Protesta e studentëve, vjen dorëheqja e parë e një dekani. Kush e ka radhën? –

22-01-2019,

Nga Ariana Muraci.

Protesta e studentëve, përveç shkrirjes së bordeve të Administrimit  të Arsimit të Lartë që vareshin nga Ministria përkatëse, si dhe pas shkarkimit të ministres Lindita Nikolla, po shoqërohet me dorëheqje të disa prej drejtuesve të fakultete dhe universiteteve publike. Pas dorëheqjes së pedagogut Thanas Nushi, nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës, ka dhënë sot dorëheqjen edhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Luigj Turmalaj.

“Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, z. Luigj Turmalaj, pas situatës së krijuar jep dorëheqjen! Një vendim që duhet përshëndetur dhe duhet ndjekur nga drejtues të tjerë të Universiteteve si përgjegjësit kryesorë të gjendjes ku është arsimi i lartë sot! Një ndër ta duhet të jetë dhe Dhori Kule, individi i cili me shumë se kushdo tjetër ka shkatërruar Universitetin e Tiranës, duke lejuar individë pa diplome dhe të lidhur me krimin të jenë në auditore!,” ka qenë mesazhi i studiuesit Taulant Muka, i cili bashkë me një ekip të tjerë studiuesish që kanë përfunduar studimet jashtë vendit, janë përpjekur këto ditë të zbulojnë plagjiaturat e shumë prej politikanëve dhe drejtuesve të oborrit akademik, duke besuar se janë pikërisht drejtuesit e fakulteteve dhe të universiteteve publike (gjendja te publiku tregon se universitetet private nuk duhen marrë fare seriozisht) përgjegjësit kryesorë të situatës , pasi kanë mbajtur postet me çdo qeveri në pushtet, ndërkohë ata thonë se klasa politike ka kusuret e veta po aq të mëdha, me degradimin e arsimit e dijes.