
Propozim i ri për armëpushim në Gaza, ndërmjetësit paraqesin plan me afat deri në 7 vjet
21 Prill 2025
Një zyrtar i lartë palestinez, i përfshirë në negociatat për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, ka deklaruar për BBC se ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti kanë paraqitur një propozim të ri për ndalimin e luftës në Rripin e Gazës.
Plani përfshin armëpushim 5 deri në 7 vjet, lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të burgosurve palestinezë, tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza dhe përfundim formal të konfliktit.
Një delegacion i lartë i Hamasit, i udhëhequr nga Mohammed Darwish dhe negociatori Khalil al-Hayya, pritet të mbërrijë në Kajro për të diskutuar propozimin me ndërmjetësit.
Ky zhvillim vjen pas refuzimit të një propozimi të mëparshëm izraelit që kërkonte çarmatimin e Hamasit në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka përsëritur se lufta nuk do të ndalet pa shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e të gjithë pengjeve.
Zyrtari palestinez po ashtu ka bërë të ditur se Hamasi është i gatshëm të dorëzojë qeverisjen e Gazës tek një strukturë palestineze e pranueshme kombëtarisht dhe rajonalisht, siç është Autoriteti Palestinez (PA) apo një strukturë e re. Megjithatë, Netanyahu ka përjashtuar çdo rol të PA-së në të ardhmen e Gazës.
Izraeli ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi këtë propozim të ri të paraqitur nga ndërmjetësit.
Gazea Sot