë rajon. Prandaj, nuk është e rastit që pikërisht në këtë qytet filluan konfliktet e para të popullatës lokale shqiptare me Konsullatën ruse në Mitrovicë të hapur më 1902, që përfundoi me vrasjen e konsullit rus, Grigorij Stepanoviq Shqerbi në vitin 1903. Duhet shtuar se nga Konsullata e Austro-Hungarisë pati një dendësi të raportimeve interesante të konsullit Zambur, për zhvillime dhe ngjarje të cilat asokohe do të zhvilloheshin në Mitrovicë dhe pjesë të tjera të Vilajetit të Kosovës.

Në vitin 1905 konsulli austro-Hungarez Zambur, ia del të sigurojë një dokument/kërkesë të komunitetit serb të shkruar nga klerikë dhe pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët angazhohen për përhapjen e diskursit serb vetëviktimizues

Në raportin e tij, nr. 22, datë 23 mars 1905, që i dërgonte Ministrisë së Jashtme në Vjenë, ndër të tjera, Zambur raportonte për agjitacionin e murgut rus Arsen në Manastirin e Deçanit. Ky raport përmban një dokument lidhur me kishat dhe shkollat serbe në Pejë (një kopje serbisht) i datës 5 mars 1905, të cilën murgjit i drejtohen ambasadorit perandorak rus në Stamboll, z. Zinoviev dhe i ankohen atij se murgu Arsenije ka kaluar gati tre vjet në Manastirin e Deçanit, gjithmonë duke punuar me ndërgjegje dhe drejtësi në dobi të Ortodoksisë dhe kombit serb. Më tej, në këtë dokument propagandistik pretendohet se Arsenije me punën e tij ishin të kënaqur jo vetëm murgjit, por edhe gjithë popullata e kësaj zone për mbrojtjen që u ka ofruar nga “përdhunimet barbare” të shqiptarëve.

Menjëherë pas largimit të A. Arsenije, murgjit serbë në letrën dërguar ambasadorit rus, pretendojnë se filluan aktet e “dhunës së shqiptarëve në rrethinën e Deçanit”, duke tërhequr vëmendjen se janë të dukshme vështirësitë me të cilat do të përballen në të ardhmen si për Manastirin e Deçanit ashtu dhe në përgjithësi për popullin serb të këtij rajoni.

Në shkresë, një kopje të së cilës në gjuhën gjermane konsulli Zmabur ia dërgon Vjenës, murgjit serbë thonë se edhe ata janë të kënaqur me Igumenin A. (ose O.) Kirili, O. (Opiskopat?) tashmë është moshuar dhe i dobët dhe për këtë arsye i paaftë për të menaxhuar manastirin pa O. Arsenije.

Në anën tjetër, një autor francez, udhëtari dhe shkrimtari Gabriel Lois Jaray në librin “L’Albanie inconnue” (Shqipëria e panjohur), botuar në Paris më 1913, në detaje flet edhe për raportet midis shqiptarëve shumicë dhe pakicës serbe në Kosovën osmane në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit 20, por askund nuk përmend gjërat që janë shënuar në dokumentin lartpërmendur apo nga historiografia serbe, se shqiptarët ishin përndjekës të serbëve. Përveç tjerash, dokumentet historike flasin se serbët ishin në një pozitë më të avancuar se sa shqiptarët në shtetin osman, ata kishin një zhvillimin kulturor dhe material më të lartë sesa shqiptarët e të dy feve, pasi gjuha dhe shkollimi i tyre kombëtar serb pranohej nga shteti osman. Edhe në rrafshin e propagandës fetare, serbët qëndronin më të organizuar, kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, pasi manastiret nuk vuanin dhe madje nënvizohej se “manastiri i njohur i Deçanit merrte subvencione nga qeveria ruse”.

Qëllimi serb ishte i qartë, përmes një strategjie të tillë ideologjike dhe narrative vetëviktimizuese të pengohej avancimi i të drejtave të shqiptarëve në shtetin osman dhe të pengohej mundësia e bashkimit të vilajeteve me shumicë shqiptar në një shtet autonom.

