Redi Muçi

“Protesta do vazhdojë deri sa Rama të japë dorëheqjen”. Aktivisti: – Po kthehet në një Putin të dytë

Nga OraNews

12 Mars 2022

Sot është organizuar protesta më e madhe masive përgjatë katër ditëve revoltë kundër shtrenjtimit të çmimeve. Revolta është përhapur edhe në rrethe pasi çmimet janë rritur në mënyrë të pakontrolluar.

Redi Muçi nga Organizata Politike i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh  se ky zgjim i qytetarëve shqiptarë, kjo protestë për nga masiviteti është e paprecedent, e thirrur nga qytetarët për qytetarët dhe shoqëruar nga reagimet në qytetet e tjera është një situatë shpresëplotë.

Muçi: Nuk kemi parë herë tjetër masivitet të tillë në kryeqytet dhe më pas e shtrirë në rrethe të tjera.

Redi Muçi u shpreh se qeverisja e ka humbur çdo lloj legjitimiteti në sytë e shqiptarëve.

Muçi: …për shkak të abuzimeve, për shkak të korrupsionit dhe shumë e shumë aspekte të tjera të cvi;at kanë sjellë pasurimin e një grushti njerëzish dhe varfërimin e pjesës më të madhe të saj. Kur kësaj i mbivendos edhe rritjen e çmimit të produkteve bazë ushqimore atëherë sigurisht arrin në atë pikën e vlimit ku reagimi është spontan edhe masiv.

A do të vazhdojnë protestat?

Muçi: Protesta e sotshme ishte model për nga organizimi, qytetaria dhe masiviteti. Duhet tentuar që të mbahet gjallë për një kohë sa më të gjatë. Protesta do të vazhdojë deri sa të arrijë një qëllim final që është të kërkojë dorëheqjen e Edi Ramës dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ai shtoi se Edi Rama ka të gjitha cilësitë për tu kthyer në një Putin të dytë.

Muçi: Duhet të kemi qeveri që të krijojnë një mirëqenie minimale në vendin tonë. Kemi 30 vjet që nga rrëzimi i regjimit që jemi katandisur si ato republikat ish-sovjetike në  të cilat organizimi i një ekonomie kriminale oligarkike dhe një lider i cili gjithnjë e më tepër po kthehet në një Putin të dytë. Edi Rama i ka të gjitha këto karakteristika për tu kthyer në një Putin, në një Erdogan të dytë vetëm se nuk ka aftësinë e dhunës.

Muçi shtoi se ky është i vetmi realizim i misionit të protestës. Sipas tij kemi të bëjmë me një lider të paaftë për të menaxhuar situatën dhe gjëja më racionale që ai duhet të bëjë është të japë dorëheqjen.

Nga OraNews