Propozim: – Urën e Zogut ta shpallim monumentin e maskarallëkut! Kategoria I
Nga Mentor Kikia
“…do të botohet nga Ministria e Kulturës një guditë “Si e shkatërruam Urën e Zogut”.
15 Dhjetor 2022
Propozim: Urën e Zogut ta shpallim monumentin e maskarallëkut! Kategoria I.
Ura e Zogut, siç njihet ura monument-kulture mbi Lumin Mat, duket se ka marrë goditjen fatale. Vërshimi i lumit nga reshjet e mbrëmshme i ka shkaktuar një tjetër dëmtim, edhe në strukturë, duke e bërë thuajse një gërmadhe tashmë.
Unë kam një propozim, që, nga monument kulture që është, ta shpallim “Monumentin e Maskaradës, Babëzisë dhe Korrupsionit” – të kategorisë së parë. Madje të mbrohet nga shteti, pikërisht kështu siç është. Të mos riparohet kurrë, për ta shndërruar në një atraksion turistik ku të gjithë të vijnë të mësojnë se çfarë i bëhet një vendi ku sundon korrupsioni.
Në vend të guidës se si u ndërtua kjo urë, të botohet nga Ministria e Kulturës një guditë “Si e shkatërruam Urën e Zogut”.
Duhet ti kushtohet një vëmendje e madhe kontributit që ka dhënë këtu kompania e ndërtim-shkatërrimit “Salillari”.
Sipas parimit Oruellian, tek “Ferma e Kafshëve”, “të gjithë janë të barabartë para ligjit, por disa janë më të barabartë”(dhe këta ishin derrat). Që do të thotë se ata që janë “më të barabartë” kanë të drejtë të mos e zbatojnë ligjin. Dhe kështu ndodhi edhe më këtë urë. Ndërsa shfrytëzimi i inerteve ndalohej me vendim qeverie, të gjithë ndalonin, por salillari jo. Ai gërryente e gërryente lumin, natë e ditë, pranverë-verë-vjeshtë- dimër.
Shumë media dhe ambientalistë synonin të denonconin, bërtisnin sa mundnin, por Salillari vazhdonte të gërryente. Derisa sa ra këmba e parë e urës. Këtu u kujtua edhe Ministria e Kulturës që kjo urë ishte monument kulture.
Por sërish kompania e ndërtim-shkatërrimit vazhdonte punën derisa dalëngadalë ia nxori fundin fare edhe lumit, edhe urës, edhe monumentit.
Tek e fundit, çfarë e gjeti Shqipërinë për një monument?
Tani kjo urë duhet të futet në destinacionet turistike, me temë: Si ia bëjnë shqiptarët gropën Shqipërisë!
Huazuar nga FB: Mentor Kikia.