Avancimi i shqiptarëve – barrierë për “Serbinë e Madhe”

Siç do të shkruajë në këtë periudhë Miss Edith Durham në librin e saj “The Sarajevo Crime”, shteti serb çdo avancim i të drejtave të shqiptarëve e konsideronte një barrierë kryesore për realizimin e projektit të Serbisë së Madhe. Në këtë kontekst, vlen të nënvizohet se fitorja e Revolucionit Xhonturk dhe shpallja e barazisë kushtetuese, me çka në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare u hapën klube dhe shkolla shqipe, i “tmerroi serbët që kishin bërë propagandë aktive”, pasi qeverisja e mirë osmane ishte gjëja e fundit që ata dëshironin. “Unë e kuptova këtë kur, në 1908-n, në Manastirin e Graçanicës, në atë që ishte asokohe vilajeti i Kosovës, fola me zemër mbi paqen e përgjithshme dhe kushtet e përmirësuara ndaj mikpritësve të mi, duke harruar si budallaqe se këto ngrehina kishtare ishin vatra të punës politike. Arkimandriti dhe miqtë e tij u ankuan me qortim. Por nëse kjo vazhdon, e gjithë puna jonë dhe gjithë shpresa jone janë të humbura. Ne nuk do ta bëjmë Serbinë e Madhe”.

Kisha Ortodokse Serbe, edhe një shekull më vonë, luan rolin vetëviktimizues dhe shpërfaq qëndrime nacionaliste ashtu siç bëri lidhur me ngjarjet e fundit terroriste në Banjskë (24 shtator 2023) të Kosovë, ku agresionin e armatosur të shtetit serb e mbulon me tone viktimizuese. Deklarata se “synimi i atyre që me çdo kusht duan ta tërheqin Kishën në konflikte tragjike është që Kisha Serbe dhe besimtarët e saj të zhduken nga Kosova”, që është identike me qëndrimet e klerit ortodoks serb të fillim shekullit 20, gjë e cila del në pah edhe nga dokumenti i lartpërmendur. Ndërsa, nga shënimet e udhëpërshkruesi francez, Gabriel Lois Jaray, dëshmohet se relacionet midis KOS dhe autoriteteve osmane në Kosovë ishin të mira dhe nuk paraqet ndonjë shqetësim real të komunitetit serb. “Kur mbërrita në Manastirin e Deçanit aty kishte dalë të më priste arkimandriti, disa murgj dhe oficeri turk. Arkimandriti plak më çoi të vizitoj kishën e vjetër, një ndërtesë e stilit romak, me një kube bizantine, që ishte duke u riparuar”, (fq.45) shkruan ai në librin për shqiptarët “Shqipëria e panjohur”.

“Parandalimi i akteve arbitrare të arnautëve”!

Në pjesën e dytë të këtij dokumenti (recto 2), të cilin konsulli Zambur e ka përcaktuar si raport i një agjitacioni në favor të kthimit të murgut rus në Manastirin e Deçanit, bëhet thirrje në nivelin më të lartë dhe me tonin tradicional vetëviktimizues “për parandalimin e akteve arbitrare nga arnautët/shqiptarët” dhe për këtë arsye, përfaqësuesit e komunitetit serb kërkojnë nga ambasadori rus në Kostandinopojë që ta rikthejë O. Arsenije në postin e tij të mëparshëm si murg në Manastirin e Deçanit. Ndër të tjera, ai thekson gjithashtu se manastiret ortodokse serbe ishin më shumë vende për t’u strehuar, vende prehjeje e pushimesh se sa për të kryer liturgji fetare. Gjithashtu, ai thotë se kur ka situata tensionesh dhe pasigurie, manastiret armatosin banda kundër shqiptarëve dhe pikërisht në këto manastire bandat e tyre gjejnë ndihmë, mjete financiare, strehim dhe siguri. Manastiri i Deçanit ishte një vend luksi. Me sa duket, ishte vërtetë ajo që thuhej, se mbahej me paratë e Rusisë, pohon autori francez Gabriel Lois Jaray (fq.34-35).

Në fund të shkresës së lartcekur, pos që shprehet pritja e madhe se kërkesa e tyre do të ndiqet nga ambasadori rus, vendoset edhe lista e plotë të personave të komunitetit serb të cilët kanë paraqitur kërkesën e tyre në gjuhën serbe për rikthimin e murgut rus në manastirin serb të Kosovës:

Kryetari i komunitetit: 

Mita V. Vitiq

Zëvendëspresidenti:

Vasilje Dimitrijeviq,

Zhivko Stefanoviq,

Rista Timotijeviq,

Jovan Z. Greqi,

Etj.

Anëtarë të Komitetit: 

Stefa K. Rajeviq,

Stefan v. Stanjeviq,

Dimitrije Jankoviq,

Gjorgje Jovanoviq,

Vasilije Jovanoviq,

Mladen Gojkoviq

Gazeta Koha, Prishtinë. Autor