Protesta e 7 Korrikut jep efekte qe pa filluar: – Qeveria premton uljen e taksave për naftën …
– 30 Qershor 2022
Kur foli në parlament për aktin normativ që bën gati 6 miliard lekë për të ndihmuar kompanitë që kanë fituar tendera publikë, Ministrja e Financave, Delina Ibrahimi tha se së shpejti do të ketë reduktim të taksave për karburantet.
“Jemi cituar se çmimet e karburanteve janë çmimet më të rëndësishme dhe ne do të ndërhyjmë për të reduktuar taksat për çmimet e karburanteve. Po a e dini ju se Shqipëria ka taksat më të ulta për 99% të regjistruara këtu?” u shpreh Ibrahimi.
Reduktimi i taksave mbi karburantet ka qenë një nga kërkesat kryesore të protestave, por është përjashtuar kategorikisht nga qeveria. Kërkesa u refuzua edhe kur mijëra qytetarë dolën në protestë në mars të këtij viti, pas rritjes së çmimit nga lufta në Ukrainë.
“Mua nuk më shqetësojnë, jo aq por dhe 300 fish, taksat mbi karburantet sa të jem unë nuk hiqen nuk ulen nuk lëvizin. Mua më alarmon diçka tjetër, cënimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb si popull, si shtet, si vend si shoqëri, si shqiptarë nga ky reagim”, deklaroi Rama në mars të këtij viti.
Por deklarata e Ibrahimit sot, tregojnë se qeveria mund të tërhiqet nga ky qendrim.
Sinjalet e reflektimit vijnë pasi opozita ka paralajëmëruar një protestë kombëtare në 7 Korrik, duke akuzuar qeverinë se nuk ka marrë masa për lehtësimin e qytetarëve nga pasojat e luftës në Ukrainë.
“Thoni se kemi krijuar borde që janë fashiste, moniste që kanë ndikuar negativisht në çmimin e karburanteve. Bordet kanë bërë të mundur që marxhi i fitimit të jetë 5%, ndërkohë që në vitet e kaluara ka qenë 15%” u shpreh Delina Ibrahimi në Parlament.
Aktualisht ne paguajmë 8 taksa mbi një litër naftë.
Qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliencimi.
Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhetin e shtetit u shtohen dy të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, të cilat të dyja bashkë rëndojnë 3 lekë në çdo litër karburant. Veç kësaj paguhet edhe tarifa e kontrollit të pompave.
Në fund, mbi katër taksat shtetërore dhe tre private, shtohet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Tvsh-ja mbi naftën është 20 për qind e çmimit final.
Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëri është në një nga vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, në vlerë absolute. Ndërsa nëse krahasohet sipas fuqisë blerëse të qytetarëve, Shqipëria është vendi ku karburanti kushton me shtrenjtë se kudo tjetër në planet.
Gazeta Shqiptare